E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova dhe Serbia, përballja në Hagë për pavarësinë



Blerina Olldashi
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës do të fillojë procesin gjyqësor lidhur me shqyrtimin e legjitimitet të pavarësisë së Kosovës. Agjencitë e lajmeve, kanë bërë të ditur se për të provuar se pavarësia e Kosovës nuk është legjitime, Serbia ka përgatitur një dosje e cila do të dorëzohet në Hagë ditën e premte. Kjo dosje, përmban dy libra me rreth 1000 faqe me argumente kundërshtuese. Një dosje është përgatitur edhe nga Kosova dhe shpallja e pavarësisë do të mbrohet nga një avokat i shquar ndërkombëtar. Shtypi i huaj ka raportuar se rreth legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, ka dallime edhe mes shteteve të botës, atyre që e kanë përkrahur e sponsorizuar pavarësinë e Kosovës dhe atyre që e kundërshtojnë atë. Mediat e huaja raportojnë se Serbia në anën e saj ka: Rusinë, Kinën, Azerbajxhanin, Argjentinën, Bolivinë, Venezuelën, Rumaninë, Qipron, Spanjën dhe Sllovakinë, ndërkaq në anën e Kosovës qëndrojnë: SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Austria, Zvicra, Finlanda, Danimarka dhe Sllovenia. Deri tani vetëm këto vende kanë parashtruar argumentet e tyre në Gjykatën e Hagës. Por, afati për t’u rreshtuar në anën e Kosovës apo kundër vazhdon deri më 17 korrik. Ndërkohë autoritetet kosovare po vazhdojnë përpjekjet për integrimin e vendit por gjithnjë duke respektuar Planin e Ahtisarit. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës hodhën poshtë idenë e ndryshimeve të mundshme të planit siç propozoi Fondacioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Dialog të Jashtëm, me seli në Madrid. “Kosova nuk do të shmanget nga zbatimi i Planit të Ahtisarit”,- thanë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës thanë se Plani i Ahtisarit paraqet një marrëveshje, por edhe kompromis që Kosova ka bërë për të arritur shtetësinë e saj.
Ndërkaq, duke iu referuar një analize të bërë nga Fondacioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Dialog të Jashtëm, me seli në Madrid, që Plani Ahtisari duhet të zëvendësohet me një plan alternativ, presidenti Fatmir Sejdiu tha se kjo çështje tashmë është e mbyllur dhe se Kosova po zbaton dhe do të vazhdojë ta zbatojë Planin e Ahtisarit, në marrëveshje me miqtë e saj ndërkombëtarë. “Kosova mendon ashtu siç ka menduar Europa bashkë me Kosovën. Ne kemi kapërcyer një proces të madh, të gjatë kohor dhe shumë të vështirë të kompromiseve të mëdha dhe në bazë të këtij projekti, doli deklarata e njohjes së Republikës së Kosovës, ku nënvizohet Projekti i Ahtisarit. Ne jemi besnikë se do ta realizojmë”,- ka deklaruar Sejdiu.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›