Tiranë/ I shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasje, arrestohet 28-vjeçari polak

Një 28-vjeçar polak, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar këtë të enjte (17 gusht) në Tiranë.
Policia bën me dije se i riu polak, Dominik Orlowski, u kap në një bar në kryeqytet.
Ai akuzohet për tentativë për vrasje të dyfishtë. Po ashtu, në Poloni ai është dënuar me 7 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike, sulm dhe shkatërrim prone.
Operacioni për arrestimin e tij erdhi si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre polake se në Tiranë fshihej një shtetas i rrezikshëm për komunitetin, me precedentë të theksuar kriminalë në shtetin polak.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Varshavën për ta ekstraduar 28-vjeçarin drejt Polonisë.
/rtsh.al/