E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova: Nuk do falim faturat e energjisë si Shqipëria. Berisha: Sivjet i shes të gjitha

Një këshilltar i ministrisë së Ekonomisë në Kosovë ka thënë sot se qeveria nuk ka ndërmend të falë faturat e papaguara të energjisë siç bëri Shqipëria përpara zgjedheve. Mbi 350 milion euro është fatura e energjisë së papaguar në Kosovë. Ndërkohë zyrtari tha se po shqyrtohet se si do zgjidhet çështja e borxheve të Korporatës Energjetike të Kosovës përpara se të dalë në shitje. Kurse në Shqipëri, qeveria fali borxhet që kapnin një vlerë mbi 400 milion dollarë. Falja ishte e paqartë për shkak se borxhet ishin detyrim i kompanisë që ka marrë përsipër shpërndarjen e energjisë. Po ashtu, qeveria miratoi një amnisti fiskale të debatueshme, e cila falte shumë detyrime e taksa. Të gjitha këto ishin hapa të ndërmarrë në kuadër të fushatës. Tani kur fushata ka mbaruar dhe fatura mbi shpinën e qeverisë është tepër e rëndë, Berisha ka deklaruar në mbledhje të qeverisë se sivjet do shesë gjithçka. Faktikisht çfarë është e madhe nuk mbetet asgjë pa privatizuar, por janë pastaj dhe 1280 objekte të tjera, të cilat janë në proces e sipër. Të gjitha këto objekte në rastet kur ato kanë pronar, pronarit do ti respektohet tërësisht e drejta e parablerjes. Është e domosdoshme që ato të kenë përparësi. Të tjerat do të privatizohen në përputhje me rregullat dhe transparencën  e plotë. Shqipëria do të ketë si pronë publike, digat  e mëdha, shkollat , spitalet, parqet kombëtare, tokat pa pronar, të cilat janë publike, të tjerat do të jenë tërësisht në zotërimin, administrimin, menaxhimin e sektorit privat, tha Berisha.

Ndërkohë, janë me dhjetëra kompani private, të cilave shteti u ka borxhe të mëdha për shkak të punimeve që kanë bërë për fushatë, por edhe më përpara, pa marrë pagesat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›