E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova e Re dhe Kosova e Ardhmërisë

Uk Lushi 

Projekti energjetik Kosova C, që u riemërtua Kosova e Re nga Qeveria e tanishme e Kosovës, ka vite që fle e zgjohet nëpër sirtarët e qeverive, kompanive, institucioneve ndërkombëtare (financiare) dhe organizatave joqeveritare. Prej perspektivës ekonomiko-ambientaliste dy janë problemet kryesore që kërkojnë përgjigje koncize nga hartuesit dhe ekzekutuesit e projektit.
Problemi i parë: Transparenca
Problemi i parë më i madh me projektin Kosova e Re ka qenë dhe vazhdon të jetë transparenca. Çfarë dihet mbi projektin është informacion përgjithësues, që nuk duket të jetë i bazuar në metodologji shkencore dhe as në modele financiare të vlerësimit të projekteve kapitale, të cilat përdoren nga specialistët financiarë në botën e investimeve.  Kah mesi i këtij korriku, në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës me përfaqësuesit e ambasadës amerikane, FMN-së, Bankës Botërore, Komisionit Evropian dhe ICO-së, prapa shpinës së tij, proklamoi koston e projektit të jetë 3.5 miliardë euro. Por as ai e askush nuk treguan se ku mund të gjenden informatat për hyrjet dhe daljet në të holla (cash flows) të projektit - e as a janë llogaritur vlerat nominale ose bruto të aseteve likuide, makinerisë, patundshmërive, objekteve, pronës private, borxhit, taksave ndaj shtetit dhe rezervave të lëndës djegëse, që ndërlidhen me projektin. Pa i pasur këto të dhëna dhe skenarët alternativë se si do të strukturohet transaksioni në aspektin financiar dhe teknik, është e pamundur për të ardhur në përfundim se cili version i projektit do të jetë më lukrativ - e aq më pak për të bërë hapat fillestarë për evaluimin e projektit, siç janë analiza e vlerës neto të tanishme (net present value), përcaktimi i normës së brendshme të shlyerjes së projektit (internal rate of return) dhe çmimi. Pa këto informata dhe parametra, e vetmja metodë e vlerësimit mbetet ajo e përcaktimit të çmimit të minierave, sipas të cilës dhënia me koncesion të plotë për 40 vite e tyre është një pazar i keq për Kosovën edhe për një nxënës të fillores, që ka dituri vetëm algjebrike dhe di të shumëzojë sasinë e thëngjillit me çmimin e tij në bursat ndërkombëtare.
Për hir të korrektësisë profesionale duhen thënë nja tri-katër fjali për njerëzit, që qëndruan para kamerave me Thaçin. Kosova padyshim që duhet të bashkëpunojë dhe shkëmbejë mendimet dhe përvojat, e bile edhe të mësojë nga profesionistët ndërkombëtarë. Mirëpo personat, të cilët qëndruan mbrapa foltores së kryeministrit gjatë konferencës për shtyp, nuk janë profesionistë. Përfaqësuesi amerikan ishte një përfaqësues politik-diplomatik; ai i Komisionit Europian - politik; i ICO-së gjithashtu; i FMN-së andej-këndej, përderisa FMN-ja nuk dallohet për ekspertizë investimesh direkte dhe private, por është organizëm kryesisht për këshillime dhe hua buxhetore fiskale; pra po mbetet vetëm përfaqësuesja e BB-së, e cila mund të ketë qenë në valë të njëjta me konceptet investuese që u lexuan prej disa faqeve letre nga Hashim Thaçi. Çfarë deshën ata në të njëjtën tribunë me të parin e Qeverisë?! Sigurisht që asnjëri nga ata nuk do të jetojë në Kosovë pas 6-7 vitesh, kur bjeshkët e pluhurit të tymtarëve të Kosovës së Re do arrijnë lartësi të reja mbidetare.
Paraprakisht konferencës së kryeministrit, dhjetëra ekspertë vendorë të energjisë, minierave, ekonomisë, financave dhe ambientit u ishin drejtuar atij, Qeverisë së tij, institucioneve të vendit dhe opinionit publik me një letër ku shprehnin mendimet e tyre profesionale, shqetësimet mbi kapacitetin e projektit dhe pasojat e tij financiare-mjedisore. Ata kishin pohuar se Kosova e Re në vend se të jetë një impiant gjigant prej 2100 MW, duke marrë parasysh potencialin ndotës, por edhe situatën e ekonomisë globale dhe stadin ekonomik në të cilin gjendet vendi ynë, ajo do të ishte një projekt më i dobishëm me një kapacitet më të vogël 300 deri 600 MW. Askush nuk mund ta qortojë kryeministrin Thaçi, që, ka mundësi, nuk i kupton modelet e komplikuara financiaro-ekologjike, por aftësia udhëheqëse duhet gjithsesi të përfshijë gatishmërinë e këshillimit dhe bashkëpunimit të liderit edhe me ekspertët vendorë.
Për shumicën e qytetarëve të vendit tonë është e qartë si loti, Kosova e Re është një ndërmarrje kapitale, e cila i nevojitet Kosovës. Për t’u zhvilluar ekonomikisht, vendit i duhen edhe investime të tjera përveç termocentralit Kosova e Re, por Kosova do të duhej të negocionte me investitorët vetëm ujdi ku nuk shitet dushku për gogla. Në ndërshkëmbimet e biznesit, këmbëngulja argumentuese e palëve për të mbrojtur interesin e tyre është kontribut për arritjen e baraspeshës mes “çmimit” dhe “vlerës”. Drejtësia dhe mbrojtja e interesit në biznes shihen si virtyte dhe rrisin besimin në partnership. Kosova nuk duhet të frikësohet të nxjerrë kushte për investitorin apo investitorët në Kosovën e Re, sepse kushtet në çdo marrëveshje biznesi janë reciproke dhe bëjnë ujdinë “win-win” për palët kontraktuese.
Të dhënat për projektin Kosova e Re duhet medoemos të botohen dhe vendosen në Internet, sepse nëse inputet e projektit bëhen publike, sigurisht që ekspertët, qofshin ata shqiptarë (në Ballkan, Europë dhe Amerikë) apo ndërkombëtarë, do të mund të kontribuojnë me mendimet dhe këshillat e tyre dashamirëse dhe ta evaluojnë (vlerësojnë) projektin deri në lekun e fundit. Transparenca është formula e cila zhdavarit mjegullën dhe mëdyshjet mbi prapaskenat e mundshme apo të pamundshme rreth Kosovës së Re. Në Amerikë, organet rregullative të tregjeve dhe ujdive të biznesit i ndjekin penalisht biznesmenët, të cilët fshehin një informatë të vetme mbi një transaksion edhe pasi të arrihen marrëveshjet dhe ekzekutohet transaksioni, prandaj le të mësojmë nga Amerika dhe të bëjmë biznes ashtu siç bëhet ai në zemrën e afarizmit botëror - në SHBA. Transparenca do të ndihmojë të gjithë, përfshirë Qeverinë e Kosovës, të koncentrohen në projekt dhe teknikalitetet e projektit, e jo në diskualifikime politike dhe partiake. Ajo, në fakt, do të ndihmojë më së shumti vetë fituesin e tenderit, sepse kompania e zgjedhur do të jetë në gjendje të konkurrojë me çmim më të afërt me vlerën e tërësishme të projektit.
Problemi i dytë: CO2 ose Dioksidi i Karbonit
Problemi i dytë më i madh i Kosovës së Re janë ndotësit që rezultojnë nga përdorimi i qymyrit. Termocentralet që djegin qymyr kanë avantazhin të jenë më të lira, por disavantazhi i tyre është shumë substancial, sepse djegia e qymyrit dëmton ambientin dhe emiton dioksid karboni (CO2) dhe gazra të tjera të serrës (greenhouse gases), të cilat jo vetëm se janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut, por konsiderohen të jenë shkaktarët kryesorë të ngrohjes globale. Përdorimi i qymyrit për djegie llogaritet të jetë origjinuesi i 40 për qind të sasisë së CO2 në atmosferë.
Autoritetet rregullative nëpër tërë planetin tonë janë duke ngritur presionin kundër projekteve të cilat varen nga shfrytëzimi i qymyrit për impiante të energjisë. Opinioni publik është duke u ngritur në këmbë gjithashtu. Një shembull i këtij trendi është TXU, një ndër kompanitë më të mëdha energjetike në Texas të Amerikës. Para disa vitesh TXU kishte planifikuar të ndërtonte 11 termocentrale me qymyr. Reagimi publik për rrezikun shëndetësor dhe mjedisor ishte aq i fuqishëm, sa dy firmat investuese, që ishin në proces e sipër të blinin TXU, Kohlberg Kravis Roberts dhe Texas Pacific Group, u detyruan të ndalojnë konstruktimin e tre termocentraleve, nëse donin të kishin TXU në pronësi. Tetë termoelektranat e tjera u lejuan të ndërtoheshin vetëm pasi investitorët u pajtuan se do të instalonin në impiante të ashtuquajturin cikël të kombinuar të gazifikimit të integruar si variante më ekologjike se djegia e egër e thëngjillit.
Të kthehemi te CO2 - problemi i cili mund ta godasë projektin Kosova e Re dhe Kosovën e ardhmërisë, vite e vite pas fillimit të punës. Kosova, si shtet dhe aspirante për BE, së shpejti do të jetë e obliguar të nënshkruajë dhe ratifikojë Protokollin e Kyotos, që është marrëveshje ambientale ndërkombëtare, me qëllim stabilizimin (lexo uljen) e CO2 dhe gazrave të tjera të serrës në atmosferë në nivel i cili nuk lejon interferencë antropogjenike të këtyre ndotësve me sistemin e klimës. Marrëveshja e Kyotos skadon më 2012, mirëpo bazuar në zhvillimet më të reja botërore lidhur me ambientin, e posaçërisht në vendosmërinë e administratës së Presidentit të SHBA-së, Obama, për të sponzorizuar një ekonomi të gjelbër dhe një sistem të ngjashëm të tregtimit të CO2 sikur “cap and trade” në BE, dokumenti që do të vendoset në tavolinat e qeverive botërore do të jetë edhe më i rreptë se Kyoto sa i përket ndalesave të emitimit të CO2. BE-ja tashmë ka pesë vite që ka futur në funksionim tregun e CO2 (“cap and trade”) dhe kompanitë që ndotin mbi nivelin e lejuar duhet të blejnë kredite apo certifikata karboni, që sillen prej 10 deri në 22 euro për tonë, varësisht nga fluktuacionet e bursave. Madhësia e tregut të CO2 në vitin 2006 ishte 1.6 Gt (1.6 miliardë tonë). Në vitin 2007 ky treg u rrit në 2.7 Gt, një rritje prej 64 për qind krahasuar me vitin paraprak. Vlera monetare e këtij tregu të ri me 2007 ishte rreth 40 miliardë euro, një ngritje prej 80 për qind kundrejt një viti më herët, dhe pritet të arrijë vlerën për mbi një trilion brenda 10 vitesh. Ka shtete që shpenzojnë me qindra miliona euro si pagesë për lirimin e CO2 nga fabrikat, mjetet e transportit dhe ndërmarrjet dhe ka kompani që paguajnë me dhjetëra miliona euro në vit për blerjen e krediteve të karbonit. Kosova, pasiqë nuk e ka të zhvilluar nënsektorin e energjisë së ripërtritshme, dhe termocentrali Kosova e Re, me gjasë të madhe, mund të përfundojnë si blerës të miliona tonëve karbon për të kundërkompensuar ndotjen. Le të shpresojmë se kjo çështje do të sqarohet me investitorin në Kosovën e Re dhe llogaria të mos u mbetet në derë qytetarëve të Kosovës.
Kosova është shtet i pavarur dhe deri më tash ka bërë përparime. Porse ende ka punë për t’u bërë. Vendi ynë dhe njerëzit tonë duhet të jenë shumë të mençur dhe të mos besojnë pa testuar se gjithçfarë shkëlqen është ari. Korrja varet nga mbjellja. Qeveria dhe ekspertët duhet të punojnë së bashku, pa lejuar politikën të interferojë me interesin e përgjithshëm qytetar. Ekspertët kanë hedhur hapin e tyre. Qeveria nuk duhet të hezitojë të dëgjojë dhe përfitojë nga shqetësimet e tyre. Dialogu dhe shkëmbimi i ideve, dijes dhe mendimeve janë çelësat e zgjidhjes së çdo problemi. Ekspertët kanë kryer detyrimin qytetar, qeveria e ka obligim t’u përgjigjet atyre dhe të reprezentojë interesin dhe vetëm interesin e qytetarëve. Për të mirën e Kosovës së Re dhe Kosovës së Ardhmërisë.
* Uk Lushi është ekspert i ekonomisë dhe financave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›