Korrupsioni,OSBE:Pengesë imuniteti i zyrtarëve

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth
TIRANË- Diskutimi për korrupsionit, shkaqet dhe lufta që duhet bërë kundër tij ka mbledhur sot bashkë në një takim prezencën e OSBE-së në Tiranë, ILDKP dhe studentët e Juridikut. Gjatë fjalës së tij para studentëve, ambasadori Eugen Volfarth ka theksuar rëndësinë e madhe që ka lufta kundër korrupsionit në kuadër të zhvillimit dhe integrimit të vendit në familjen evropiane.
Sipas tij, korrupsioni vjen nga mungesa e transparencës dhe sepse jo gjithnjë ka zbatim të drejtë të ligjit. Ai ka nënvizuar edhe njëherë se pengesë e madhe në luftën kundër korrupsionit bëhet imuniteti i zyrtarëve të lartë, ndaj Shqipëria duhet të shohë kufizimin e tij. Nga ana tjetër, sipas Volfarth, duhet edhe një regjistër më bindës për vendimet e gjykatave, në mënyrë që gjithçka të jetë e dokumentuar dhe transparente.
Sipas tij, duhet të adresohen qartë të gjitha shkaqet e korrupsionit, në mënyrë që lufta ndaj tij të jetë e efektshme.
Ndërkohë që kreu i ILDKP, Adriatik Llalla e ka vlerësuar të vështirë luftën ndaj korrupsionit, por jo të pamundur.