E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova 99

Ban Ki-Moon erdhi të martën në Kosovë. Preferoi që liderët politikë t’i takonte në Aeroport, e jo në institucionet shtetërore. Vizitoi objekte të kultit, takoi priftërinj e hoxhallarë dhe foli për sukseset e UNMIK’ut. Kështu, pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kombet e Bashkuara vazhdojnë ta llogarisin Kosovën si protektorat të tyre.

Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon ka kërkuar dialog paqësor për zgjidhjen e problemit të Veriut të Kosovës.

Këtë kërkesë, Sekretari i OKB’së e ka bërë të martën, në një konferencë për media, që e ka mbajtur në aeroportin e Prishtinës, pa praninë e udhëheqësve të Kosovës.

Ai ka zbritur nga aeroplani i organizatës më të madhe botërore dhe është pritur vetëm nga Shefi i Protokollit shtetëror të Kosovës.

Pritja e nivelit kaq të ulët të Sekretarit të OKB’së ka ndodhur pasi ky i fundit ka refuzuar t’i vizitojë institucionet e Republikës dhe të takohet në Prishtinë me liderët e Kosovës.

Me këtë rast, udhëheqësi i OKB’së ka thënë se duhet të dëgjohet zëri i komuniteteve në Kosovë dhe ka kërkuar dialog për problemin e Veriut të Kosovës.

“Është thelbësore që çështja e ndjeshme dhe komplekse në raport me Veriun e Kosovës të zgjidhet përmjet një dialogu paqësor”, ka thënë Sekretari i OKB’së.

Edhe pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Sekretari i OKB’së e ka cilësuar Kosovën si protektorat pasi asnjëherë nuk i është referuar si Republikë, pasi shteti ri ende nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara.

Megjithëkëtë, Ki-Moon ka pasur porosi të qarta se çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës në raport me Beogradin.

“Pres përpjekje më të fuqishme drejt normalizimit të raporteve me Beogradin, duke përfshirë këtu edhe një përkushtim serioz dhe të sinqertë karshi dialogut - gjënë e njëjtë të cilën e kam kërkuar edhe nga lidershipi serb”, ka shtuar ai.

Misioni i OKB’ në Kosovë, UNIMIK, kishte vendosur një foltore në pistën e aeroportit të Prishtinës për Ban Ki-Moonin dhe një skenë për gazetarët, të cilët nuk kanë pasur mundësi të bëjnë pyetje.

Pas konferencës, udhëheqësi i OKB’së ka vazhduar për në dhomat e aeroportit për t’u takuar me Presidenten dhe Kryeministrin e Kosovës.

Gazetarëve, fotografëve dhe kameramanëve nuk u është dhënë mundësia të marrin pamje e as foto nga takimet që ka pasur Ban Ki-Moon me udhëheqësit e Kosovës.

Por, paraprakisht, Shefi i OKB’së ka folur për të drejtat e komuniteteve.

"U kam thënë të gjithë liderëve, me të cilët po takohem se ndërmarrja e hapave të mëtejmë në arritjen e një mirëkuptimi edhe më të madh është e një rëndësie thelbësore Pikëpamjet e komuniteteve, të cilat ndikohen drejtpërsëdrejti nga këto tensione janë thelbësore. Zërat e tyre duhet të dëgjohen. Nevojat dhe të drejtat e tyre bazë duhet të përfaqësohen në mënyrë demokratike”, ka shtuar ai.

Pas takimit me Sekretarin e OKB’së, Kryeministri Thaçi ka folur para gazetarëve dhe ka thënë se roli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është i tejkaluar për t`i zgjidhur problemet e Kosovës.

Ndërsa Presidenca në një komunikatë për media, ka treguar se Shefja e Shtetit e ka mirëpritur vizitën e Sekretarit të OKB’së dhe ka folur edhe për Veriun.

Për dallim prej herëve të kaluara, Presidentja Jahjaga ka thënë se për zgjidhjen e problemit të Veriut është vetëm një rrugë.

“Nuk ka alternativë tjetër, përveç zhbërjes së strukturave ilegale dhe kriminale në tri komunat në Veri të Kosovës, që tentojnë të mbajnë peng stabilitetin e plotë të vendit dhe që minojnë përparimin e përgjithshëm të arritur në rajon”, citohet të ketë thënë Presidentja.

Megjithëkëtë, Shefi i OKB’së ka kërkuar edhe nga Kosova të intensifikojë përpjekjet e tyre për të zgjidhur çështjen e personave që vazhdojnë të llogariten si të zhdukur.

Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun në orët e pasdites të së hënës është larguar nga Kosova, ndërkohë që gjatë ditës ka vizituar Deçanin e Prizrenin.

Gjatë ditë së mërkurë, ai do ta vizitojë Maqedoninë dhe Bosnjën, për ta përmbyllur kështu turneun e tij në rajon më 26 korrik.

Ngushëllon familjen Podrimja

Sekretari i OKB’së, Ban Ki Moon nuk ka mundur të shkelë në institucionet e Republikës, por këshilltarët e tij janë kujdesur që në fjalimin e tij të ngushëllojë familjen Podrimja për vdekjen e poetit të madh shqiptar, Ali Podrimja.

“Iu bashkohem ngushëllimeve për humbjen e jetës së poetit Ali Podrimja”, ka thënë Ki-Moon, me të mbërritur në aeroport.

Proteston VV

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë gjykuar veprimet e OKB’së dhe të Ban Ki Moonit si jo fer për shkak se Kosovën e trajtojnë ndryshme prej vendeve të tjera.

Disa aktivistë të kësaj lëvizjeje janë përleshur me policët e Kosovës në përpjekje për të shkruar një parullë me “UNFAIR” UNMIK.

“Gjatë këtij intervenimi, shumica e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s u lënduan nga sprey lotsjellës, ndërsa aktivisten Krenare Krasniqi e përplasën për tokë duke ia lënduar kokën”, thuhet në komunikatën e VV’së.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka mohuar se është përdorur forcë për t`i penguar aktivistët e VV’së për të shkruar parullën kundër UNMIK’ut.

Foto prapa Deklaratës së pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është kujdesur që të bëjë foto me Sekretarin e Kombeve të Bashkuara, prapa të cilit ka qenë e vendosur Deklarata e pavarësisë dhe fotografia e Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Presidenca menjëherë pasi është takuar me Jahjaga me Ki-Moonin, ka nisur një njoftim për media me foton e bërë në dhomat e aeroportit “Adem Jashari”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›