E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova anëtarësohet në tre organizata evropiane

Prishtinë - Megjithë kundërshtimin e Serbisë dhe të disa vendeve të rajonit, Kosova anëtarësohet në Organizatën Evropiane për Cilësi, në Federatën Ndërkombëtare të Kontrollit Automatik dhe atë për Menaxhimin e Projekteve, thanë zyrtarët e Aleancës Kosovare të Biznesit, në një takim me gazetarë. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se anëtarësimi i Kosovës në këto tre mekanizma ndërkombëtarë do të sjellë përfitime të konsiderueshme.

Ndërkaq përfaqësuesi i AKB-së për Evropë, Edmond Hajrizi, tha se vendi ynë ka aplikuar para një viti që të bëhet anëtare e Organizatës Evropiane për Cilësi. Ai vlerësoi përmes investimeve në cilësi, mund të arrihet synimi për zhvillimin ekonomik të vendit. “Në Organizatën Evropiane për Cilësi bëjnë pjesë 34 bizneset dhe institucionet evropiane që merren me menaxhim të cilësisë, dhe ajo bashkëpunon me organizatat simotra në SHBA dhe Azi”-tha Hajrizi.

“Për anëtarësimin e vendit në Federatën Ndërkombëtare të Kontrollit Automatik dhe Asociacionit për Menaxhimin e Projekteve, AKB-ja ka kontaktuar me qeverinë dhe së shpejti pritet të ndërmerren hapa konkretë për paraqitjen në këto mekanizma si një trup i përbashkët”-theksoi kreu i AKB-së, Agim Shahini. (qik/start)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›