E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet familja me SIDA, konfliktohen me mjekët

 

Mjekët e Pediatrisë në QSUT, zbulojnë 2-vjeçaren me virusin HIV. Prindërit e saj të infektuar nuk e besojnë dhe bëjnë analizat në Turqi

Nëse do ta dinin se ajo do të mbarte virusin vdekjeprurës, nuk do ta sillnin kurrë në jetë. Madje prindërit e saj nuk e kanë besuar se vajza e tyre ishte bartëse e virusit HIV dhe se shkaktarë të kësaj tragjedie, ishin pikërisht ata. Kështu dyshimi i mjekëve të Pediatrisë në QSUT për vogëlushen 2-vjeçare, për fat të keq, ka rezultuar i saktë dhe akoma më tragjike ka qenë fakti se ajo është infektuar në rrugë vertikale, çka do të thotë se ka lindur me këtë sëmundje dhe se edhe prindërit e saj, janë të infektuar me virusin HIV. Mjekët e Pediatrisë pohojnë për gazetën se si e zbuluan që vajza ishte bartëse e virusit HIV dhe konfliktin që patën me prindërit e saj, të cilët nuk e besuan tragjedinë, që tashmë u kishte zënë derën. Tashmë, nënë e bijë kanë filluar mjekimin dhe janë tepër korrekte në këshillat që u japin mjekët.

Infektimi

Problemet shëndetësore që ka shfaqur vogëlushja që kur ishte 6-muajshe i detyruan prindërit e saj ta dërgojnë në spital, por nuk ua ka marrë mendja kurrë se ajo është e infektuar me sëmundjen e shekullit. "Shenjat që kishte vogëlushja më lanë të dyshoja se përveç problemeve me mushkëritë, ajo ishte e infektuar edhe me virusin HIV, por kjo duhej të vërtetohej vetëm me anë të analizave",- pohon mjekja pediatre që kishte pritur pacienten. Në fakt, problemi sipas saj ishte ende më i ndërlikuar pasi prindërit e vogëlushes që janë rreth të 30-ve ishin shumë të vështirë në komunikim, ndaj dhe dyshimet e tyre nuk mund t'ua thoshin pa i vërtetuar. "Na u desh t'i merrnim gjak pacientes që krahas analizave për sëmundje të tjera, t'i bënim edhe testin e virusit HIV, dhe rezultati për fat të keq ishte tronditës",- shpjegon mjekja, duke shtuar se i kërkuan edhe çiftit të bënin analizat. Pas kësaj procedure, mjekët janë ndeshur me një reagim shumë impulsiv të prindërve pasi ata jo vetëm që nuk e kanë besuar këtë tragjedi, por kanë akuzuar mjekët si të paaftë. Të ndodhur përballë këtij presioni, mjekët theksojnë se janë munduar të bindin bashkëshortët që të realizojnë testin e virusit HIV dhe të vazhdojnë sa më shpejt mjekimin, pasi jeta e tyre dhe e vajzës ishte e rrezikuar. "Në fakt, ata nuk na besuan dhe analizat i bënë në Turqi. Atje morën të njëjtën përgjigje që u kishim dhënë ne dhe vetëm pas kësaj, pranuan të vazhdonin mjekimin dhe të pajtoheshin me fatin e keq që u kishte rënë mbi kokë",- pohojnë mjekët e Pediatrisë.

Mjekimi

Një mami e re në moshë dhe simpatike, që as nuk të jep përshtypjen e një personi që vuan nga një sëmundje e rëndë, shoqëron të bijën, që është rreth 2 vjeç e gjysmë, në Pediatrinë e QSUT-së për të marrë mjekimin. Vogëlushja duket e shëndetshme dhe tepër energjike tek luan në korridorin e spitalit, duke pritur të vijë radha e vizitës tek doktoresha që e ndjek për ta kuruar. "Doktoresha, mund të futem?",- thotë nëna e saj, pasi troket lehtë mbi derën e zyrës së mjekes që sapo ka përcjellë pacientët e saj të radhës. Më pas, mjekja na shpjegon se nëna e saj tashmë është tepër korrekte në mjekimin e së bijës dhe shqetësohet edhe kur atë e kap një temperaturë e lehtë. "Pozitiv është fakti se mjekimi i vogëlushes dhe i prindërve të saj në Spitalin Infektiv po bëhet në mënyrë korrekte. Kjo do të thotë se ata mund të jetojnë për disa vite, duke bërë edhe jetë normale",- pohon mjekja e Pediatrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›