E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryesia socialiste në Mamurras mbështet sistemin proporcional

• Kryesia e Partisë Socialiste e mbledhur dy ditë më parë në qytetin e Mamurrasit, ka diskutuar dhe për reformën zgjedhore.Në mbledhjen e kryesisë, bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami, ka dhënë një informacion për të gjitha etapat në të cilën ka kaluar kjo reformë, edhe pse komisioni parlamentar për të nuk është mbledhur. Mësohet se Islami ka argumentuar të gjitha përpjekjet dhe negociatat e vazhdueshme që janë bërë me partitë aleate, por kryesisht me Partinë Demokratike dhe bashkëkryetarin e saj, Ilir Rusmali. Kryesia socialiste ka pranuar sistemin spanjoll zgjedhor, i cili është proporcional rajonal. Por anëtarët e kryesisë janë shprehur se ende mund të ketë hapësira për të diskutuar rreth reformës zgjedhore me aleatët e majtë për të marrë edhe konsensusin e tyre. Anëtari i kryesisë socialiste, Ben Blushi, ka debatuar me kryetarin Edi Rama në lidhje me reformën në drejtësi. “Përse u kalua aq shpejt me reformën në drejtësi, kur ajo mund të bëhej objekt i një diskutimi të gjerë me të gjithë aktorët dhe faktorët që bëjnë pjesë në të”, mësohet t’i jetë drejtuar Blushi, Ramës. Ndërsa Rama, duke dalë në krah të nënkryetarit të Komisionit parlamentar të Ligjeve, është shprehur se reforma është shumë më e gjerë se ligji për funksionimin e gjyqësorit. “Ai ishte një ligj që ishte në diskutim e sipër, prandaj ai hyri në axhendën e reformës për drejtësi”, është shprehur Rama. Mbledhja ka kaluar e qetë dhe anëtarët e kryesisë kanë dhënë konsensusin e tyre për reformën zgjedhore.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›