E Martë, 3 Nëntor 2026

Korrupsioni në Policinë e Shtetit/ Balla: Vëmendje dhe zgjidhje çdo ankese të adresuar nga qytetarët

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka siguruar se çdo ankesë apo denoncim i qytetarëve në Policinë e Shtetit ndiqet me vëmëndje deri në zgjidhje.

Përmes një postimi në Facebook, Balla vlerëson bashkëpunimin me qytetarët ndërsa shkruan se “veshi i shurdhër dhe syri qorr i një polici, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit”.

“Të dashur qytetarë, nga çdo anë e Shqipërisë. Ju jeni jo vetëm arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, por jeni edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike e private.

“Veshi i shurdhër dhe syri qorr i një polici, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.

Prandaj çdo ankesë e juaja, çdo denoncim po ndiqet me shumë kujdes, sepse për mua secila prej tyre është një gur në murin e madh të besimit që duhet të ringrihet për Policinë e Shtetit.

Falenderoj dhjetëra qytetarë të cilët kanë raportuar plot raste apo paraqitur ankesa për veprime të dyshuara të paligjshme apo që bien ndesh me Kodin Etik në Policinë e Shtetit.

Në një kohë të shkurtër kemi, në bazë të këtyre raportimeve/ankesave, punonjës policie të arrestuar, sikurse kemi edhe të përjashtuar për shkelje të normave etike”, shkruan Balla.

Vetëm në dy javët e para të muajit Gusht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga pesë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se janë përfshirë në vepra të ndryshme penale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›