E Diel, 1 Nëntor 2026

Tarifa, shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Lartë

Ish-Ambasadori


TIRANË- Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm ish-Ambasadorin shqiptar në SHBA, Fatos Tarifa, duke prishur vendimet e dhënë nga dy shkallët e gjyqësorit, të cilët e kishin deklaruar fajtor dhe dënuar me 400 mijë lekë gjobë për akuzën e "shpërdorimi të detyrës".


Vendimin e deklarimit të Tarifës të pafajshëm e mori Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me relator kryetarin e këtij kolegji, Gani Dizdarin, duke e cilësuar vendimet e dënimit të tij të paligjshëm.


Sipas vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit, ish-Ambasadori Tarifa është deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës" në kohën që kryente detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në SHBA, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 143 mijë dollarë amerikanë.


Shpenzime këto, që sipas këtyre vendimeve, Tarifa i ka kryer në kundërshtim me ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tij, në mënyrën e përzgjedhjes së subjekteve me të cilat ka kryer veprime, në likuidimet e pagesave pa fatura fiskale, në mos pasjen e asnjë dokumentacioni në justifikimin e pagesave të bëra, në mungesën e nënshkrimit të përfaqësuesit të Ambasadës që duhet të autorizonte dhe ekzekutonte veprimin e pagesave. Sipas vendimit të djeshëm, këto pretendime nuk qëndrojnë pasi nuk është Ambasadori personi që merret me këto veprime, por punonjës të tjerë.


Duke mbështetur kështu pretendimet e mbrojtjes se përgjegjësia ligjore nuk duhej të binte mbi ish-ambasadorin Tarifa, por mbi punonjësit e tjerë të Ambasadës, të cilët kontrollonin veprimtarinë financiare të Ambasadës. "Ambasadori nuk ka për detyrë të kryeje veprime financiare, për të cilat është dënuar, por, ai kryen detyrën për funksione politike. Kështu që përgjegjësia penale bie mbi ekonomistët e Ambasadës"-thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.


Ndërkohë, me datë 28 janar 2008 ka qenë Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet e cila e ka deklaruar fajtor ish-ambasadorin Tarifa duke e dënuar me 400 mijë lekë të reja gjobë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›