E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dhe Serbia diskutojnë sot për kufijtë

Kosova dhe Serbia në ditën e dytë të dialogut në Bruksel do të diskutojnë për pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto vendkalime ishin shkaku kryesor i trazirave të dhunshme në veriun e Kosovës. Beogradi dhe serbët lokal në veri nuk bien dakord me shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Prishtina është shprehur e gatshme të pranojë një marrëveshje për menaxhimin e përbashkët të kufirit, duke e cilësuar atë si një zgjidhje evropiane. Jo zyrtarisht është thënë se një marrëveshje e tillë ka të bëjë me organizimin e pikave të përbashkëta doganore pa e detyruar Serbinë që të njohë pavarësinë e Kosovës.

Beogradi ndërkaq ka paralajmëruar se do të ofrojë disa mundësi për zgjidhjen e statusit të vendkalimeve kufitare, por nuk bie dakord me asnjë zgjidhje që nënkupton njohje të pavarësisë së Kosovës.

Fillimi i muajit të ardhshëm është afati kur do vendoset nëse Serbia do të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por kusht për këtë është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›