E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takon Jeremic: E ardhmja e Kosovës evropiane



E ardhmja e Kosovës është evropiane dhe këtë gjë Serbia duhet ta kete të qartë njëherë e mirë. Ndaj dhe Beogradi sinjalizon një frymë të re bashkëpunimi me Tiranën zyrtare, si dy vende që aspirojnë për hyrjen me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, madje, të gatshme për të shkëmbyer vizita në nivel ministrash dhe për të firmosur marrëveshje dypalëshe në interes të të dyja vendeve. Por, Shqipëria ka një pikësynim të qartë se pavarësisht qëndrimeve të ndryshme mes palëve, e ardhmja e Kosovës është një e ardhme evropiane, njësoj si për të gjithë rajonin. Gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të Vishegradit në Budapest dedikuar Ballkanit Perëndimor, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, zhvilloi dje një takim dhe një konferencë për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, z. Vuk Jeremic, me kërkesën e këtij të fundit. Z. Meta dhe z. Jeremic ranë dakord për avancimin dhe konkretizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë dhe si dhe në procesin e integrimit evropian. Ministri Jeremic ftoi ministrin Meta për një vizitë zyrtare në Beograd, e cila u pranua me kënaqësi nga z. Meta. Z. Meta dhe Z. Jeremic ranë dakord për të plotësuar sa më shpejt kuadrin ligjor të marrëdhënieve dypalëshe si një domosdoshmëri për të zgjeruar më tej bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe në drejtime të tjera. Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Serbisë u vlerësua nga dy homologët si i një rëndësie të veçantë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Lidhur me çështjen e Kosovës, z. Meta u shpreh se pavarësisht qëndrimeve të ndryshme të të dyja vendeve për këtë çështje, e ardhmja e Kosovës është një e ardhme e sigurt evropiane si për të gjithë rajonin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›