E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni në IQT, dëshmi të reja

Fakte interesante dalin nga dëshmitë e inspektorëve të IQT të arrestuar ditën e djeshme. Ata kanë deklaruar para prokurorit të cështjes se paratë që merrnin nga biznesmenët e gazit e të naftës nuk ishin të tyre, por se ata shkonin për llogari të eprorëve. Kjo është një akuzë direkte për kreun e Inspektoriatit Qëndror Teknik Virgjil Joti edhe ky i arrestuar tashmë.

Burime nga prokuroria e Tiranës thanë se priten të tjera dëshmi interesante ndërkohë që kreu i inspektoriatit Joti deri në mesditë nuk ishte marrë në pyetje. Me deklaratën- dëshmi interesante lihet të kuptohet se në këtë cështje korrupsioni mund të jenë të përzier edhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Ndërkohë Prokuroria e kryeqytetit ka njoftuar se është në pritje edhe të denoncimeve dhe dëshmive të tjera nga operatorë të importit të karburanteve të cilëve u është kërkuar ryshfet në vlerën 20 mijë dollarë në këmbim të kalimit të cdo anije.

Të arrestuarit e djeshëm janë kapur në flagrancë duke numëruar 17 mijë euro, vlera ekuivalente e 20 mijë dollarëve. Ka qenë një sipërmarrës i gazit që ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë i cili ka filmuar me një kamera të gjithë procesin e këmbimit të parave.

Ndërkohë që sipas burimeve të prokurorisë përgjimet e telefonatave kishin filluar muaj më parë, kur edhe janë depozituar ankesat nga importuesit e gazit e të naftës.

Finalizimi i aksionit pritët të vendosë rregull në tregun e karburanteve i cili prej kohësh ka qenë pre e abuzimeve me cilësinë, abuzim ky që sic u vërtetua bëhej me bekimin e drejtuesve të Inspektoriatit Qëndror Teknik.

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›