E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama e Meta: Berisha të shkarkojë Sefgjinin

“Mbrojtja që i bëhet Arben Sefgjinit nga kryeministri Berisha është dyshuese dhe rast i degradimit të qeverisë” u shpreh në prononcimin e tij për mediat, kreu i selisë rozë, Edi Rama. “Berisha mbron publikisht të arrestuarin për një krim të rëndë duke u bërë mburojë e tij” – tha Rama. Sipas tij qëndrimi i Berishës në këtë rast është i pashpjegueshëm. “Kapja pas historisë së errët për mos dënimin e këtij zotërie është alibi e Berishës. Ai shprehet se vetëm gjykata mund ta shkarkojë a thua se Sefgjini u emërua në krye të tatimeve nga gjykata”- tha Rama. Është abuzim i Berishës me mandatin kryeministror duke u bërë publikisht mbrojë e një të arrestuari. “Kemi të bëjmë me një shembull rrënqethës të degradimit dhe kthimit të punës së shtetit në një allyshverishte, të maskaradës së premtimeve për duar të pastra. Detyra dhe funksioni politik i kryeministrit është të jetë në anën e atyre që luftojnë krimin dhe jo në anën e tyre. I bëjë thirrje kryeministitrit të kryejë aktin formal të shkarkimit të Sefgjinit dhe të heqë dorë nga implikimi në vrasjen e të ndjerit Remzi Hoxha. Shqipëria e cila shumë shpejt kërkon të futet në NATO nuk mund të pajtohet duke mbajtur në krye të tatimeve një person të akuzuar për vrasje të organizuar” – përfundoi Rama.

Meta: Berisha sfidon gjykatat duke mos shkarkuar një të pandehur për vrasje

“Qytetari Sali Berisha në vend që të ishte sot i pandehur i prokurorisë dhe përpara gjykatës për tu përgjigjur për Gërdecin, përkundrazi kërcënon dhe sfidon gjykatat e vendit duke mos shkarkuar një drejtor të besuar të tij të pandehur që akuzohet për vrasje si Arben Sefgjini” – u shpreh Meta.  “Ai ka paralajmëruar për ndëshkime gjykatën kushtetuese për qëndrimin e saj plotësisht të drejtë kundër gjyqit të biznesit, ligj që mori kritika të drejtpërdrejta edhe në raportin e fundit të Këshillit Europian për Shqipërinë” – tha Meta.

Arsyet e Berishës për mos shkarkimin e Sefgjinit

Jo më larg se dje kryeministri Sali Berisha është shprehur se: “ nuk mund ta pezulloj nga detyra kreun e tatimeve, Arben Sefgjini, për sa kohë nuk është marrë një vendim gjykate”

“Ky zotëri ka qëndruar në arrest për shumë muaj dhe ka marrë qindarkë për qindarkë dëmin e shkaktuar, pasi provat nuk kanë vërtetuar akuzën ndaj tij. Ai ka marrë dëmshpërblim për çdo orë dhe ditë dhe nuk dua të bëhet i njëjti gabim, pasi dëmi që i shkaktohet buxhetit të shtetit në raste të tilla është shumë i madh. Le të presim vendimin e gjykatës ndaj tij.” – tha Berisha.

Akuza ndaj Sefgjinit

Arben Sefgjini, ish- drejtor i drejtorisë së Shërbimit Informativ Kombëtar të Tiranës, Avni Koldashi, ish-shefi i Bazës së Vezhgimit për Drejtorinë e Sherbimit Informativ Kombëtar për Tiranën dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në drejtorinë e Shërbimit Informativ Kombëtar akuzohen se në vitin 1995 kanë rrëmbyer dhe më pas torturuar biznesmenin Remzi Hoxha. Gjatë dëshmive të tyre në organin e akuzës, Sefgjini dhe Meçe e kanë mohuar akuzën, ndërsa Avni Koldashi ka pranuar se e ka shoqëruar Hoxhën në godinën e SHIK-ut, pas një urdhri të eprorëve të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›