E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni në përmasa shqetësuese

Kosova ka hyrë në vitin 2011 me nivel të lartë korrupsioni, thonë përfaqësues të Agjencisë Anti-Korrupsion (AKK). Drejtori i këtij organi, Hasan Preteni, thotë se asnjë nga institucionet kosovare nuk i ka shpëtuar përfshirjes në vepra korruptive. Ai nuk shprehet i kënaqur me rezultatet e luftës kundër korrupsionit.
“Korrupsioni në Kosovë është ende i pranishëm në masë shqetësuese. Qytetari i Kosovës ka pritur më shumë punë në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2010. Kemi menduar se institucionet, që kanë për qëllim luftimin e kësaj dukurie, do të punojnë më shumë. Ishin disa premtime, disa angazhime, por në fund doli se vërtet nuk mund të mburremi me rezultatet e arritura për vitin që kemi lënë pas”, ka thënë Preteni .Në vitin 2010 sektori më i korruptuar raportohet të ketë qenë ai i partive politike, për t`u pasuar nga sektori i gjyqësorit. Preteni kritikon sistemin e drejtësisë për mosshqyrtimin e lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin.
Drejtuesi i Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, Avni Zogiani thotë se, përkundër deklaratave në favor të luftës kundër korrupsionit, në praktikë nuk është shënuar asnjë rezultat. “Realiteti ka qenë i kundërt me premtimet, me gjithë retorikën me të cilën qeveria që e kishim në mandat, kishte ardhur në pushtet. Institucionet e Kosovës për këtë periudhë kohore, në vend që të forcoheshin, janë dobësuar shumë”.
Zogiani kritikon institucionet se kanë ndërhyrë në sistemin e drejtësisë. “Një ndikim i madh i politikës në institucionet e pavarura dhe në gjyqësor. Të gjitha raportet kanë treguar se fusha anti-korrupsion është përkeqësuar në Kosovë”, thotë ai.
Një numër të konsiderueshëm lëndësh që kanë të bëjnë me korrupsionin kanë pasur edhe prokurorët e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, ka thënë se që nga fillimi i punës së EULEX-it në Kosovë, janë marrë rreth 160 vendime, nga të cilat 13 janë vendime për korrupsion dhe katër për krim të organizuar. “Sa i përket numrit të lëndëve të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, prokurorët e EULEX-it janë marrë me më se 55 raste të krimit të organizuar dhe 91 raste të korrupsionit. Deri më tani prokurorët e EULEX-it kanë ngritur 58 aktakuza".
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›