Gara koncesionare, leva e Arkimedit për kthimin e Shqipërisë në superfuqi energjetike në rajon
Kryeministri Berisha vijoi edhe dje turin e inaugurimeve në Jug, përuron në Lukovë HEC-in “Sasaj”
Kreu i ekzekutivit theksoi dje nga Saranda se po shkohet drejt realizimit të projektit Shqipëria superfuqi energjetike në rajon, pasi me hyrjen në treg të kaskadës së Vjosës
dhe ndërtimi në total i 443 hidrocentraleve, japin së bashku mbi 20 miliardë kv/orë energji. Me këtë larmi projektesh në HEC-e, Shqipëria shndërrohet në një vend
eksportues të energjisë më të çmuar, energjisë jeshile në rajon
“Komentet ndaj koncesioneve janë kryekëput keqdashëse, janë zili meskine, të cilat rrjedhin dhe frymëzohen nga interesat politike tepër të ngushta, apo interesa biznesi”
Kryeministri Sali Berisha vijoi edhe
dje turin e përurimeve të veprave publike
në jug të vendit. Pas Vlorës ku përuroi
përfundimin e punimeve në tunelin
e “Ujit të Ftohtë”, kreu i qeverisë u ndal
në fshatin Lukovë të Sarandës, ku mori
pjesë në inaugurimin e përfundimit të
punimeve për ndërtimin e Hidrocentralit
“Sasaj”. Ky projekt u realizua me
një investim prej 8.5 milionë Euro nga
shoqëria koncesionare “Energo-SAS”
sh.p.k, si dhe me mbështetjen financiare
të Raiffeisen Bank. Hidrocentrali
“Sasaj” ka një fuqi të instaluar prej 8.6
MË, e cila realizohet nëpërmjet dy agregateve
Pelton vertikal. Prodhimi mesatar
vjetor i energjisë, parashikohet
35 milion kWh.
Hidrocentrali është i lidhur me
sistemin e transmetimit nëpërmjet Linjës
35 Kv, Sasaj-Sarandë.
Kryeministri vlerësoi se gara e koncesioneve
ka qenë dhe mbetet një nga
faqet më të ndritura në historinë e
tregut shqiptar, Leva e Arkimedit për të
ecur me shpejtësinë më të madh në
synimin e shndërrimit të Shqipërisë në
një superfuqi energjetike rajonale.
“Qeveria ka firmosur me sektorin privat
104 kontrata për ndërtimin e 327
hidrocentraleve”, tha Berisha, ndërsa i
ka cilësuar keqdashëse, ziliqare dhe
meskine që frymëzohen nga interesa
politike, ose interesa të bizneseve të
ngushta, komentet që shoqëruan
garën koncesionare. “Sot ne inaugurojmë
këtu së bashku një vepër energjetike,
me një kapacitet prej 8.6 MË
dhe një investim prej rreth 9 milionë
dollarë. Vepra është një investim tërësisht
privat, një punë e shkëlqyer e gjithanshme,
një presistim i madh i kompanisë
që e ndërtoi, një dialog konstant
dhe mirëkuptues me komunitetin
lokal. Ky hidrocentral vjen sot si një
kontribut madhor në furnizimin me
energji të zonës më turistike të vendit,
siç është bregu jonian. Ky hidrocentral
do të përmirësojë me rreth 25 për qind
parametrat e furnizimit me energji të
kësaj zone, të një rëndësie kryesor në
fushën e turizmit. Ndaj unë dua të
falënderoj me mirënjohje ndërtuesit,
aksionerët e kësaj vepre, për këtë kontribut
të madh që japin për kushte më
të mira të turizmit në tërë zonën e
bregut, kontributin e tyre në energjetikën
shqiptare. Shqipëria, për fatin e
saj të keq, renditej 20 vite më parë si
vendi i dytë më i varfër i planetit, pas
Angolës, sipas statistikave botërore.
Por Shqipëria sot është tjetër. Cilido
që e shëtit këtë vend, që e njeh këtë
vend, konstaton se ka pasuri realisht
përrallore dhe është shumë e vështirë
të gjesh një vend tjetër me pasuritë e
Shqipërisë. Shqipëria ka potenciale të
jashtëzakonshme turistike, ka male që
fshehin në vetvete rezerva botërore
kromi, nikel, hekuri e së fundi, platini e
floriri. Ajo ka fushat e naftës ndër më të
mëdhatë në Evropë. Por unë sërish
mbetem i bindjes dhe mendimit se,
pasuria e të gjitha pasurive në këtë
vend, pas njerëzve, qytetarëve të saj,
janë ujërat e Shqipërisë, të cilat vërshojnë
në të katër anët e saj, nën tokë
e mbi tokë, ujëra të cilat u japin mundësi
shqiptarëve, me një shfrytëzim racional,
të shndërrohen në një superfuqi
energjetike të energjisë së rinovueshme
ne rajon, ujëra të cilat u japin
mundësi shqiptarëve të ndërtojnë
sistemet vaditëse më moderne dhe
më të mira, ujëra të cilat u japin mundësi
shqiptarëve të eksportojnë sasi kolosale
drejt zonave ku ujërat mungojnë,
apo plotësohen duke shkripëzuar detin.
I bazuar në këtë bindje, qeveria, në
vitin 2007, ndërmori me një ligj të ri
garën e koncesioneve për ndërtimin e
hidrocentraleve, në mënyrë që ujërat
tona të mos derdhen të fjetura në det,
pa vlerë,. Mund t’u them se rezultatet e
kësaj gare janë të jashtëzakonshme,
janë të pa krahasueshme me asnjë
vend tjetër. Komentet ndaj koncesioneve
janë kryekëput keqdashëse, janë
zili meskine, të cilat rrjedhin dhe frymëzohen
nga interesat politike tepër të
ngushta, apo interesa biznesi. Unë ju
garantoj se gara e koncesioneve ka
qenë dhe mbetet një nga faqet më të
ndritura në historinë e tregut shqiptar,
se gara e koncesioneve ka qenë dhe
mbetet Leva e Arkimedit, për të ecur
me shpejtësinë më të madh në synimin
tonë të shndërrimit të Shqipërisë
në një superfuqi energjetike rajonale
në prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Kjo është njëra anë e platformës
sonë, të cilën kundërshtarët
tanë, kur ne e shpallëm, e përqeshën.
U deklaruam në vitin 2005 se do të dy
dhe trefishojmë turizmit, por të paktë
ishin ata që besuan këtë premtim. Por
ku është turizmi sot? Ai është mbi-dhjetëfishuar.
Unë ju them se jemi vetëm
në hapat e para, sepse vetëm Bregu,
nga Ksamili në Llogora, ka potencial
për të marrë në vitet që vijnë të gjithë
turistët që ka marrë Shqipëria e tërë
gjatë vitit të shkuar, Shqipëria ka në rajon
potencialin më të madh, sepse
Shqipëria ka edhe bazën e fuqishme
për t’i dhënë turizmit mbështetjen më
të fuqishme, kushtet më të shkëlqyera,
me prodhimet e saj të mrekullueshme,
me mikpritjen e qytetarëve shqiptarë,
me brigjet e mahnitshme, me malet e
virgjër, me ushqimin e mrekullueshëm,
me pasuritë e mëdha kulturore”, u
shpreh Berisha.
Ndërkaq Kryeministri kujtoi se deri
më sot janë ndërtuar 47 hidrocentrale,
ndërkohë që janë në proces 100 të
tjerë.
Kreu i qeverisë, bëri të ditur se së
shpejti do të hyjë në treg edhe kaskada
e Vjosës.
“Dua t’ju informoj ju dhe të gjithë
qytetarët se, në një hark të shkurtër
kohor, qeveria ka firmosur me sektorin
privat 104 kontrata, se qeveria ka firmosur
me sektorin privat në këto 104
kontrata, ndërtimin e 327 hidrocentraleve.
Dje, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar
të Territorit, miratuam ndërtimin
e një kaskade, të cilën, përveç banorëve
që rrethojnë përreth, ju garantoj se zyrtarët
që e kanë vizituar numërohen me
gishta, kaskada e Okshtunit. Kompania
që ka fituar tenderin do të ndërtojë
këtu 13 hidrocentrale. Nuk ishin të
mëdha, por së bashku përbënin më
shumë se 2 Bistricat të marra bashkë.
Miratuam një tjetër hidrocentral që
ndërtohej në lartësinë mbi 1500 në komunën
e Martaneshit. Dy javë më parë,
pyeta ministrin Naço se si po ecën tenderi
për kaskadën e Osumit dhe ai më
informoi se, një kompani ka sjellë një
ofertë për ndërtimin e një seri hidrocentralesh,
me kapacitet 3 herë më të
madhe se ajo që mendohet, rreth 150
MW. Deri më sot, janë ndërtuar ose
rindërtuar 46 hidrocentrale, me një
kapacitet prej rreth 83 MW. Janë në
ndërtim e sipër, në fillim të punimeve,
apo punime të avancuara, 100 të tjera.
Në total, këto përbëjnë një investim
prej 2.5 miliardë euro, përbëjnë një
prodhim prej 1400 MW, kundrejt 1200
MW që është sot kapaciteti i instaluar i
riprodhimit të energjisë në vend. Pra,
siç e shihni, kjo garë po ecën me shpejtësi
të madhe. Së shpejti në treg do të
jetë kaskada e Vjosës, më e bukura,
më e fuqishmja, që pret për t’u ndërtuar.
Por ka edhe kaskada dhe degëza
të tjera të lumenjve të Shqipërisë. Në
total, janë për t’u ndërtuar 443 hidrocentrale,
të cilat do të japin së bashku
mbi 20 miliardë kv/orë energji dhe do
ta bëjnë Shqipërinë një vend eksportues
të energjisë më të çmuar, energjisë
jeshile në rajon”, theksoi
kryeministri Berisha.
Hidrocentrali Sasaj shfrytëzon
ujërat e burimeve të Tatzatit dhe të lumit
Kalasës dhe është një vepër hidrike
e realizuar në zbatim të programit
të qeverisë shqiptare, për shfrytëzimin
e rezervave hidroenergjetike të vendit,
me një impakt pozitiv, të drejtpërdrejtë,
veçanërisht në zonën e Bregdetit.
Hidrocentrali Sasaj është ndërtuar
me koncesion, sipas Marrëveshjes
Koncesionare midis shoqërisë “Wonder”
sh.a dhe qeverisë shqiptare. Impaktet
e këtij hidrocentrali janë pozitive
veçanërisht në Zonën e Bregdetit, të
cilat pritet të sjellin furnizim më të mirë
me energji elektrike, punësim dhe
ç’është më e rëndësishmja ndërtimi i
tij është konform standardeve evropiane
mjedisore.
Vepra është projektuar nga specialistë
të huaj dhe shqiptarë.
Të pranishëm në këtë inaugurim
ishin ministri i Ekonomisë, Tregtisë
dhe Energjetikës Nasip Naço, deputetë
të kësaj zone, drejtues dhe përfaqësues
të shoqërisë ndërtuese, aksionerë
të kësaj vepre, përfaqësues
të pushtetit vendor, etj.
Impaktet e këtij hidrocentrali në Zonën e Bregdetit
· Përmirëson në mënyrë rrënjësore, në sasi dhe cilësi, furnizimin me energji elektrike të aksit bregdetar
turistik jugor.
· Krijoi mundësinë e punësimit për mbi 130 punonjës gjatë ndërtimit dhe aktualisht punojnë 28 të tjerë për
menaxhimin e HEC-it.
· Respekton standardet evropiane mjedisore dhe kërkesat turistike të zonës, duke u integruar me masivet e
bregdetit, në mënyrë që të ruajë këto vlera turistike.