E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova dhe Polonia do të intensifikojnë raportet ndërshtetërore

Shefi i diplomacisë së Polonisë, Radosllav Sikorski, ka siguruar homologun e tij kosovar Enver Hoxhaj, se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë pa rezervë ndërtimin e shtetit të Kosovës në të gjitha fushat.

Gjatë një takimi, i cili u mbajt në Pragë, të dy ministrat kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve, duke bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm pritet të ketë një intensifikim më të madh të këtyre marrëdhënieve, me ç’rast pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit dhe kulturës.

Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun e tij polak për mbështetjen që Polonia po i jep Kosovës në proceset integruese dhe ka kërkuar mbështetjen e këtij vendi në procesin e integrimeve euroatlantike, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.

Duke folur rreth gjendjes në veri ku serbët vazhdojnë të mbajnë barrikadat, kreu i diplomacisë kosovare ka theksuar se Qeveria e Kosovës është kundër përdorimit të dhunës, kundër status-qos dhe konfliktit të ngrirë, dhe se zgjidhja e vetme mbetet implementimi i plotë i Pakos Ahtisari, që do të mundësonte integrimin e kësaj pjese në institucionet e Kosovës.

“Polonia është partner shumë i rëndësishëm i Kosovës së pavarur dhe ky shtet me prezencën e tij në kuadër të KFOR-it të dhe EULEX-it po kontribuon për stabilitetin dhe paqen në rajon”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka takuar edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Janosh Martonyi, të cilin e ka falënderuar për kontributin e deritashëm të shtetit hungarez në proceset shtet-ndërtuese në Kosovë, duke kërkuar vazhdimin e kësaj përkrahjeje në avancimin e proceseve integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Po ashtu, ministri Hoxhaj është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Zhbogar, i cili ka premtuar përkrahjen e mëtutjeshme të vendit të tij për progresin në Kosovë dhe avancimin e agjendës evropiane.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›