E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali: Dajti rrezikon paralizën

 

Armand Bajrami

Plumbat e qëlluar nga armët e policëve që u vranë në operacionin e 7 gushtit për arrestimin e Dritan Dajtit në Durrës, duket se do t’i kushtojnë Dritan Dajtit. Për shkak të prekjes së shtyllës kurrizore nga një prej plumbave, ai rrezikon të mbetet i paralizuar përjetë në njërën këmbë. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Spitalit të Burgut, ku Dajti ndodhet që prej ditës së arrestimit të tij. Sipas burimeve, Dajti ka humbur totalisht ndjeshmërinë në këmbën e tij të majtë, ndërsa ndjeshmëria është e kufizuar edhe në këmbën tjetër. Gjendja e përgjithshme e Dajtit mësohet të jetë e qëndrueshme dhe se nuk paraqet rrezikshmëri për jetën e tij.
PARALIZA
Rreziku për një paralizë të përjetshme të njërës prej gjymtyrëve të poshtme të Dritan Dajtit, të shumëkërkuarit të arrestuar pak ditë më parë, u konfirmua dje nga burime zyrtare pranë Spitalit të Burgut. I kontaktuar nga “Panorama”, drejtori i këtij spitali pohoi se “kemi të bëjmë me një monoplegji”. Ndërkohë që burime pranë stafit të spitalit sqaruan se shkak i paralizës së pjesshme  ishte njëri nga plumbat që i ka prekur shtyllën kurrizore Dajtit.  Plumbat e policëve nga të cilët u plagos, dy prej të cilëve Dajti i ka ende në trup, i kanë shkaktuar atij humbjen e ndjeshmërisë në gjymtyrët e poshtme. Sipas burimeve, plumbi në këmbën e djathë, në afërsi të kofshës, i ka shkaktuar Dajtit humbje të lehtë të ndjeshmërisë nervore në këtë gjymtyrë. Ndërsa mësohet se plumbi që e ka “ndëshkuar” më rëndë është ai që i ka prekur shtyllën kurrizore. Për shkak të tij, Dajti ka humbur plotësisht ndjeshmërinë në këmbën e majtë. Referuar burimeve është ende herët të përcaktohet nëse paraliza në gjymtyrën e poshtme të majtë të Dajtit është e përkohshme dhe e rikthyeshme, apo do të zgjasë përjetë. Gjithashtu, mësohet se do të jetë stafi mjekësor i Spitalit të Burgut ai që do të vendosë nëse do të kryhet apo jo ndërhyrja për nxjerrjen e plumbave të mbetur në trupin e Dajtit, që prej ditës së arrestimit të tij. Dritan Dajti u plagos pak pas mesditës së 7 gushtit, në aksionin policor për arrestimin e tij. Pas 6 vjetësh arrati, ai shkëmbeu zjarr me katër efektivët e policisë që kishin mbërritur për ta arrestuar, ndërsa mori 3 plagë nga zjarri i armëve të tyre. 

Karoli, shoku i Dajtit, vëllai i Genc Ferhatit

Tirane - Policia ka zbuluar identitetin e vërtetë të Elvis Karolit, 23-vjeçarit që u arrestua në Tiranë, pas vrasjes së 4 oficerëve të policisë në Durrës nga Dritan Dajti. Burime nga policia e Tiranës thanë se Karoli, edhe pse u la i lirë nga gjykata gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, po mbahet në vëzhgim nga agjentët. Sipas hetuesve, është zbuluar se Karoli është vëllai i Genci Ferhatit, njërit prej djemve të rrugës së Kavajës, i cili është i dënuar për vrasjen e Denis Ginës dhe Median Shehut. Zbulimi është bërë vetëm disa ditë pasi Elvis Karoli la qelinë e paraburgimit dhe u rikthye në shtëpinë e tij. Burimet e policisë shpjeguan se pas verifikimeve ka rezultuar se Elvis Karoli ka ndryshuar të gjitha gjenealitetet, vetëm disa javë pas arrestimit të vëllait të tij, Genci Ferhati. Ndryshimi i identitetit të tij, sipas policisë, mund të ketë ardhur për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme, por edhe për të humbur gjurmët. Elvis Karoli (Ferhati) u arrestua në orët e vona të mbrëmjes së 7 gushtit, pak kohë pasi ndodhi masakra pranë pistës “Iliria”. Një kontroll i policisë në banesën e tij, pasi njihej si mik i Dritan Dajtit, gjeti disa fishekë, detonatorë eksplozivi luftarakë, dy palë dylbi, si dhe disa aparatura për aktivizimin e eksplozivit. Policia nisi hetimet për të zbuluar lidhjet që Karoli mund të kishte pasur me Dritan Dajtin, qoftë edhe në ndonjë ndihmë që mund t’i kishte dhënë. Por gjykata gjatë vlerësimit të masës së sigurisë e argumentoi arrestimin e tij si të gabuar dhe vendosi masën “detyrim paraqitje”, vetëm për akuzën  armëmbajtje pa leje. Prej ditës kur doli nga salla e gjyqit, i dyshuari mbahet në vëzhgim nga policia, për të parë dhe për të kontrolluar të gjitha lëvizjet e tij. Kanë qenë pikërisht lëvizjet dhe kontaktet e tij me persona të tjerë, ato që kanë bërë policinë të nisin hetime më intensive dhe ndërkohë është zbuluar edhe identiteti i tij i vërtetë. Tashmë për policinë nuk ka më asnjë dyshim që Elvis Karoli, vëllai i Genci Ferhatit, është vërtet një nga miqtë e Dritan Dajtit.                               e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›