E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni nuk eshte loje

Sot bëjmë publik gjetjet e sondazhit të financuar nga USAID dhe të kryer nga institucioni IDRA në Shqipëri. Sondazhi paraqet gjetjet si perceptimin dhe përvojën shqiptare të qytetarëve shqiptarë në lidhje me korrupsionin. Lajmet nuk janë të mira.

Sipas sondazhit, 92% e qytetarëve shqiptarë mendojnë se korrupsioni është i përhapur gjithandej. Kjo shifër paraqet një rënie me 8 pika në krahasim me sondazhin e mëparshëm.

Sondazhi nuk paraqet ndonjë përmirësim në lidhje me treguesit për rryshfetet, madje paraqet përkeqësim të tyre.

Rreth 72% e atyre që u pyetën kanë thënë se kanë paguar ryshfet në mjekësi, ndërsa rreth 60% nuk kanë besim në sistemin gjyqësor.

Nga qytetarët e pyetur rezultati del se në një raport 3 me 1 shqiptarët nuk mendojnë se gjyqtarët janë të paanshëm në dhënien e një vendimi.

Këto shifra tregojnë se Shqipëria ka një problem të madh me korrupsionin.

Korrupsioni ka ndikim mbi të gjithë aspektet e jetës në Shqipëri, ndikon në investimet e huaja, në zhvillimin ekonomik dhe në çdo fushë tjetër.

Unë do t’ju flas pak se si korrupsioni ndikon mbi njerëzit e thjeshtë, duke lënë mënjanë shifrat. Në bisedimet e mia me shqiptarët, jo vetëm në Tiranë por në gjithë vendin të gjithë kanë pasur nga një histori korrupsioni për të ndarë me mua. Pak prej tyre më lejoni tua paraqes.

Një histori është se si fëmijët e klasës së parë që janë duke mësuar abetaren dëgjojnë kur mësuesit u thonë një ditë para shtatë marsit këto fjalë: Thojuni prindërve që nesër nuk dua lule. Mendoni çfarë lloj mësimi është ky për një fëmijë 7-vjeçar, çfarë modeli i paraqitet atij për jetën që ka përpara.

Shumë njerëz më kanë treguar që mjekët as nuk marrin mundimin të shqyrtojnë kartelat e pacientëve apo nuk regjistrojnë asgjë për sëmundjen e tyre.

Këta mjekë që nuk bëjnë pyetje për shëndetin e pacientit bëjnë pyetje për të ardhurat e pacientit. Dhe në qoftë se përgjigjet i tregojnë mjekut se ai nuk ka shumë të ardhura pacienti nuk merr asnjë shërbim.

Nga ana tjetër në qoftë se pacienti i thotë mjekut se është mirë me të ardhura ajo që e vret mendjen mjeku është se sa do t’ja vërë pagesën që do ti kërkojë.

Shumë njerëz më kanë treguar se sa të vështirë e kanë për të marrë një dokumentacion bazë si p.sh, certifikatë apo patentë automjeti.

Shumë prej tyre  më kanë treguar se ose do të detyrohen të presin me ditë të tëra në radhë  ti marrin këto dokumente ose do të pranojnë të paguajnë ryshfet, dhe në këto raste shumë shpejt e gjejnë veten në fillim të radhës.

Ka njerëz që thonë se policia i bie daulleve me krenari për arrestimin e ndonjë zyrtari të korruptuar, por me kalimin e muajve njerëzit mësojnë se ose akuzat janë pakësuar, ose çështja është mbyllur dhe në fund askush nuk dënohet.

Korrupsioni nuk është një problem vetëm i Shqipërisë por ekziston kudo. Ka korrupsion edhe në SHBA dhe ju mund të shikoni raporte të këtij korrupsioni. Në çfarëdo gazete të SHBA-së ka raporte mbi raste të korrupsionit të zyrtarëve publikë.  Por elementi kryesor në këtë histori nuk është fakti se korrupsioni ekziston, por si reagojmë ne ndaj këtij fenomeni.

Një gjë që unë e gjej shqetësuese kur flas me miqtë e mi shqiptarë është se si do ta luftojmë korrupsioni. Pasi mi tregojnë historitë i pyes se çfarë duhet bërë dhe përgjigja është ose ngritje supesh ose përgjigje si : Zoti ambasador nuk jemi në Amerikë ketu jemi në Shqipëri.

Unë nuk e pranoj këtë. Shqiptarët e vlerësojnë ndershmërinë më shumë se popujt e tjerë që unë njoh. Shqiptarët e urrejnë korrupsionin dhe trishtohen kur një grup i vogël prish të tërë sistemin.

Unë nuk e pranoj që korrupsioni është pasojë e kulturës shqiptare, pasi nuk është kështu. Kushdo që njeh shqiptarët e di se korrupsioni përbën një shkelje të vlerave dhe standardeve më të larta të moralit.

Sipas kulturës shqiptare ndershmëria dhe integriteti zënë vendin e parë në listën e vlerave. Për shqiptarët një fjalë e dhënë është një fjalë që mbahet.

Vij tani te pjesa se çfarë duhet bërë:

E para kur flitet për luftën kundër korrupsionit duhet patur parasysh përgjegjësia e nivelit të lartë. Elita politike duhet të marrë flamurin e luftës faktike kundër korrupsionit dhe jo nëpërmjet fjalimeve. Kur them elita politike nuk e kam fjalën vetëm për qeverinë, për opozitën por për të gjithë.

Kjo do të thotë se udhëheqësit politikë duhet të ekspozojnë dhe të dënojnë akte të korrupsionit edhe kur këto kryhen nga kolegët e tyre.

Nuk duhet të përdorin ndikimin e tyre për të ndihmuar miqtë apo të afërmit dhe as të përdorin fuqinë e tyre për të ndryshuar një vendim gjyqësor. Elita politike duhet të tregojë shembullin e saj.

Një mënyrë se si elita ta japë shembullin është duke ndryshuar ligjin mbi imunitetin duke treguar se çdo politikan mban përgjegjësi para gjykatës si çdo qytetar i thjeshtë.

Askush nuk duhet të ketë imunitet për tu ndjekur dhe për tu proceduar nga sistemi i drejtësisë për akte që janë në kundërshtim me ligjin.

Elita politike duhet ti fuqizojë institucionet shqiptare që kërkojnë të bëjnë drejtësinë. Duhet të fuqizojë prokurorët që vihen në ndjekje të kriminelëve. Cilido që është i dyshuar do të mbajë përgjegjësi si çdo qytetar tjetër pavarësisht nga pasuria, apo lidhjet politike që ai ka.

Më lejoni të them një shembull për të ilustruar atë që thashë. Ishte një kënaqësi që raporti vjetor për të drejtat e njeriut në vitin 2007 nuk përfshinte asnjë rast dhune kundër gazetarëve.

Megjithatë një ditë para se ky raport vjetor të bëhej publik një anëtar i parlamentit Tom Doshi goditi dhe rrahu një gazetar pasi bëri pyetje që nuk i pëlqeu atij.

Me këtë rast të dhunës ndaj gazetarëve, në raporti e ardhshëm për të drejtat e njeriut Shqipërisa nuk mund të marrë një notë kaluese.

Është premtuar një hetim i këtij incidenti por nuk kam dëgjuar asgjë tjetër lidhur me këtë çështje. Unë nuk mund të them dhe gjykoj nëse Doshi ishte fajtor apo jo në atë që bëri, por pyetja që kam është nëse do të dëgjohen njësoj të dyja palët.

Çfarë është media duke bërë për këtë rast. Është detyrë e medias që të ndjekë rastet kur në shënjestër janë kolegët e tyre.

Mesa mbaj mend asnjë gazetë nuk e përmendi incidentin për ditë të tëra pasi kish ndodhur dhe pyetja që kam është çfarë bëjnë mediat dhe a nuk është detyra e tyre ta bëjnë këtë denoncim.

Publiku të denoncojë rastet e korrupsionit

Tema e dytë që do të doja të diskutoja është ajo që e quaj përgjegjësi publike. Ku janë qytetarët që ndjekin rastet që denoncojnë dhe bëjnë publike rastet e korrupsionit? Secili njeri duhet të bëjë punën e vet në luftën kundër korrupsionit.

Në qoftë se nuk ndodh asgjë ndaj mjekut që merr ryshfet rezultati është që emri i të gjithë mjekëve që shpëtojnë çdo ditë jetë njerëzish, do të njolloset. Po kështu njolloset emri i të gjithë gjyqtarëve nëse nuk merret asnjë masë ndaj një gjyqtari që ka në pronësi një Tuareg 30 mijë euro.

Dhe nëse nuk i ndodh asgjë atij oficeri të policisë që njofton kriminelin para një operacioni atëherë sistemi i policisë është i njollosur dhe i dobësuar.

Po kështu ndodh edhe me administratën publike kur një prej tyre një ditë të bukur gdhihet i pasur. Nuk besoj në përgjigjen se nuk mund ti bësh asgjë korrupsionit.

Mua nuk mund të më bindë askush që ata që quhen të fortë në këtë vend janë më të fortë se mijëra prindër që duan një arsim më të mirë për fëmijët e tyre apo se gjithë të rinjtë që kanë zgjedhur të jetojnë jetën e tyre këtu.

Nëse secili denoncon atëherë korrupsioni do të reduktohet.

Dëgjova historinë e një drejtori spitali në veri të Shqipërisë të cilit ju tha, se vartësit e tij infermierët i kërkonin para njerëzve edhe për tu treguar zyrat e mjekut.

Drejtoresha vendosi shenja drejtuese për zyrat e të gjithë mjekëve dhe ky fenomen u reduktua.

Dëgjova edhe për një agjenci të caktuar e cila ka përgjegjësi të lëshojë dokumente që  e zgjidhi çështjen  e radhëve duke vendosur një sistem takimesh. Çdo qytetar paraqitej në një orë të caktuar, merrte dokumentin dhe largohej pa paguar ndonjë ryshfet.

Më lejoni të përmend shprehjen e një shqiptari të mirënjohur At Andon Harapi para ekzekutimit në 1947. Ai tha “A e dini se themelet e ndërtesës janë nën dhe. Edhe nëse jemi të vdekur ne duhet të jemi themelet e asaj ndërtese që e quajmë Shqipëri”.

Zonja dhe zotërinj korrupsioni nuk është lojë por një luftë. Këto fjalë që i thashë këtu i thashë sepse e di që kjo luftë mund të fitohet dhe Shqiptarët do ta bëjnë këtë. *Fjala e ambasadorit amerikan ne prezantimin sot te sondazhit mbi korrupsionin prezantuar nga IDRA (shih lajmin ne shekulli.com.al)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›