E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova dhe SHBA thellojnë bashkëpunimin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në një takim drejtoreshën e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Louman, më ç’rast nënshkruan marrëveshjen ndërshtetërore të Korpusit të Paqes. Me anë të kësaj marrëveshje, Korpusi i Paqes do të angazhojë vullnetarë, të cilët do të japin kontributin e tyre në fushën e arsimit, kulturës, ambientit dhe zhvillimeve të tjera.

Republika e Kosovës është bërë shteti i 140-të nikoqir i Korpusit të Paqes, organizatë kjo e vullnetarëve amerikanë e themeluar nga Presidenti Kennedy, që me dekada ka ndërtuar ura të miqësisë mes popujve të botës. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm që i kontribuon bashkëpunimit të të dy popujve në fushën e arsimit dhe kulturës dhe forcon lidhjet tona miqësore.

“Marrëveshja e Korpusit të paqes është një platformë bashkëpunimi mbi të cilën Kosova do të jetë shtëpia e vullnetarëve nga SHBA-të, të cilët do të integrohen në shoqërinë tonë dhe të punojnë në fushën e arsimit, kulturës, ambientit dhe zhvillimit të përgjithshëm. Korpusi i Paqes dhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, krahas institucioneve të ndryshme të Kosovës, kanë dhënë kontribut të çmuar në realizimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Jahjaga, raporton rtk.

Drejtoresha e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Louman, foli për angazhimin konkret të organizatës Korpusi i Paqes, duke theksuar se do të veprojë në dy aspekte, njëra për zhvillim dhe tjera për shkëmbimin e njerëzve.

“Kosova ka kërkuar mësimdhënës të gjuhës angleze për shkollat e mesme në fshatra, kështu që vullnetarët tanë do të trajnojnë mësuesit e gjuhës angleze në shkolla. Qëllimi i dytë është që të ketë më shumë njohuri për Amerikën, por edhe amerikanët të kenë njohuri për Kosovën. Kështu që vullnetarët tanë do t’u mësojnë për dy vjet gjuhën angleze në shkollat e mesme dhe kur të kthehen në Amerikë ata do t’i mësojnë amerikanët për Kosovën”, tha ajo.

Rreth 20 vullnetarë amerikanë, do të vijnë verën e ardhshme në Kosovë, ku përgjithësisht do të jenë mësimdhënës të gjuhës angleze.

Më 1 Mars 1961, Presidenti John Kennedy nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv për themelimin e Korpusit të Paqes. Amerikanët kanë shërbyer si Vullnetarë të Korpusit të Paqes në shumë vende të botës. Misioni i kësaj organizate është promovimi i paqes dhe miqësisë nëpërmjet realizimit të 3 qëllimeve: Të ndihmojë popujt e vendeve të interesuara të përmbushin nevojat për individë të trajnuar; Të promovojë kulturën, vlerat amerikane tek vendet në të cilat Vullnetarët shërbejnë; Të promovojë në Amerikë kulturën dhe vlerat e vendeve në të cilat Vullnetarët shërbejnë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›