E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekorata për Dellin

Presidentja Atifete Jahjaga e ka dekoruar Ambasadorin Christopher Dell me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”. Një natë më parë, Dellit iu rezervua një pritje madhështore nga Kryeministri Hashim Thaçi, në një restorant në periferi të Prishtinës, e ku nuk munguan batutat mes tyre.

Darka e një nate më parë si duket nuk ka mjaftuar për Presidenten Atifete Jahjaga që t’ia shprehë falënderimet e thella Ambasadorit amerikan në ikje, Christopher Dell.

Njeriu, i cili solli Jahjagën në pozitën e të parës së shtetit, u dekorua të martën nga ajo me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”.

Kjo tha se u bë për hir të kontributit të lartë, të cilin e paska dhënë Ambasadori Dell gjatë misionit të tij në Kosovë.

“Është një simbolikë që shpreh falënderimet tona për një përkrahje të shquar që keni dhënë jo vetëm nga misioni juaj i parë, por edhe nga ai i dyti. Gjatë tërë procesit që ka ndodhur në vendin tonë, jo vetëm për të drejtat e njeriut, por edhe në zhvillimin e proceseve demokratike dhe fuqizimin e sundimit të ligjit dhe në zhvillimin e shtetndërtimit për tërë shtetin e Kosovës”, ka thënë Presidentja Jahjaga gjatë ceremonisë së dekorimit.

“Medalja që do t’u jepet juve sot, është për humanizmin e bazuar në disa nga vlerat dhe principet që janë paqja, demokracia dhe humanizmi, të cilat, gjithashtu, janë principet themelore. Ju keni qenë një përfaqësues i denjë i SHBA’së në Kosove”, shtoi e para e shtetit.

Ndërkohë që ishte pikërisht Christopher Dell ai, i cili nxori emrin, dikur të polices Atiftete Jahjaga nga zarfi, për ta emëruar atë të parën e Kosovës, në kohën kur shteti po kalonte një krizë institucionale.

Pavarësisht kësaj, as Dell nuk u kursye së falënderuari Jahjagën për nderin që iu dha të martën.

Ai tha se ka pasur privilegjin që të punojë me institucionet dhe liderët e Kosovës, e posaçërisht me ish-Presidentin tashmë të ndjerë, dr. Ibrahim Rugova.

“Gjithashtu, edhe Dr. Rugova është këtu me ne gjatë këtij çmimi. E kam njohur mirë që nga ardhja ime e parë këtu, për vlerat dhe rolin e tij që ka luajtur në përpjekjet për liri dhe pavarësi. Janë inspirim për të gjithë ne që kemi privilegjin të punojmë me institucionet e Kosovës, lidershipin e Kosovës dhe mbi të gjitha të njihemi me popullin e Kosovës. Është një nder tejet i madh të më jepet një çmim që bart emrin e Rugovës. Është diçka që do ta kujtoj çdoherë siç, e kam thënë mbrëmë, që është shumë privilegj i madh që të jesh diplomat amerikan dhe të punosh në Kosovë”, ka thënë Dell.

Ditët e këtij të fundit si përfaqësues amerikan në Kosovë, dalëngadalë po i afrohen fundit.

Por, miqtë e tij kosovarë, liderë politikë e deputetë nuk ia harrojnë të mirat.

Madje, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën ka shtuar edhe një darkë për nder të mikut të tij- Chrisit.

Darka lamtumirëse për Ambasadorin amerikan u mbajt në restorantin “Rron” në Veternik të Prishtinës. Gjithçka ishte drejtuar nga Ministrja Vlora Çitaku, derisa të pranishëm, përveç Presidentes Jahjaga, kanë qenë edhe ministra dhe deputetë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Hashim Thaçi, si rrallëherë, është përkujdesur të lëshojë batuta.

“Unë dëshiroj që ju Chris të vini sërish në Prishtinë, si Ambasador i SHBA’së në Kosovë, për herë të tretë”, ka thënë Thaçi.

E, nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kryeministri propozoi diçka tjetër.

“Nëse nuk kthehesh sërish, atëherë unë me të gjitha fuqitë e mia kushtetuese do të mundohem t’ju emëroj Ambasador të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Thaçi, duke nxitur të qeshura në sallë. Dhe, ka vazhduar me batuta.

“Kur erdhe këtu, kishe më shumë flokë, por tash kur po të shoh, po e vërej se t’i kam rralluar pak”, ka thënë ai.

“Thënë të drejtën, kur erdhe këtu, edhe unë kisha më pak thinja”, ka vazhduar Thaçi.

Me të njëjtën dozë humori, ka vazhduar edhe Ambasadori Dell.

“Hashim, kam frikë se Kosova do të bëhet shteti i 51’të i SHBA’së, e nuk do të keni mundësi të më emëroni Ambasador të Kosovës në Washinton”, ka thënë ai.

Teksa fliste Dell, një murmurimë e madhe u dëgjua në sallë.

“Dikush prej Durrësit po na çon murmurima... Paramendojeni, po të vija Ambasador këtu për herë të tretë, do të na çonte tërmet”, ka thënë ai, duke e lidhur këtë me Veton Surroin, njeriun me të cilin në fund të mandatit la pas një histori të keqe.

Ndryshe, Christopher Dell u emërua nga Senati amerikan si Ambasador në Republikën e Kosovës, më 10 korrik të 2009’ës, ndërkohë që kishte dhënë betimin e tij më 31 korrik për këtë pozitë.

Para se të vinte si shef i diplomacisë amerikane në Kosovë, ai kishte shërbyer si zëvendësshef i Ambasadës në Kabul.

Në Kosovë, ndërkaq, kishte shërbyer edhe në kohën e pasluftës, asaj kohë si Shef i Zyrës amerikanë në Kosovë, prej vitit 2000 deri më 2001.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›