E Diel, 1 Nëntor 2026

Dajti i lidhur në shtrat, gruaja ankesë në Prokurori

 

Trazhgim Sokolaj

Bashkëshortja e Dritan Dajtit, Dorela Dajti, ankohet në Prokurori duke pretenduar se i shoqi po mbahet në kushte çnjerëzore në spitalin e burgut në Tiranë, edhe pse është në gjendje të rëndë pas plagosjes me tri plumba. Mesditën e djeshme, Dorela Dajti u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku po hetohet bashkëshorti i saj. Për rreth 30 minuta, Dorela Dajti ka qëndruar brenda zyrave të organit të akuzës, ku ka paraqitur pretendimet e saj si dhe disa dokumente shkresore në lidhje me çështjen. Ajo i ka kërkuar prokurorëve të çështjes ndërhyrjen e tyre, në mënyrë që familjarët të kenë mundësi të takojnë të arrestuarin për vrasjen e katër efektivave të policisë, si dhe të lejohet furnizimi i tij me ushqime dhe veshje në spitalin e burgut. Në dokumentin shkresor të dorëzuar nga Dorela Dajti në Prokurori, është kërkuar që të shumëkërkuarit që ra në pranga më 7 gusht 2009, pas vrasjes së katër oficerëve të policisë, t’i bëhet një skaner në kokë, pasi ka probleme shëndetësore si pasojë e tronditjes që pësoi ditën e ngjarjes, kur ekzekutoi me armë katër efektivat e policisë.
Ankesat e gruas së Dajtit
Pasi kanë tentuar disa herë t’i çojnë ushqime dhe rroba në spitalin e burgut ku po mbahet në masa të rrepta sigurie, familjarët e Dritan Dajtit i janë drejtuar Prokurorisë për zgjidhjen e situatës. Sipas ligjeve në fuqi, takimi i familjarëve me personat që ndodhen në paraburgim duhet të bëhet vetëm me autorizim nga Prokuroria dhe personat që hetojnë çështjen. Paraqitja e djeshme në Prokurori ishte e dyta nga ana e familjarëve të Dritan Dajtit, pasi edhe pak ditë më parë, babai i 38-vjeçarit u kërkoi prokurorëve të çështjes ta lejonin takimin e tij me djalin, që ndodhet në gjendje të rëndë prej mesditës së 7 gushtit. Në pamundësi për ta takuar të shoqin, bashkëshortja e Dajtit i është drejtuar dje Prokurorisë me një shkresë zyrtare, ku kërkon lejimin e futjes së rrobave dhe ushqimeve për të arrestuarin në spitalin e burgut. E shoqja e 38-vjeçarit ka këmbëngulur se Dritan Dajti po trajtohet në mënyrë të papërshtatshme aty ku po mbahet, pasi është i plagosur me tre plumba në trup, por ende mbahet i lidhur duar e këmbë pas shtratit, pa asnjë mundësi lëvizjeje qoftë edhe brenda dhomës. Sipas ankesës së bashkëshortes, edhe pse i shoqi i saj është arrestuar dhjetë ditë më parë, gjatë gjithë kësaj kohe familjarët nuk janë lejuar të dërgojnë rroba dhe ushqime në spitalin e burgut.    
E shoqja dëshmitare
E shoqja e Dritan Dajtit, e cila ka marrë disa herë kontakt me Prokurorinë, konsiderohet nga grupi i hetimit si dëshmitare e dosjes penale të hapur pas vrasjes së katër punonjësve të policisë në Durrës. Hetuesit mësohet se kanë marrë deklarime prej saj që ditën e ngjarjes, pas përplasjes së Dritan Dajtit me skuadrën e policisë pranë pistës “Iliria” në Durrës. Ndërkohë burime nga organi i akuzës nuk përjashtojnë mundësinë që Dorela Dajti të merret përsëri në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 7 gusht, si dhe për lëvizjet dhe aktivitetin e të shoqit jo vetëm ditën e masakrës, por edhe para ngjarjes së rëndë. 
Hetimi
Prokuroria tha se aktualisht është në pritje të disa ekspertizave që po zhvillohen në Laboratorin e Policisë Shkencore për të vazhduar më tej hetimet për vrasjen e katër efektivave të policisë, Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feska. Armët e përdorura nga i kërkuari dhe nga efektivat e policisë, gëzhojat, shenja dhe gjurmë të tjera të fiksuara në vendin e ngjarjes janë dërguar për ekspertizë, ndërsa përgjigjet ende nuk kanë mbërritur në prokurori. Organi i akuzës tha se, pasi të mësojë rezultatet e ekspertimeve do të vazhdojë më tej hetimin e ngjarjes. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›