E Diel, 1 Nëntor 2026

Të shtohen masat e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore në veri

 Situata e sigurisë gjatës javës së fundit në veri të Mitrovicës, ka qenë e qetë por jo edhe e qëndrueshme. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e rregullt të Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ka pasur disa incidente, të cilat i kanë shqetësuar qytetarët, por që nuk kanë ndikuar në sigurinë e përgjithshme. Në këtë kontekst, përmendi disa rrahje masive që kanë ndodhur ndërmjet grupeve të ndryshme serbe në veri, ku ka pasur edhe të lënduar.

Ai shtroi nevojën që strukturat e sigurisë të shtojnë masat e sigurisë gjatë kohës së fushatës zgjedhore në veri, meqë disa grupe ekstremiste janë duke tentuar që të krijojnë probleme për mbajtjen e tyre.

“Janë parë disa afishe ku bëhet apel që qytetarët serbë mos të dalin në zgjedhje. Kërkojmë nga strukturat e rendit që të marrin masa dhe të pengojnë këto grupe që me incidente duan të pengojnë normalizimin e jetës në veri”, tha ai.

Në këtë takim, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, ka ripërsëritur kërkesën për largimin e barrikadës mbi urën e Ibrit, e cila është duke krijuar një imazh të keq dhe duke penguar lëvizjen e lirë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›