E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kosova", Meta: Kritikat, debate folklorike

Ilir Meta i bën thirrje sërish opozitës për dialog

TIRANË - Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u është përgjigjur dje qëndrimeve se Shqipëria në politikën e saj rajonale, po mbron më shumë pakicat serbe, sesa ato shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Sipas Metës, qeveria shqiptare ka dhënë kontributin e saj për çdo pakicë shqiptare kudo që ato gjenden. Këto akuza, sipas Metës, janë thjesht një përpjekje për të ndezur një debat folklorik në sferën politike të rajonit. "Përpjekja për të keqkuptuar një politikë kaq largpamëse dhe kurajoze, është thjesht një ftesë për të hyrë në një debat folklorik, dhe ju e dini që nuk më pëlqejnë folklorizmat, as më tepër në politikë. Ndaj jemi të vendosur për të ecur përpara në rrugën e integrimeve, jemi të vendosur të vazhdojmë politikën tonë për mbështetjen e mëtejshme dhe të plotë të pavarësisë së Kosovës, sikurse ka ndodhur deri tani dhe ndodh vazhdimisht", - tha dje Meta. Ndërkaq, ministri i Jashtëm iu përgjigj interesimit të medias lidhur me arritjen e një kompromisi politik midis mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike. Në një takim me gazetarët, Meta u shpreh se mazhoranca është e hapur për të pranuar çdo kërkesë legjitime të opozitës dhe për të gjetur gjuhën e mirëkuptimit mes forcave politike. Ai theksoi se, mazhoranca është e gatshme që të ofrojë mbështetjen në forcim të shtetit ligjor, duke lënë të kuptohet se shumica nuk pranon katërçipërisht hapjen e kutive të votimit. "Vullnetin më të hapur e më të sinqertë për të mbështetur çdo kërkesë legjitime, çdo kërkesë demokratike, çdo kërkesë kushtetuese. Që do të thotë se jemi të hapur për të ofruar mbështetjen tonë në funksion të forcimit të shtetit ligjor, që do t'i shërbejë përshpejtimit të integrimit evropian të vendit, dhe absolutisht një debati konstruktiv dhe favorizues për integrimin e vendit", - u shpreh Meta. Për sa i përket mundësisë së arritjes së një dialogu dhe mirëkuptimi politik mes opozitës dhe mazhorancës, numri dy i qeverisë theksoi se shumica qeverisëse është e hapur për të dialoguar me opozitën. Por, sipas Metës, arritja e një konsensusi të tillë politik kërkon edhe vullnetin e spektrit opozitar. "Dialogu kërkon të paktën dy palë. Dhe në këtë drejtim ju e dini që qeveria dhe mazhoranca janë të palëkundura për të ecur përpara në rrugën e dialogut. Natyrisht që mbetet në vullnetin e palës tjetër, që edhe ajo vetë të kuptojë filozofinë e dialogut dhe unë shpresoj që ata do ta kuptojnë", - theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›