E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia, rritet optimizmi, por shifrat sërish negative

 

Konsumatorët dhe biznesi kanë shprehur shenja optimiste për të ardhmen ekonomike. Sondazhi i Bankës së Shqipërisë tregon se pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë dhe vetë konsumatorët shohin një rritje të ekonomisë dhe aktivitetit. Në raportin e publikuar, shifrat flasin për në përmirësim të lehtë pozitiv të tendencës ekonomike. Ky një hap kthese pas pesimizmit të së gjithë sektorëve në raportin paraprak. Sidoqoftë, edhe pse tendenca është në rritje, sërish shifrat janë akoma më të ulëta se sa mesatarja historike e këtij sondazhi. Edhe pse optimiste në parashikimet e veta, konsumatorët dhe biznesi shqiptar nuk e ka kapërcyer pikën e pesimizmit. Pra, të parashikojë rritje të investimeve. Sipas Bankës së Shqipërisë: “Rritja e treguesit të tendencës ekonomike në tremujorin e dytë u ndikua kryesisht nga kontributi pozitiv i treguesit të besimit të konsumatorëve dhe i treguesit të besimit të sektorit të ndërtimit. Sektorët e industrisë dhe të shërbimeve kanë shënuar gjithashtu rritje në tremujorin e dytë të vitit 2009, ndonëse në një shkallë më të ulët. Gjithsesi, niveli i të gjithë treguesve të besimit qëndron në nivele të ulëta, poshtë mesatareve të tyre historike”.
Tendenca ekonomike
“Treguesi i tendencës ekonomike ka regjistruar kthesë të lehtë rritëse në tremujorin e dytë të vitit 2009, pas rënies së theksuar në tremujorin e parë të vitit. Treguesi i tendencës ekonomike u rrit me 10 pikë gjatë tremujorit të dytë, duke shënuar nivelin 81. Megjithatë, ai qëndron afërsisht 19 pikë poshtë mesatares së tij afatgjatë”.
Konsumatorët
Situata ekonomike dhe financiare e konsumatorëve ka njohur përmirësim gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009. Ndërkohë, konsumatorët e perceptojnë si të rritur koston mesatare të jetesës gjatë tremujorit të dytë. Në tremujorin e dytë, të vitit, pritjet e konsumatorëve për vlerën e inflacionit pas 12 muajsh qëndrojnë rreth vlerës 1.7 për qind, 0.3 pikë përqindjeje më pak se në tremujorin e kaluar. Ndërkohë, për herë të parë në tremujorin e dytë 2009, balanca e pritjeve të konsumatorëve për çmimet pas një tremujori dhe pas një viti shënoi vlera negative. Për sa i përket nivelit të papunësisë në gjashtëmujorin e ardhshëm, rreth 36 për qind e konsumatorëve presin që ai të rritet dhe rreth 28 për qind e tyre presin që ai të ulet.
Industria
Vlerësimi i bizneseve për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi ka regjistruar rritje në tremujorin e dytë, në ndryshim nga rënia e theksuar në tremujorin e parë. Megjithatë, balanca e përgjigjeve për këtë pyetje mbetet në nivele negative. Edhe balanca e aktivitetit të përgjithshëm të biznesit në sektorin e industrisë gjatë tremujorit të dytë vijon të jetë negative, pothuaj në të njëjtin nivel si në tremujorin e kaluar. Pavarësisht vlerësimit më pozitiv që bizneset e industrisë kanë shprehur për kërkesën e brendshme dhe atë të jashtme (eksporte), pas rënies së theksuar në tremujorin e kaluar, balancat e tyre janë disa herë më poshtë se mesatarja e tyre e shtatë viteve të fundit. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009, 39 për qind e bizneseve të industrisë janë shprehur se kontratat porositëse nuk kanë qenë aspak të mjaftueshme (tremujorin e kaluar ky tregues ishte 55 për qind). Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese të bizneseve të industrisë ka njohur rritje me 4 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë, duke shënuar vlerën 65.7 për qind. Pritjet e bizneseve të sektorit të industrisë për ecurinë e aktivitetit të tyre si dhe të ekonomisë në përgjithësi në tremujorin e tretë të vitit janë më optimiste, krahasuar me vlerësimin për situatën e tyre korrente. Numri i bizneseve që presin rritje të kërkesës është i njëjtë me atë që presin ulje të saj, duke rezultuar në një balancë 0 për kërkesën.
Ndërtimi
Vlerësimi i bizneseve të ndërtimit për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi, megjithëse në përmirësim nga vrojtimi i kaluar, edhe për vrojtimin aktual mbetet në nivele të ulëta negative. Rreth 59 për qind e bizneseve kanë raportuar se kontratat porositëse ishin të mjaftueshme ose më shumë se normalja gjatë tremujorit të dytë të vitit, krahasuar me 44 për qind në tremujorin e parë të vitit. Rreth 41 për qind e tyre i vlerëson të pamjaftueshme kontratat e porositura gjatë tremujorit aktual (krahasuar me 57 për qind tremujorin e parë). Shfrytëzimi i kapaciteteve ndërtuese në tremujorin e dytë të vitit 2009 është në masën 67 për qind. Kjo përbën një rritje prej 4.5 pikë përqindje nga tremujori i kaluar. Inventarët janë vlerësuar në rënie edhe gjatë tremujorit të dytë. Në të njëjtën kohë, gjendja financiare e bizneseve ka njohur përmirësim në tremujorin aktual. Çmimet e prodhimit raportohen të pandryshuara nga tremujori i mëparshëm. Pritjet për tremujorin e tretë flasin për një përmirësim të pritshëm në sektorin e ndërtimit. Pritjet për çmimet e prodhimit sinjalizojnë një prirje të lehtë rënëse.
Shërbimet
Bizneset e sektorit të shërbimeve kanë vlerësuar pozitivisht dhe në rritje aktivitetin e tyre. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tremujorin e dytë të vitit 2009 është rritur në masën 73.4 për qind, nga 62.2 për qind në tremujorin e mëparshëm. Duke marrë parasysh kërkesën aktuale dhe pritjet për kontratat në 12 muajt e ardhshëm, pjesa më e madhe e bizneseve (rreth 80 për qind e tyre) e vlerësojnë si të mjaftueshëm nivelin aktual të shfrytëzimit të kapacitetit. Pritjet e firmave të sektorit të shërbimit për tremujorin e ardhshëm sinjalizojnë rritje të aktivitetit në sektorin e shërbimeve në tremujorin e tretë të vitit 2009 dhe përmirësim në situatën e punësimit në këtë sektor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›