E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni gjer në rekrutët me pagesë të E. Ramës

03-06-2012 / Nga Kostaq Xoxa

ETALON KRAHASIMI: ALÇIDE DE GASPERI


“Më bani përshtypje nji pamje televizive e dhanë nga thuejse të gjitha mediet për nji takim të kohëve të fundit kryeministrit tonë me të afërmit e viktimave të studentëve kosovarë të shkollave të mesme, që kishin pas ardhë për me pa atdheun e tyne, me autobus. Duket se kryeministri ynë u kishte çue kallauz atyne të shkretve për mundësinë e nji takimi, si me thanë, për kryeshëndosh. Por tash u kujtue ai, për nji gja të tillë? Madje u tha të ardhunve se dhimbjen e kishte ndie si me kenë njerzit e vet! Jo, he burr, se në një rast të tillë ai kishte ba mirë me ardhë në Tiranë me helikopter, apo me çarter, brenda pak kohe! E s’e kishte vazhdue ahengun e buzuqeve. Por ai, n’at kohë, s’e bani qejfin qeder e u gdhi atë natë të përzishme deri në sabah. E nuk asht e para herë. A nuk sheh ai sesi bajnë të tjerët? Kaq e zametshme kenka me ia kuptue dredhat e hilet këtij njéri? Unë s’kam ba ndoj’herë artikull. Por do të dojshe me i botue këta rreshta n’emën tem. Mund ta vini kët emën, me gjithë adresën, si të doni; ose mund ta bani vetë ndo’j shkrim, tue e krahasue me ndo’j politkan, kjoft edhe të huej, që do ta kishim marrë si shembull”. Ky shkrim, për fat të keq, më humbi shkresash. E kisha kërkuar në dosjen time të letërkëmbimeve dhe s’e kisha gjetur. E gjeta tani, si rastësisht, në disa letra të tjera. Ishte shkruar tetë vite më parë. Aty për aty, për atë “shembullin” që përmbyllte letrën, m’u kujtua A. De Gasperi. Ndërsa e gjithë letra më çoi në kujtesë atë ikjen e menjëhershme të dr. Berishës, që la një mbledhje të rëndësishme ndërkombëtare, për të ardhur vrik e në atdhe, pranë viktimave të Himarës. Z. Berisha mori masa të jashtëzakonshme dhe shpalli ditën e zisë kombëtare. E, megjithatë, për hir të këtij kujdesi, që ngriti në këmbë një popull të tjerë e që solli si pasojë shpëtimin e një moríe viktimash, madje në një rigjenerim të menjëhershëm, duke shmangur edhe invaliditetet, nuk mbeti pa pështymat nihiliste. Sidoqë rruga, sinjalistikat dhe kondicionet e tjera ishin të paqortueshme, u dashka që të kishim një rrugë gropa-gropa, si ajo që trashëguam nga një qeverisje si ajo e tetëvjeçarit, që të mos ndodhte ky aksident? Natyrisht, se do të ecnim me hapin e breshkës! Cilitdó mund t’i kujtohen ato ulërimat dëshpëruese në dallgët e egërsua të detit, kur u bë një sehir i madh i rendit, duke mos u ardhur aspak në ndihmë viktimave, në një kohë të qeverisjes së majtë. Ky, po, që mund të quhet një qëndrim cinik, kur njerëzve në nevojë jo vetëm që nuk u vihet në ndihmë, por lihen - me dashje - të gllabërohen nga dallgët e detit.


***


Kemi thënë se e majta jonë, veçanërisht ajo e skajshmja, është përfshirë nga një nostalgji enveriste jo vetëm e pashpirt, por edhe atdhemohuese. Na duhet të rikujtojmë figurën e jashtëzakonshme politike të de Gasperit, siç e kemi thënë qysh në okielo. Duhet të shtojmë edhe një element. Se Shtëpia botuese “55” ka nxjerrë në botim së paku pesë libra mbi veprimtarinë e këtij njeriu të madh në kuptimin e vërtetë të fjalës. Përveç Referateve përkujtimore, në kuadër të fondacionit me emër të politikanit tonë fqinj, nga i cili duhej të frymëzoheshim. Mbrojtja që i bëri De Gasperi trojeve italiane të Istrias, Venecia Xhulias, Polos dhe vende të tjera të Italisë verilindore nga synimet grabitqare të Jugosllavisë titiste të pasluftës, në mënyrë krahasuese është një aktakuzë për qëndrimin që ka mbajtur E. Hoxha ndaj problemit të Kosovës. Një pjesë historianësh panegjirikë ndaj regjimit e kanë përligjur E. Hoxhën, se “kishte bërë optimumin e mundshëm” për këtë çështje, me fraza të errëta që donin të maskonin servilizmin e detyrueshëm të kreut të diktaturës shqiptare. Si me thënë: “S’kishte ç’të bënte më tepër”. Por dinte t’i kthente krahët një alamet Bashkimi Sovjetik, kur i kërcënohej pushteti vetjak dhe i një klike rreth tij. Destalinizimi, që u përhap në të gjithë lindjen sovjetike, do të ishte një shans që do të ndikonte për mirë në periudhën e mëpasme të tranzicionit, që s’dihet kur do të marrë fund. Por politika enveriste ka qenë një politikë pushtetmarrjeje dhe pushtetmbajtjeje. Plotësisht antipluraliste. Politika kombëtare e De Gasperit është e admirueshme dhe me pasoja të fatlume për Italinë e mundur, që u shndërrua nga një vend i shkatërruar në mënyrë rrënimtare, në një vend të begatshëm (në rigjenerimin e vendit). Le të krahasohet Italia e ’85 -‘90-s, me Shqipërinë e së njëjtës kohë, që të mos mburremi me një politikë “fitimtarësh”, kur edhe në OKB u pranuam në vitin 1954! Me shpërthimet e kufijve të ’90-s e më tej, vërshimet e “proletarëve tanë hegjemonë” (!), për të gjetur vend pune te “punëtorët e shkretë italianë, që flinin nën urat”, rrëzuan një mit propagandistik për ta paraqitur mjerimin socialist si begatí! De Gasperi është nga nga krahina veriore e Trentos, për shumë kohë nën sovranitetin e Austrisë. Madje A. De Gasperi ka qenë deputet në parlamentin austriak, në rininë e tij. Por nga tërësia e librave, një pjesë të të cilëve i kemi pasqyruar edhe në faqet e gazetës sonë, del qartësisht se Italia e pasluftës, sido që fillimisht e shpërfillur nga faktori ndërkombëtar (madje e përbuzur), fitoi një prestigj aq të madh brenda një kohe çuditërisht të shkurtër, sa politika e Alçide De Gasperit realizoi njëherësh dy synime jetësore për të ardhmen e Italisë: E bëri sërishmi Italinë një komb-shtet dhe, së dyti, e nxori vendin nga kriza ekonomike e pasluftës dhe e shmangu varfërinë, në përmasa të mungesës së bukës së gojës (kur te né grabitej me kuintalë floriri i tregtarëve prej komunistëve në fuqi, për t’u çuar me kamionë në Jugosllavinë motër). Në sajë të këtij trentini të madh Italia i ruajti trojet e saj që mëtoheshin nga Jugosllavia, si shtet fitimtar, tashmë. Për të arritur në këtë vepër të madhe të bashkimit kombëtar, De Gasperi kërkoi që në fillim e pa mëdyshje Aleancën e SHBA-ve. U bë i bujshëm në Klivlend të Amerikës në disa konferenca që lanë mbresa të thella dhe i theu akujt fillestarë të të dy vendeve. Bërnsi (sekretari për punët e jashtme) e kishte pritur ftohtë. Por kthimi qé triumfal. Me partinë e tij DK, që fitoi shumicën absolute, De Gasperi u bë i besueshëm brenda vendit dhe i autoritetshëm jashtë tij. Shumani i Francës nuk e trajtonte, tanimë, si përfaqësuesin e një shteti të mundur, por si partner, për të hedhur bazat, bashkë me Adenaurin, për Europën e Bashkuar. Kjo lidhje treshe e burrave më të shquar të Europës së pasluftës, vuri themelet e Bashkimit Europian. Me këtë prestigj të shumëfishuar, ëndrrat e Titos për t’u zgjeruar në kurriz të Italisë, mbetën vetëm ëndrra të parealizuara. Mungesa e një personaliteti të përmasave të tilla, në një kohë shumë kritike për Italinë e pasluftës, nuk do ta kishte çuar Italinë, me shumë gjasa, në një shtet-komb. Dhe kjo do të ishte me pasoja tepër të hidhura, siç qé rrënimtar servilizmi i shtetit tonë përkundrejt Jugosllavisë. Në Konferencën e Paqes të Parisit, E. Hoxha fliste për internacionalizmin proletar, në kuptimin se trojet shqiptare në dorë të Titos, ishin në dorë vëllazërore, duke harruar premtimet e këtij të fundit për një referendum për statusin e Kosovës. Ndërsa De Gasperi ishte konkret në mbrojtjen e tij të besueshme nga auditori, kur thoshte se nuk ishin idealet e një paqeje të qëndrueshme, bazë e një bashkësie europiane, ato kur shumica italiane t’i nënshtrohej një pakice të parëndësishme jugosllave, në kushtet kur kjo pakicë do të gëzonte të gjitha të drejtat e saj në një shtet demokratik si Italia. Por E. Hoxha s’kishte si të fliste me këtë gjuhë, sepse “shteti demokratik” i tij ishte vetëm propagandistik dhe me një retorikë për përdorim të brendshëm. Këtu nuk dua të përsëris fjalët diskredituese që i përplasi në fytyrë Caldarisi, që e poshtëroi si hajdut dhe vjedhës perdesh hoteleve të Francës, madje duke ia mbathur pa paguar. Siç kishte bërë edhe në Korçë, me merëbesuesin francez, Brezhó! Një krahasim tjetër mësimdhënës për né do të ishte pastërtia morale e politikanit, shembullin më të lartë të të cilit e kishte dhënë vetë De Gasperi. Politika, sipas tij, nuk duhej të ishte, në asnjë mënyrë, mjet fitimi. E bija e tij, Maria Romana, ishte ndër intelektualet e shquara të vendit. Kur punët e kryeministrit De Gasperi u shtuan së tepërmi, u bë e domosdoshme nevoja e një sekretareje të tij në kryeministrí. Ai mori në këtë detyrë të bijën, pa pagesë, “sepse vendi ishte në varfëri të skajshme” (Cili nga nè ka dhënë shembuj të tillë?).Te né, kryetari i partisë së zullumeve, ngjirej, kundër korrupsionit dhe ngarkonte, ndërkaq, të ashtuquajturin sindikalist, Fiqri Xibrin, që të paguante me borderó të rekrutuarit për të bërë rrëmujë për rrëzimin e qeverisjes me dhunë. Kur E. Rama flet për korrupsionin e kundërshtarëve të tij, ai s’ka parasysh atë dukurinë që mban vulën e veprimtarisë së tij, sipas së cilës edhe militantët për rrëzimin e pushtetit në fuqi, duheshin korruptuar, me pare në dorë! Është një risí ky korrupsion për mitingje, në rrethana groteske, kur korruptuesi i “fukarait” Rama, i ashtuquajturi sindikalist, pasi kapet me presh në dorë dhe shfaqet në medie fotoja me paratë Fiqriut (lexo: me paret e fukarait në krye të PSsë), ky sindikalist bëhet partiak dhe gradohet në Asamblenë Kombëtare të E. Ramës! Një kryeprokuror, që mund të quhet një “alter ego” i Xibrit, pasi e humbi ofiqin e tij për hir të “dosjeve të pluhurosura”, Theodhoriu, tani u bë, gjithashtu, nga i depolitizuar (!) në anëtar të PS-së, për kontributin e fshehjes së korrupsionit majtist. Edhe ai, jo anëtar i thjeshtë, por në forumin drejtues për të cilin folëm. Po ashtu Rama është i diskredituar kur PD-ja nxjerr të korruptuarit e saj në administratën e lartë, apo të çdo lloji dhe Rama del në foto, në stacionet televizive, në krah të tij me Kleves Mujën, kryetarin e Komunës së Rrethinave të Shkodrës. Kështu e lufton Edvini korrupsionin. Askush nuk e beson se ç’thotë, por ç’bën. “Carta canta”. Urdhër arresti nga autoritetet italiane për kryekomunarin Kleves Muja, rrezikon 20 vjet burg. Në pranga kryekomunari i Ramës për trafik droge. Klevesi u arrestua pardje nga Policia e Shkodrës, pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar droge. Ditën e premte, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian, i shtetasit Kleves Fejzi Muja, 38 vjeç, me detyrë Kryetar i Komunës Rrethina Shkodër. U arrestua rreth orës 13.00. me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian, bazuar në marrëveshjen e ratifikuar, tashmë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe të Italisë. Muja ka qenë i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për trafik droge në kohën kur ai është kandiduar nga kreu i PS, Edi Rama, për t’u zgjedhur kryetar komune në Rrethina të Shkodrës. Edhe pse ai ishte një i kërkuar për trafik ndërkombëtar droge, Rama e kandidoi për t’u zgjedhur si drejtues në pushtetin lokal. Urdhër arresti ndërkombëtar ndaj 38- vjeçarit Kleves Muja ishte lëshuar nga një gjykatë në Bari të Italisë, që më datën 29 tetor të vitit 2010, pasi ai akuzohej për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” Nuk është rasti i parë, që kreu i PS, Edi Rama, ka kandiduar njerëz me precedentë penalë. Po ashtu edhe kryetari aktual i Bashkisë së Kavajës u përfol se, akuzohej nga drejtësia italiane për trafik droge. Ndërsa propagandistët e Ramës flasin për 70 mijë karta identiteti biometrike “të falsifikuara”, pa nxjerrë asnjë emër të vetëm ( se gjendet para pamundësisë), apo për tradhti imagjinare të 20 mijë komisionerëve të tij, (gjithmonë pa nxjerrë asnjë emër), shteti ligjor të akuzuarit e njerëzve të Ramës i nxjerr në shesh të mejdanit të akuzuarit e njerëzve të Ramës, me emër e me mbiemër!


Edi Rama është hileqar dhe komunist safí si babai i tij shpirtëror, Enver Hoxha.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›