E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhez Cana

Lorik Cana më në fund ndezi motorët. Pas një nisme jo të mirë te skuadra e re Lazio, reprezentuesi shqiptar shkëlqeu kundër Zurichut në Europa League. Trajneri Edy Reja tha se 27 vjeçari është një luftëtar, derisa e konsideron shumë të rëndësishëm për ekipin.

Lorik Cana ishte transferuar si një përforcim i madh te skuadra e Lazios. Por, mesfushori shqiptar nuk dha shkëlqimin ashtu siç pritej dhe përfundoi shpesh në bankën rezervë te klubi romak.

Ndërsa ndeshja kundër ekipit zviceran Zurich, në kuadër të Europa League, nëse jo e fundit, ishte njëra prej pak shanseve të mbetura për ta bindur Lazion dhe trajnerin Edy Reja.

Reprezentuesi shqiptar duket se ishte i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, jo vetëm për t’i mbajtur gjallë shpresat e skuadrës për kualifikim, por edhe për të dëshmuar se e meriton fanellën e ekipit romak.

Lider në Kombëtaren e Shqipërisë, gladiator në Galatasaray, ku të gjithë vajtuan momentin e largimit të tij, Cana ende nuk kishte dhënë shkëlqimin te Lazio. Por, të enjten ai dha sinjalet e para të asaj se çka është në gjendje të bëjë. Me paraqitjen e shkëlqyeshme mori lëvdata drejtpërdrejt nga trajneri Edy Reja.

“Cana është një luftëtar. Këtë e dëshmoi ndaj Zurichut dhe është dalluar sa herë që kishim nevojë për angazhimin tij fizik, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Ka luajtur me përkushtim të madh”, ka thënë Reja pas ndeshjes.

Më në fund, ylli i kosovar u paraqit në rolin e tij të preferuar – në qendër të mesfushës, ku vërehej angazhimi i tij i madh e sidomos në minutat e fundit, kur Lazio u desh t’i rezistojë presionit të madh të zviceranëve.

Kurse mediat italiane të premten shkruanin se tani është nevoja që të vazhdohet në këtë rrugë dhe paraqitja e mirë ndaj Zurichut duhet të hapë një tregim të ri të Canës me Lazion, ashtu siç shpreson edhe vetë Reja.

“Shpresoj që tani ai mund të jetë më i qetë dhe më i sigurt, sepse mendoj se mund të jetë shumë i dobishëm, sidomos nëse duam ta vazhdojmë aventurën në Evropë. Cana me përvojën e tij dhe me kualitet fizike është shumë i përshtatshëm për këtë garë”, ka theksuar Reja.

Gjatë kësaj jave ish futbollit i PSG’së, i Marseilles, i Sunderlandit e i Galatasarayt thoshte se ndihet i lumtur tek ekipi Biancocelesti.

“Ndihem me të vërtetë mirë në Lazio. Kam raport të shkëlqyeshëm me shokët e skuadrës, trajnerin dhe tifozët. Për mua kjo është një eksperiencë e re dhe është e qartë se kam nevojë për kohë për t’u ambientuar përfundimisht, mirëpo jam i qetë. Dëshiroj të luaj mirë në Lazio dhe jam i sigurt se, si unë ashtu edhe skuadra, do t’ia dalim”, deklaroi Cana.

Krenaria e luftëtarit është duke dhënë fryt dhe është e mundshme që Lazio e ka gjetur në shtëpinë e vet mesfushorin, të cilin thuhej se do ta kërkonte gjatë afatit kalimtar të janarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›