E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetë magjistarët e këqij

Në filmin e fundit të sagës për Harry Potter, i cili aktualisht po shfaqet nëpër kinematë botërore, publiku botëror pret në radhë për të parë se si Harry më në fund do të përballet me magjistarin e famëkeq Voldemort. Magjistarë të tillë të ligj kanë qenë shpesh pjesë e filmave të suksesshëm. Revista amerikane ‘Time’ ka radhitur dhjetë magjistarët më zullumqarë në film. Nga Express më 22 korrik 2011 në ora 14:38

Lista e revistës ‘Time’ fillon me numrin dhjetë, i cili i takon Gargamelit.

Ka krijesa shumë më të liga se ky koprrac tullac e dhëmbëprishur. (Macja e tij, megjithëse e emëruar sikurse kryeengjëlli i vdekjes, është një gjë patetike.) Dhe, natyrisht, ka gjëra edhe më të këqija se përzgjedhja e një fisi të xhuxhëve të kaltër.
Por, përse Gargamel duhet të jetë kaq i lig ndaj xhuxhëve? A nuk mundet ai që t’i lë rehat në rrugët e tyre të çuditshme patriarkale, në fshatin e tyre nga kërpudhat? Jo, ai duhet që, në mënyrë mizantrope, të komplotojë në mesin e ilaçeve dhe librave të magjisë skema të ndryshme për t’i dhënë fund tërë këtij grupi xhuxhësh. E keqja është se ai asnjëherë nuk funksionon ashtu siç shpreson.

Si e nënta radhitet Circe. Kjo magjistare e legjendave greke mund t’i shndërronte njerëzit në ujq ose derra, thjesht duke iu dhënë ilaçe ose vetëm me fjalët e saj magjike. Thuhet, se ajo ishte vajza e Heliosit, zotit të Diellit. Ishte një personazh i rëndësishëm edhe në ‘Odisenë’ e Homerit. Poeti grek e përshkroi se jetonte në një shtëpi të madhe, e rrethuar nga luanët dhe ujqit e droguar çuditërisht.

Në vendin e tetë radhitet Morgan le Fay. Sipas traditës arturiane, Morgan (nganjëherë Morgana) le Fay përfaqëson anti-mbretin Arthur, një motër xheloze, magjistare mashtruese ndaj vëllait luftëtar fisnik dhe besimtar. Ajo ngjallë mosbesim, helmon dhe kërkon të gërmojë nëpër iluzione dhe skema manipuluese. Emri ‘Le Fay’ tregon kuptimin e vjetër të zanës - një shpirt i errët, nga një kohë e hershme, diçka keqdashëse së cilës duhet mënjanuar.

Si i shtati në listën e ‘Time’, radhitet Ravana, kundërshtari kryesor i Ramayana - një ep ky i vjetër hindus (në Indi) i përhapur në gjithë Azinë Juglindore. Ravana është mbreti i ishullit Lanka, që kujtohet si një demon me shumë koka. Fuqitë e tij janë shumë më të mëdha sesa shëmtia e tij - ai mund të shkundë bjeshkët dhe ka një etje të madhe për rrëmbim dhe shkatërrim. Ravana e ndërron formën dhe maskohet si njeri i shenjtë endacak, para se të përvidhet me gruan e Rama’s, heroit gjysmëperëndi të epit. Beteja e Rama’s kundër Ravana’s në fund rezulton fituese, ndonëse jo pa beteja dhe sprova të mëdha.

Shtriga e keqe e Perëndimit radhitet në vendin e gjashtë. Në fakt, Shtriga e keqe e Perëndimit konsiderohej si shtriga më e keqe atje. Në filmin “Magjistari nga Ozi”, të vitit 1939, ajo është luajtur nga Margareth Hamilton, Shtriga portretizohej si një grua e ligë, me lëkurë të gjelbër, me fytyrë të mbuluar me lytha dhe e veshur në të zeza - që nga këpucët e deri te kapela e saj. Kjo pamje, bashkë me fshesën e vjetër me të cilën fluturon, ende mbetet pamja e saj e vetmja që imitohet nga fëmijët për Halloween, si një testament portretizues i saj.

E magjistari i keq i filmit për Harry Potter, Voldemort, radhitet si i pesti. “Ai-emri-i-të-cilit-nuk-bën-të-përmendet” shfaqet si një lloj figure Dickensiane, gjegjësisht, si një djalë jetim i dëbuar në botën që i frikësohej dhe që s’mund ta kuptonte. Për më tepër, Voldemort është i shfrytëzuar nga një sekret tjetër magjik, i cili e drejton trupin e tij dhe e ndihmon në zotërimin e mistereve. Por, në vend se të jetë falënderues për këtë dhunti, ai zhvillon obsesionin, shkëlqimin dhe dëshirën e tij për pushtet, duke iu kthyer kështu anës së tij të errët. Pra, Voldemort është një krijesë e pushtuar nga urrejtja, një prototip batakçiu i shpejtë në vrasje.

E katërta radhitet Baba Yaga. Sipas disa gojëdhënave të vjetra sllave, Baba Yaga është një shtrigë me rrudha.. Në përrallat ruse ajo jeton në një kasolle në mal, të rrethuar me një gardh nga kafkat, dhe e ngritur mbi një palë këmbë pule. Por, gati në të gjitha versionet Baba Yaga portretizohet si shumë e frikshme – si një krijesë e përshtatshme për t’i frikësuar fëmijët, meqë, sipas legjendës, ajo ka shprehi që t’i rrëmbejë dhe t’i hajë ata. Emri Baba Yaga nënkupton termin sllav për plakat (gjyshet), ndonëse disa etimologë dhe historianë e lidhin edhe me kultet të Azisë Qendrore për zjarrin dhe me traditat animiste të Siberisë. Në epokën e parashikuesve dhe shamanëve, ajo lehtë mund të ishte një shtrigë e vërtetë.

Magjistari i madh i KKK’së ndërkaq radhitet si i treti në listën e revistës amerikane.
The Grand Wizard (Magjistari i madh), që më vonë shfaqet edhe si Imperial Wizard (Magjistari suprem), ishte një titull që i atribuohej udhëheqësit të organizatës raciste Ku Klux Klan. E vetmja gjë magjike në këtë grup që propagandonte supremacinë e të bardhëve ndaj të zinjve është kapaciteti i vjetër mbinatyror për racizëm. KKK u shfaq në shekullin e 19, si kundërshtarë i dhunshëm i SHBA së Jugut dhe i epokës së rimëkëmbjes. Pjesëtarët e KKK visheshin me mantele të bardha, si shpirtra hakmarrës të ushtarëve të Konfederatës. Pavarësisht të gjitha linçimeve të pakicave me ngjyrë, dramat dhe filmat, si ai i D.W. Griffiths “Birth of a Nation”, i kanë portretizuar ‘kalorësit’ e KKK’së si një kavaleri e turpshme mistike. E prijës kryesor i KKK ishte Magjistari – një titull ky i paramenduar për mistifikimin e këtyre grupeve fanatike.

Darth Vader është zuzari i paharrueshëm në filmin epik hapësinor të regjisorit George Lucas, ‘Star Wars’. Ndërkaq, Perandori, shefi i pretenduar i Vader’it, është krijesa e ligë që radhitet e dyta në listën e ‘Time’. Si senator i lartë i Republikës, Perandori e fshehë identitetin e tij ekzistues si Dark Lord of the Sith (Zoti i Errët i Sith) deri në momentin kur e zbulon veten, me qëllim të zëvendësimit të republikës së mirë me perandorinë e tij. Ai zhvillon një luftë të panevojshme me qëllim të lëvizjes përpara të agjendës së tij. Gjatë gjithë kohës, e korrupton idealistin dhe fisnikun e dikushëm Anakin Skywalker, duke e shndërruar në një toger të thyer nga ndikimi i anës së errët. Dhe, Darth Vader u lind.
Ata që e njohin Tokën e Mesme të J.R.R. Tolkien, nga filmat ‘The Lord of the Rings’ mund të gabojnë dhe të mendojnë se magjistari më i keq është Saruman the White (Sarumani i Bardhë), dikur një magjistar i shquar që organizon një armatë përbindëshash të çuditshëm për të shpartalluar botën e njerëzve. Por është Sauron, syri gjithëpamës, i njohur si Zoti i Unazave, ai që fillimisht e përkulë dëshirën e Saruman’it dhe që, duke qenë ai që është, e formon tërë universin moral të Tolkien’it. Andaj, Sauron në listën e ‘Time’ radhitet i pari.

Sipas Toklien, Sauron nuk ishte gjithmonë i keq, sepse dikur ishte i njëjtë si magjistari heroik Gandalf. Por, i mbërthyer me etjen përrallore për pushtet, gabon. Unazat e pushtetit që ai i farkëton për t’i drejtuar njerëzit e Tokës së Mesme, nën ndikimin e tij bëhen parabola të brishtësisë, korrupsionit dhe vdekshmërisë së njerëzimit. Ligësia e Sauron’it mund t’i ketë të gjitha efektet tmerruese, por ligësia e vërtetë e tij qëndron në faktin se ajo mund të haset në zemrën çdo njeriu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›