KULTI I KARGOVE
Çka ndodhi me institucionet në Shqipëri pas vitit 1990 mund të lexohet edhe si importim masiv formash, ligjesh, procedurash dhe praktikash nga vendet perëndimore, në emër të vendosjes dhe të konsolidimit të "demokracisë". Mirëpo, në kulturë dhe në politikë importimi kërkon edhe përshtatje me realitetin e vendit pritës, ose "përkthim" ndërkulturor; përndryshe format e reja nuk do të pranohen nga shoqëria, madje edhe mund të flaken, njëlloj si organet e transplantuara. Rreziqet që kanë të bëjnë me importet institucionale dhe imitimin mekanik të modeleve njihen mirë; por dështimi i modernizimit politik në Shqipëri i detyrohet gjithashtu një lloj të menduari magjik nga klasat në pushtet, por edhe nga publiku, i cili mund të kundrohet si formë e të ashtuquajturit kult i kargove (angl.cargo cult).
Antropologët prej kohësh kanë vënë re se kur dy kultura, në shkallë të ndryshme zhvillimi, vijnë në kontakt me njëra-tjetrën, kontakti shoqërohet me pasoja veçanërisht traumatike për kulturën më pak të zhvilluar. Shembuj katastrofash nuk mungojnë, që nga pushtimi i Meksikës prej Cortez-it, e deri te shpërbërja dhe rrëgjimi i kulturave të indianëve vendas në Amerikën e Veriut, gjatë bashkëjetesës me kolonët prej Europe. Megjithatë, edhe kur katastrofat arrijnë të shmangen, pasojat shpesh nuk parashikohen dot, madje ndonjëherë të habitin, siç e provon historia e kontakteve të popullsive të ishujve të Melanezisë e të Mikronezisë me ushtritë japoneze e sidomos amerikane, gjatë Luftës II Botërore.
Ishujt në fjalë, shpërndarë si kokrra orizi në syprinë të Oqeanit Paqësor, gjenden përgjithësisht larg rrugëve tregtare dhe nuk kanë as pasuri natyrore të shënueshme, as popullsi të shumtë, as ekonomi të rëndësishme për t'u shfrytëzuar, prandaj edhe ishin lënë relativisht të qetë nga fuqitë koloniale të shek.XIX. Marrëdhëniet midis kulturave animiste të popullsive vendase dhe qytetërimit industrial, kufizoheshin në pak shkëmbime mallrash dhe vizita misionarësh të krishterë.
Lufta II Botërore, sidomos konflikti i SHBA me Japoninë, befas i shndërroi ishujt në pika me rëndësi strategjike, sidomos për strehimin e përkohshëm të forcave të armatosura dhe kontrollin e korridoreve detare në Paqësor. Amerikanët e shtuan praninë ushtarake në një numër të madh ishujsh, duke vënë në punë edhe banorët vendas për të ngritur fortifikime e ndërtuar aerodrome, ku do të uleshin pastaj avionët dingas me armatime dhe pajisje të ndryshme për ushtrinë: racione ushqimore, konserva, veshmbathje, çadra, barna dhe të mira të tjera materiale. Shumë nga këto mallra përfunduan në duar të vendasve, si dhurata ose shpërblim për punën e bërë.
Kulturat vendase nuk ishin në gjendje t'i jepnin shpjegim të arsyeshëm bollëkut material të papritur, as mund të kuptonin se nga e kishin prejardhjen këto produkte e as u besonin sqarimeve ofruar prej mysafirëve. Teksa fiset melaneziane e mikroneziane zunë të visheshin me uniforma të sjella nga SHBA, të mbathnin këpucë ushtarake amerikane dhe të hanin mish kutie SPAM prej racioneve të ushtrive aleate, kulturat përkatëse nisën të kultivojnë besimin se të gjitha këto produkte, në të vërtetë, ishin dhurata Perëndish të destinuara për vendasit, por të përvetësuara, me mënyra të ndryshme, nga të ardhurit.
Me përfundimin e Luftës II Botërore, amerikanët e reduktuan shumë praninë ushtarake në ishujt, çka u shoqërua edhe me ndërprerjen e furnizimeve ajrore me mallra të konsumit. Në pistat e aerodromeve ushtarake nuk po uleshin më avionët me kargot e çmueshme nga përtej detit. Vendasit, tashmë të mësuar me bollëkun e magjishëm, e përjetuan largimin amerikan si një lloj ndëshkimi, ose si pasojë të ndonjë gabimi që mund të ish bërë; ndonjëherë edhe si shenjë se të ardhurit kishin vendosur t'i mbanin kargot të gjitha për vete.
Në këto rrethana, kulturat pritëse reaguan në rrugë magjike: për t'i rikthyer avionët, kargot dhe mallrat amerikane të konsumit, filluan të rikrijojnë e të rindërtojnë, me zell të pashoq, ato objekte të cilat konsideroheshin si karakteristike për qytetërimin që sollën amerikanët. Zona të tëra në brendësi të ishujve u shpyllëzuan, për të ndërtuar pista për ulje avionësh; pranë këtyre pistave rudimentare u ngritën kasolle që u ngjanin ngrehinave të aeroporteve, së bashku me modele prej druri, në madhësi reale, të avionëve amerikanë. Gjetiu banorët u vunë të ndërtonin kulla vrojtimi dhe antena radioje përsëri prej druri, ose spitale, zyra me radio-telefonë prej kashte e të tjera struktura e pajisje e aparatura që u kishin parë amerikanëve t'i përdornin gjatë Luftës. Të tjerë ishullarë nisën të mbanin në kokë helmeta si ato të pilotëve amerikanë, të pajisura edhe me kufje të rënda, të cilat i sajonin me zhguaj arrash kokosi. Në disa ishuj, banorët visheshin me kostume të prera sipas uniformave ushtarake amerikane, së bashku me gradat përkatëse, flamurkat dhe shenjat e armëve; pastaj kryenin ritualisht stërvitje rreshtore me orë të tëra, duke përdorur shkopinj në vend të pushkëve. Ideja ishte se, duke përsëritur besnikërisht çfarë kishin bërë amerikanët, edhe vendasit do të arrinin të tërhiqnin drejt ishujve të tyre "kargot" me mallra.
Kulti i kargove mbetet i gjallë edhe sot e kësaj dite, i ndërthurur me kulte të tjera të vjetra e të reja, si pjesë e besimit dhe ritualeve fetare në ishujt e Paqësorit dhe i ushqyer nga shpresa se një ditë prej ditësh avionët me mallra do të ulen përsëri në pistat e braktisura në mes të oqeanit. Nga ana tjetër, antropologë dhe sociologë që i kushtuan vëmendje kësaj dukurie, vërejtën se ky kult, në forma të ndryshme më abstrakte, shfaqet edhe në shoqëritë moderne, sa herë që një kulturë pritëse nuk arrin të rrokë thelbin e suksesit të një kulture tjetër, të cilën dëshiron ta imitojë me çdo kusht; dhe nis të ngatërrojë kushtet e domosdoshme me kushtet e mjaftueshme për suksesin.
Natyrisht, hendeku midis kulturave industriale dhe kulturave vendase në ishujt e Paqësorit nuk mund të krahasohet me dallimet midis Perëndimit kapitalist dhe Lindjes komuniste; por historia njëlloj ka treguar se adoptimi mekanik i institucioneve, ligjeve, praktikave dhe mënyrave të prodhimit ka çuar rregullisht në përçudnime dhe ka dhënë rezultate të papritura. Kush i ka jetuar vitet 1980 në Shqipëri do ta mbajë mend si kultura qytetare e asaj kohe ishte hipnotizuar nga Perëndimi, prej nga i vinin kargot me mallra konsumi materiale dhe shpirtërore: veshjet, modat, muzika, letërsia, televizioni, kultura pop, bollëku, sensualizmi, arti. Kjo nuk ndodhte vetëm në Shqipëri, por në krejt Lindjen; vetëm se shqiptarët ishin më të izoluarit ndër popujt e Europës, ose melanezianët e mikronezianët e qytetërimit europian të Pasluftës.
Nëse ka një mësim që duhej të ishte nxjerrë këto vjet të etiketuara si "të tranzicionit" është se importimi i institucioneve në Shqipëri në përgjithësi ka dështuar; dhe ka dështuar kryesisht ngaqë shartimi është bërë keq, me ngutje dhe pa e përfillur shumë nevojën e pajtueshmërisë me traditat kulturore. Bie fjala, një parim themelor kushtetues në shumë demokraci perëndimore, si ndarja e pushteteve, u transplantua me një të rënë të lapsit, duke bërë ndryshimet përkatëse në legjislacion e pa i kushtuar vëmendje kulturës politike të nevojshme për ta realizuar këtë reformë kaq rrënjësore e thelbësore. Edhe privatizimi u mendua si shkop magjik për t'i kthyer humbjet në fitime, por ashtu siç u krye, shkaktoi probleme të mëdha ekonomike, shoqërore dhe juridike, pa përmendur shkatërrimet e pashembullta të pasurisë dhe të pronës publike. Sot e kësaj dite, Shqipëria që kërkon të anëtarësohet në NATO e në Bashkimin Europian, nuk është në gjendje t'u sigurojë qytetarëve të vet dritë, ujë, mjedis të pastër e shërbime publike të transportit, arsimit e të shëndetësisë; në një kohë që popullsia mbetet e paregjistruar, banorët nuk kanë dokumente të përshtatshme identiteti, as adresa të mirëfillta. Në këto rrethana, shumë nga përpjekjet e bëra për t'iu afruar Europës, herë të sinqerta e herë me dinakëri, vijnë e u ngjajnë aeroporteve në mes të xhunglës dhe avionëve prej kashte që ndërtonin melanezianët e Guinesë së Re, për të ndjellë "kargot".
Kapitalizmi, demokracia, parlamentarizmi, të drejtat e njeriut, tregu i lirë e të tjera fjalë të mëdha kërkojnë një vetëdije shoqërore të caktuar, pa të cilën nuk e bëjnë dot kalimin nga fjalët te sendet. Nëse kushtetuta mund të përkthehet fjalë për fjalë nga kushtetuta e një vendi të zhvilluar demokratik, të tjera kushte të nevojshme për të pasur një kulturë demokratike - të tilla si besimi i ndërsjellë midis qytetarëve; bindja në paanshmërinë e ligjit; vullneti për pjesëmarrje aktive në proceset demokratike; gatishmëria për shërbim publik - nuk mund të kopjohen, as të përkthehen nga kultura të tjera, as t'u tregohen "të huajve" si shenja e prova të modernizimit. Edhe risi të tjera në jetën shqiptare, si universitetet private, OJQ-të, krediti bankar, bastet dhe lojërat e fatit, sigurimet private, njohja e të drejtave për pakicat etnike dhe kulturore, kthimi i pronave pronarëve "të ligjshëm", manovrimet me çmimin e tokës, zhvendosja e lirë e popullsisë drejt zonës bregdetare, e kështu me radhë, kanë dështuar sa herë që kanë shpresuar se do të mund të kishin sukses vetëm e vetëm duke ndjekur me besnikëri modele të huazuara.
Ndoshta në rrethanat e posaçme të Shqipërisë ky kult kargosh ndaj Perëndimit nuk mund të shmangej; por tashmë kanë kaluar aq vjet e janë koleksionuar aq dështime, ndonjëherë të rënda e të turpshme, që të na bindin se rruga drejt përparimit kalon nëpërmjet restaurimit të etikës qytetare, jo bombastikës së reformave të imponuara; dhe se modernizimin duhet ta kultivojmë si bimën në arë, jo të presim të na e hedhin nga qielli me parashutë. Përndryshe vetëm vëmendjen e antropologëve të botës mbarë do të kemi të garantuar.