E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova duhet ta ketë planin për bisedime

“Kosova duhet ta ketë të përfunduar planin e vet dhe duhet ta dijë se si do të shkojë, dhe për çka duhet të bisedojë”, ka deklaruar të hënën Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë, në të cilën janë caktuar datat e seancave të Kuvendit dhe agjenda e tyre.

Ndonëse gjatë një konference për media, kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, iu shmang disa përgjigjeve në pyetjet e gazetarëve, duke i adresuar ato te Qeveria e vendit, ai megjithatë u është përgjigjur disa pyetjeve që kanë të bëjnë me bisedimet e paralajmëruara në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në pyetjen e gazetarëve se ku është Kosova me planin e vet për bisedime, përderisa Serbia ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dalë me një plan konkret, Krasniqi ka thënë se Kosova duhet ta ketë të përfunduar planin e vet për bisedime.

“Ne e kemi thënë moti, se Kosova duhet ta ketë të përfunduar planin e vet dhe duhet ta dijë se si do të shkojë dhe për çka duhet të bisedojë”, ka thënë ai.

Në këtë drejtim Krasniqi ka shtuar se për të ditur se a ka Qeveria plan për bisedime, duhet të drejtohen në kabinetin qeveritar, por ka shtuar se Kuvendi nuk është i informuar se ka ndonjë plan qeveritar për bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e kryeministrit serb Daçiq për ndarjen e Kosovës, duke thënë se tashmë dihet botërisht se cila është historia e tij.

“Ne tash nuk do të duhej të merremi me komentimin e deklaratave të Daçiçit. Mendoj se e gjithë politika në Kosovë, por edhe mjetet e informimit e dinë historinë e kryeministrit Daçiq”, ka thënë Krasniqi.

Për më tepër, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës janë caktuar dy seanca për javën e ardhshme. Seanca e parë është më 3 tetor, në të cilën do të debatohet për privatizimin në Kosovë dhe seanca tjetër e rregullt do të jetë më 4 dhe 5 tetor, në të cilën do të ketë një debat dhe një interpelancë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›