Kosova, ankohet në FIFA për futbollin
TIRANE-Shtëpia botërore e futbollit, FIFA, përmes një letre dërguar të mërkurën në adresë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), konfirmoi që ka pranuar ankesën e drejtuesve të futbollit kosovar. Këta të fundit ditë më parë janë ankuar ndaj vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s që refuzoi aplikacionin e FFK-së për anëtarësim në këtë asociacion dhe vendosi që mos ta lejojë Përfaqësuesen kosovare të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Madje në letrën e FIFA's thuhet se kërkesa e drejtuesve të futbollit kosovar do të shqyrtohet edhe një herë nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, në mbledhjen e tij të radhës që do të mbahet më 19 dhjetor. "Dua t'ju falënderoj për letrën tuaj të datës 30 tetor 2008 dhe në veçanti për kërkesën tuaj që Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s të rishqyrtojë vendimin lidhur me mundësinë që Kosova të zhvillojë ndeshje miqësore. Kjo do të prezantohet në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që do të mbahet më 19 dhjetor të këtij viti", thuhet në letrën e dërguar FFK'së nga sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke. Në anën tjetër kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, beson se Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s pasi do ta rishqyrtojë kërkesën e Kosovës, do të merr një vendim të favorshëm. "Pasi ne u ankuam, morëm një përgjigje pozitive nga sekretari i përgjithshëm i FIFA-s. Besoj se në mbledhjen e tij të radhës, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do të merr një vendim në favor tonin", tha Vokrri për Express. Ai ka thënë se do të vazhdojë të lobojë edhe më tutje me qëllim që Kosova të sigurojë një përkrahje më e madhe deri më 19 dhjetor. "Ne do të vazhdojmë të lobojmë dhe punojmë në këtë drejtim. Kam pasur disa takime dhe biseda të rëndësishme me zyrtarë ndërkombëtarë të futbollit dhe ata më kanë premtuar mbështetje. Por, ne do të vazhdojmë edhe më tutje ta zbatojmë strategjinë tonë", theksoi Vokrri. Në ankesën që FFK-ja e pati dërguar më 30 tetor në FIFA thuhej se shtëpia e futbollit botëror ka marrë një vendim administrativ dhe politik, që është në kundërshtim me vetë misionin dhe parimet e FIFA-s. "Me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FIFAs, futbolli i Kosovës mbetet një 'geto e futbollit' në mes të Evropës", thuhej pos tjerash në ankesën e palës kosovare.
(d.b/BalkanWeb)