E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova do të hapë Ministrinë e Integrimeve

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2010 ministria e re pritet të nisë punën.

“Kryeministri, në shenjë të angazhimeve për fushën e integrimeve evropiane, ka vendosur që të themelohet një ministri për integrime evropiane. Mendojmë se atë vendim do ta marrë sa më shpejt që është e mundur, në kohën e duhur dhe duke dashur që të koncentrohen punët për integrime evropiane në një vend, por natyrisht edhe të koordinohen nga një vend”, ka thënë ai.

Për liberalizimin e vizave dhe për integrim në Bashkimin Evropian, Kuçi theksoi nevojën e një përkushtimi më të madh të institucioneve të vendit. Ai shprehu bindjen se me krijimin e Ministrisë për Integrime, do të lehtësohet edhe rruga drejt BE-së.

Ndryshe, kohëve të fundit, ka pasur zëra që Ministrinë e Integrimeve do ta drejtojë ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Vetë Rexhepi tha se e vlerëson lart formimin e kësaj ministrie dhe se është në pritje të ftesës për ta drejtuar atë.

“Është përfolur emri im si njohës i këtij lëmi. Dihet se si kryeministër kam filluar procesin e stabilizim-asociimit, mekanizmit përcjellës... Unë pres të themelohet; nëse më bëhet ofertë nga kryeministri, nga qeveria, unë e pranoj me kënaqësi”, tha Rexhepi.

Aktualisht, i vetmi institucion kompetent që merret me procesin e integrimit të Kosovës në BE është Agjencia për Koordinimin, Zhvillim dhe Integrim Evropian, e cila vepron në kuadër të Zyrës së kryeministrit Thaçi. (rel/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›