E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë opozita marrëveshje për zgjedhjet

Prishtinë - Partitë opozitare nënshkruan një marrëveshje, me të cilën kërkojnë që zgjedhjet lokale të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit. Nga Presidenca e Kosovës edhe sot u tha se presidenti Sejdiu do ta shpallë datën e zgjedhjeve pas konsultimeve shtesë. Partitë opozitare në Kosovë kanë nënshkruar sot (e marte) një marrëveshje, me të cilën i kërkohet presidentit Fatmir Sejdiu që të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale gjatë gjysmës së dytë të tetorit.

Tri partitë opozitare në Parlamentin e Kosovës janë mbështetur edhe nga tri parti jashtë Parlamentit. Në marrëveshjen e përbashkët të këtyre gjashtë subjekteve politike shprehet shqetësimi me zvarritjet evidente në procesin e përgatitjes për organizimin e zgjedhjeve lokale, të cilat thuhet se janë shfaqur në trajtë të shtyrjes se konsultimeve të presidentit Sejdiu me partitë politike dhe të shpalljes së datës së këtyre zgjedhjeve. Marrëveshja është lexuar nga Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re. Shpallim këtë marrëveshje; AKR, LDD, AAK, ORA, PD dhe PSD propozojnë që zgjedhjet lokale të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor, gjë që është plotësisht në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet Lokale”.

“Ne, nënshkruesit e kësaj Marrëveshjeje, jemi të bindur që kjo është koha më e mirë për organizimin e zgjedhjeve lokale, për shkak se në këtë mënyrë do të mundësohet një dalje më e madhe e votuesve në zgjedhje, gjë që është interes i përbashkët i të gjitha partive politike”, tha Makolli.

Marrëveshja e opozitës për zgjedhjet u tha se do t’i procedohet presidentit të Kosovës, si autoriteti kompetent për shpalljen e datës së zgjedhjeve të lira.

Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, rikujtoi trendin në rritje të daljes së ultë të votuesve në zgjedhje, çka, sipas tij, është reflektuar edhe në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Kurse Kosova, shtoi Shala, tashmë ka një praktikë të daljes së ultë të votuesve ditën e zgjedhjeve.
“Evropa po shqetësohet, alamet Evrope, me gjithë atë bagazh demokratik, që kanë dalë vetëm 43 për qind e votuesve, e ne në Kosovë nuk po shqetësohemi se në vitin 2007 na kanë dalë vetëm 42 për qind e votuesve. Ky është synimi i këtyre gjashtë partive politike”.

“Ne absolutisht nuk e dimë se cili është votimi i qytetarëve që do të dalin në votime. Ata ndoshta do të votojnë për ne, ndoshta votojnë për partitë që janë në koalicion, por dëshira jonë është që të kemi një dalje sa më të madhe, sepse në këtë mënyrë do të legjitimohet pushteti i parë lokal në Republikën e pavarur të Kosovës”, tha Shala.

Ndërkohë, Lulëzim Zeneli, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, tha se Kosova duhet të dëshmojë funksionimin e saj si shtet përmes institucioneve demokratike, kurse kushti i parë për këtë është mbajtja e zgjedhjeve sipas kritereve demokratike.

“Mbajtja e zgjedhjeve do të adresonte edhe një çështje që ka të bëjë me kredibilitetin e institucioneve shtetërore të Kosovës. Nëse kjo normë respektohet, atëherë ne si shtet i pavarur e kemi dhënë një provim, i cili është thelbësor për vazhdimësinë e ecjes së shtetit të pavarur të Kosovës”, theksoi Zeneli.

Duke iu përgjigjur kërkesave të opozitës, zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, tha se presidenti Fatmir Sejdiu do ta caktojë datën e zgjedhjeve pas një raundi të ri konsultimesh me partitë politike dhe me KQZ-në. (rel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›