E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkupi insiston në respektimin e vendimit të GJND-së

Kreu shtetëror i Maqedonisë ka nisur një mision diplomatik për të kërkuar që BE, NATO dhe shtetet tjera të respektojnë vendimin e GJND-së.

Vendimi i shpallur i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë fajësoi Greqinë për bllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, pasi ajo shkeli Marrëveshjen e përkohshme për emrin të vitit 1995, me të cilën Maqedonia lejohet të anëtarësohet në organizmat ndërkombëtare me referencën FYROM.

Kryeministri Nikolla Gruevski qëndroi në Bruksel për të kërkuar që BE të respektojë vendimin që është në favor të Maqedonisë.

Ne nuk dimë nëse kësaj çështjeje do ti kushtohet vëmendje, sidomos duke pasur parasysh deklaratën e kryeministrit të ri grek se çështja e emrit nuk është në axhendën e qeverisë së tij, deklaroi Gruevski, pas një takimi me presidentin e BE-së, Herman Van Rompuj, nga i cili kërkoi respektimin e vendimit të GJND-së, pasi sipas tij, kjo gjykatë është themeluar nga vetë këto vende evropiane.

Presidenti Gjorgje Ivanov në një takim me trupin diplomatik të vendeve anëtare të BE-së theksoi dje se Maqedonia kërkon respektim dhe zbatim efektiv të Marrëveshjes së përkohshme përmes respektimit të të drejtës ndërkombëtare.

Në mision lobimi për vendimin e GJND-së është në Vilnus të Lituanisë edhe ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.

GJND të hënën shpalli vendimin në favor të Shkupit, duke shpallur fajtore Greqinë për mosrespektim të Marrëveshjes së përkohshme për emrin të vitit 1995, si dhe bllokoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe procesin e mëtejmë të integrimit në BE.

Bashkësia ndërkombëtare ka theksuar se  vendimi i GJND-së nuk do të ketë efekt në procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE, pa u zgjidhur kontesti i emrit përmes një kompromisi midis dyja palëve.  / INA 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›