Kosova duhet të ketë ulëse në OKB për të hy në NATO

Zyrtarët e lartë të NATO-s në Bruksel konsiderojnë se nuk ekziston mundësia që në një të ardhme të afërt Kosova të bëhet anëtare e kësaj aleance ushtarake ose të programeve të saj, siç është Partneriteti për paqe, pa u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara.
“Nuk ekziston iniciativa për hyrjen e Kosovës në NATO apo eventualisht të merr statusin e partnerit, dhe në këtë drejtim nuk është duke ndodhur asgjë”, kanë thënë për gazetën beogradase “Danas” zyrtar të lartë të NATO-s.
Sipas tyre, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është parakusht për hyrjen në NATO dhe rikujtojnë se katër anëtare të Aleancës (Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia) nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Zyrtarët e NATO-s kanë sqaruar se Karta e Washingtonit e vitit 1949 për themelimin e Aleancës Veri-atlantike, që sot është dokumenti bazë i kësaj organizate nuk e precizon se vendi kandidat për anëtarësim duhet të jetë edhe anëtare e OKB-së, “por sipas të drejtës ndërkombëtare megjithatë nënkuptohet se termi ‘shtet’ ka të bëjë vetëm me ata që kanë ulëse në Kombet e Bashkuara”.
“Në këtë mënyrë e interpretojnë edhe vendet anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Pra, sa i përket Kosovës dhe të gjitha territoreve të tjera, hapat e domosdoshëm janë së pari anëtarësimi në OKB, e më pas NATO”, citon gazeta Danas zyrtarët të lartë të Aleancës.
Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës, zhvillimi dhe trajnimi i të cilës është nën kontrollin e NATO-s, shndërrimi në ushtri nuk do të duhej që të ndodhë pa pajtueshmërinë dhe konsultimet detale, porosisin në Bruksel.
“Është e mundshme që me bisedime të arrihet deri te zgjidhja që FSK-ja të bëhet ushtri e armatosur, dhe kjo të bëhet në harmoni me parimet të gjithëve në NATO. Madje, edhe në rast se vendet si Spanja e Rumania vendosin që formalisht ta përkrahin transformimin e FSK në ushtri. Është e mundshme të arrihet zgjidhja, vetëm duhet bashkëpunim dhe durim”./Indeksonline/