Ende nuk dihen viktimat nga sulmi në Oslo

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur selinë e Qeverisë norvegjeze në Oslo, duke vrarë të paktën dy persona dhe dëmtuar zyrat e kryeministrit Jens Stoltenberg.
Policia e qytetit ka bërë evakuimin e banorëve nga zona.
Sekretari norvegjez i Shtetit, Hans Kristian Amundsen, i tha CNN-it se Stoltenberg nuk ishte në ndërtesë në kohën e shpërthimit.
"Mund të konfirmoj se kryeministri është i sigurt. Ai nuk ishte në zyrë dhe tani është duke punuar", tha Amundsen.
Radioja norvegjeze raportoi edhe për disa persona të plagosur.
Shkaqet e shpërthimit nuk janë të qarta ende.
Norvegjia, anëtare e NATO-s, ka qenë disa herë objekt i kërcënimeve, sidomos në lidhje me përfshirjen e saj në konfliktet në Afganistan dhe Libi.
TV2: Disa të vrarë në Utoya
Televizioni norvegjez TV 2 ka raportuar se se disa persona janë vrarë gjatë sulmit në kampin e të rinjve në Utoya.
Policia ka thënë se ka arrestuar një person në këtë qytezë.
Ndërkaq BBC ka raportuar se besohet se 4 veta kanë vdekur nga të shtënat në tubimin qeveritar me të rinjtë në kampin Utoya dhe pesë të tjerë janë plagosur.
Një person i maskuar si polic ka hyrë në një kamp të rinjsh dhe ka filluar të gjuajë me armë në drejtim të njerëzve të mbledhur
Norvegjia vazhdon të jetë e përfshirë në gjendje kaosi, pas shpërthimit të fuqishëm që deri më tani la të vdekur 2 persona e plagosi 15. Raportet e fundit thonë se ka pasur të shtëna me armë në në një kamp të rinjsh. Kryeministri ka thënë se ai dhe ministrant janë të sigurtë, por e ka quajtur të “tmerrshme” atë që ka ndodhur.
SHBA dënon sulmin
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin që ka goditur kryeqytetin norvegjez, duke vrarë të paktën dy persona dhe shkatërruar disa ndërtesa.
"Ne i dënojmë këto akte të neveritura të dhunës. Zemrat tona janë me viktimat dhe familjet e tyre", thuhet në komunikatën e Departamentit amerikan të Shtetit.
SHBA është shprehur e gatshme të ofrojë ndihmë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet norvegjeze.