Servet Pëllumbi:E vërteta e politikës së re dhe konflikti në Parti
Servet Pellumbi
Modernizimi politik dhe partitë politike
Lejimi i pluralizmit politik dhe krijimi i partive të para, që minuan monopolin e partive komuniste, ishte hap i madh përpara për përmbysjen e regjimeve totalitare dhe fitoren e demokracisë. Që në fillim ra në sy prirja ekstensive për të krijuar sa më shumë parti. U rishfaqën parti të traditave të mohuara në vite, lindën parti nga përfaqësuesit e mbetur të klasave të përmbysura, por dhe parti të ngjashme, për nga emrat dhe programet, me partitë e njohura e të klasifikuara si të majta dhe të djathta, që vepronin në vendet me demokraci të zhvilluar të Perëndimit. Thënë ndryshe, u krijua shpejt e shpejt infrastruktura partiake për t’i hapur rrugën modernizimit të politikës.
Gjykuar nga largësia e gati dy dekadave që na ndajnë nga ato vite të vrullshme të revolucioneve demokratike dhe duke u mbështetur në studimin që i kam bërë në vite pluralizmit, botuar me titullin Pluralizmi politik, përvojë dhe sfida (2006), them, së pari, se krijimi pa asnjë lloj kufizimi i partive politike ishte një shpërthim i lirisë së munguar, por në vetvete pati edhe ndikimin e vet negativ, sepse e vështirësoi shumë arritjen e një kohezioni të ri social, për të cilin kishin shumë nevojë forcat e reja që erdhën në pushtet, sidomos për të siguruar mbështetje popullore për reformat e thella të ekonomisë së tregut, që do të çmontonin ekonominë e komanduar. Së dyti, të përfshira nga një partishmëri idhnake, nga përshkallëzimi i egërsisë në luftën për pushtet, partitë nuk arritën të formulonin alternativa të qarta e të dallueshme nga njëra-tjetra. Për pasojë, nuk u treguan të afta as për konkurrencën, që është karakteristike për një shoqëri demokratike, dhe as të bëjnë koalicione programore të qëndrueshme. Së treti, duke mbetur kryesisht në nivelin fillestar ekstensiv, edhe pse kanë dhënë idenë e dinamizmit, në të vërtetë i janë nënshtruar një procesi më tepër ndarjesh e përçarjesh sesa një procesi emancipimi, pjekurie dhe rritjeje cilësore. Për rrjedhojë, mbetet që modernizimi politik të fillojë nga partitë, nga reformimi i tyre.
Lidhur me këtë çështje ka përvoja të ndryshme, si në Perëndim, ku prej kohësh është shtruar çështja e së ardhmes së partive klasike, ashtu dhe në Lindje, ku shumë shpejt po ndihet lodhje nga partitë e shumta, të paafta për të artikuluar aspiratat e reja. E megjithatë, sot për sot as demokracitë e reja nuk bëjnë dot pa partitë. Kërkimet po përqendrohen me të drejtë te vizioni i ri mbi demokracinë, duke filluar nga poshtë, nga aktivizimi i qytetarit, i bashkësive vullnetare të qytetarëve, i lëvizjeve, i shoqërisë civile dhe i strukturave të vetëqeverisjes vendore. Një reformim të tillë, sidomos për kushtet e Shqipërisë, e vlerësoj si një pluralizëm të dytë dhe si shenjë të modernizimit politik, sepse që tani partitë, të mëdha e të vogla, janë shndërruar në një lloj komunikimi midis burokracive dhe klaneve politike në qendër, aq sa duket sikur, përveç luftës për pushtet, nuk kanë asnjë motiv tjetër për angazhimin e tyre në politikë. Madje më kryesoret mund të përfshihen në kategorinë e partive që synojnë të kapin gjithçka (catch-all partis), që nënvleftësojnë rolin e anëtarësisë së tyre për t’u bërë apel të gjithë votuesve pa përjashtim.
Në një situatë të tillë çështja shtrohet: si do të arrihet që politika të kthehet te qytetari, te përfshirja e tij aktive në politikë? Ç’duhet bërë sot dhe ç’duhet bërë nesër? Ç’risi na ofron përvoja e përparuar e modernizimit politik në vendet demokratike të zhvilluara, ku prej kohësh sistemi partiak nuk punon sipas skemës klasike? Ç’duhet bërë që partitë, pa u krijuar kushtet e nevojshme, të mos e humbasin rolin e tyre të ndërmjetësit në raportet me qytetarët dhe të kenë mundësi të gjejnë rrugë e zgjidhje të reja më të përshtatshme për sfidat që kanë përpara?
Pa u ndalur te partitë veç e veç, apo fushatat që ato ndërmarrin herë pas here për reformimin e tyre, sidomos në funksion të fushatave zgjedhore, me interes është analiza e disa qëndrimeve subjektive dhe e shtrembërime të natyrës teorike e filozofike, që vijnë ose nga mosnjohja, ose nga dëshira për t’i dredhuar në mënyrë sofiste thelbit të problemit, nevojës së modernizimit të sistemit partiak, që përbën çelësin e modernizimit të politikës në tërësi edhe për demokracitë e reja. Në këtë rast, fjala është sidomos për dialektikën e së resë dhe të së vjetrës, që ose nuk njihet, ose deformohet me vetëdije. Pikërisht për raste të tilla të ngjashme, Viktor Hygoi porosiste: “Le të protestojë filozofia”. Në vështrimin filozofik, e “reja” dhe e “vjetra” kanë një kuptim shumë më të thellë në krahasim me atë që hasim në të folurën e përditshme, kur dikush e quan politikën e vet “të re”, kurse atë të kundërshtarëve e quan “të vjetër”, kurse politikanët me stazh relativisht të gjatë në parti apo në politikë i krahason me “xhaketa të vjetra”, duke nxitur deri dhe konflikt midis brezave. Në të vërtetë, e reja dhe vjetra nuk përcaktohen as nga mosha, as nga dukja dhe as nga qëndrimi subjektiv ndaj tyre. E reja dhe e vjetra janë të kundërta, por edhe të lidhura, aq sa përcaktohen vetëm në raport me njëra-tjetrën. Për më tepër, e reja lind e formohet në gjirin e së vjetrës, sepse ekziston si premisë dhe si pikënisje tek e vjetra. Në këtë rast, progresi, sipas plakut Hegel, nënkupton si lindjen e së resë dhe ecjen përpara, ashtu dhe “heqjen” e së vjetrës dhe transformimin e saj sipas ligjeve të së resë.
Kjo do të thotë që një dukuri apo dhe një parti, një klasë politike, një periudhë 18-vjeçare e historisë së pluralizmit partiak, nuk mund të jetë ose tërësisht e re, ose tërësisht e vjetër, ose tërësisht pozitive (e mirë), ose tërësisht negative (e keqe), sepse në rendin e ditës të historisë, të partisë, të klasës politike, nuk qëndrojnë të njëjtat detyra, të njëjtët njerëz dhe të njëjtat mundësi zgjedhjeje. Prandaj kërkohen analiza të thella, të kujdesshme, dashamirëse, sidomos kur bëhet fjalë për parti e për njerëz të vjetër e të rinj në moshë, që kanë sakrifikuar për vite me radhë dhe kanë bërë atë që ka kërkuar koha prej tyre. Mund të ketë - dhe në të vërtetë ka - partiakë fanatikë, që kanë mbetur prapa dhe nuk ecin dot me kohën, por kurrsesi nuk mund të identifikohet partia me ta dhe gjërat nuk priten “me sëpatën e dardharit”.
Në gjykimet “post festum” dhe në rinovimin e një partie apo të një sistemi partish, që tashmë kanë një histori të vetën me arritje e dështime, me të mirat e dobësitë e natyrshme, realizmi nuk pengon, por ndihmon zhvillimin dhe reformimin e pandërprerë politik. Përvoja tregon se në dialektikën e jetës, por ca më tepër në politikë dhe për një lider politik që kërkon të jetë i suksesshëm dhe i dobishëm për ata që përfaqëson, vlerë të veçantë ka që të ruhet sidomos nga tri rreziqe, që janë më tepër të natyrës etike se politike. Së pari, nga kapja prej panikut se mund të duket jo aktual ose jo ashtu si e mendonin të tjerët kur e zgjodhën. Së dyti, nga dhënia tërësisht pas “politikës së ndjesive të mira” (retorikës), duke lënë mënjanë politikën që matet me rezultate konkrete. Dhe, së treti, nga dëshira egoiste e ndryshimit të shpejtë të statusit social, duke përdorur postin politik për t’u pasuruar, për t’u shndërruar, siç thoshte V. Hygo, nga “plebenj në patricë”. Prej këtej rrjedh edhe shndërrimi i shpejtë në sundues mbi “plebenjtë”.
Por le të kthehemi përsëri te vizioni që kanë disa liderë për të renë dhe të vjetrën, për “politikën e re” dhe “politikën e vjetër”. Kësaj here në një rrafsh më të thjeshtë e më praktik të politikës në rrugën e modernizimit. Është e drejtë dhe e domosdoshme të flitet për një politikë të re për qytetarët, që refuzon kornizën gjithnjë e më të ngushtë të së vjetrës, në të cilën përfshihen stanjacioni, mediokriteti, bajraktarizmi, korrupsioni, informaliteti, psikologjia e urrejtjes dhe elemente të tjera të së vjetrës, që deformojnë procesin politik. Ndërkaq, qytetari duhet marrë ashtu si është dhe jo ashtu si duhet të jetë apo siç do të dëshironim që të ishte. Po ashtu, qytetarët nuk duhen ndarë arbitrarisht në dy pole antagoniste, duke i quajtur si “qytetarë të shekullit të ri” ata që mbështesin politikën e deklaruar si të re nga një lider, ndërsa pjesën tjetër t’i quash si të mbetur peng nga politika e vjetër dhe nga politikanët e vjetër. Nuk është e vështirë të kuptohet se në këtë mënyrë instalohet një politikë po aq konfliktuale, në mos edhe më konfliktuale se politika që quhet “politikë e vjetër”, ngaqë në mënyrë horizontale konfliktualitetin vertikal e zbret në bazë, te qytetarët, te bashkësitë qytetare.
Shpesh mendohet se për këtë qytetari të re, qenka e domosdoshme të bëhet edhe një zgjedhje e qartë mes së shkuarës dhe së ardhmes, ndërsa partitë të shndërrohen në instrumente, në vegla që mund të merren në dorë dhe të përdoren nga kushdo. Për këtë, partitë duhet patjetër të ndryshojnë ngjyrë, të heqin dorë nga flamujt, nga simbolet, të ndryshojnë mendësi e gjuhë. Shkurt, duhet diçka krejt tjetër, që t’ia zërë vendin sistemit të partive të sotme. Ndryshe do të ishte fatale për partitë dhe për “politikën e re”. Por në këtë rast dëshmohet një paaftësi e madhe për të lidhur kohët, të shkuarën dhe të ardhmen, në procesin e zhvillimit dialektik të dukurive në përgjithësi dhe të atyre politike në veçanti. Askush nuk e mohon nevojën e reformave, të një vizioni më bashkëkohor, të rishikimit të programeve, të rregullave statusore, të metodave, të strukturave dhe të ekipeve drejtuese, të pasurimit të mentaliteteve dhe të gjuhës së komunikimit brenda partive dhe midis tyre dhe qytetarëve. Por kjo nuk do të thotë se paska ardhur koha që partitë menjëherë të dalin nga skena ose të shndërrohen në OJF, sepse si parti ato i paskan shterur forcat për zhvillim të mëtejshëm dhe në trajtën e sotme nuk i duhen më askujt.
Në të vërtetë, koha dhe modernizimi i politikës nuk kërkojnë as lëvizje si të “kalit” në fushën e shahut - sa majtas, djathtas - as thjesht zëvendësimin, pa asnjë lloj analize, të një modeli që quhet krejt i vjetër me një tjetër që quhet krejt i ri. Në thelbin e vet, koha ofron ide e shanse për t’u vetëzhvilluar, për të mësuar nga gabimet, për të hedhur vështrimin përtej kufizimeve partiake të së majtës dhe të së djathtës, për t’u çliruar nga komplekse frenuese të së kaluarës, pa mohuar vlerat dhe arritjet pozitive të etapave të mëparshme, si kusht për t’u përshtatur me situatat e reja që sjell shekulli i ri për botën, pra edhe për Shqipërinë.
Në situata të tilla komplekse, natyrshëm krijohen vështirësi orientimi, prandaj “nordi filozofik” i lidhjes dialektike të kohëve e ruan plotësisht vlerën e vet për të mos i vënë kufij as mendimit politik dhe as dialogut dhe debateve brenda partisë dhe midis saj e qytetarëve. Në përputhje me një vizion të tillë dialektik, partive sot nuk iu duhet kërkuar të heqin dorë nga historia, flamujt, idealet e simbolet e tyre, por që të tregojnë aftësi për zhvillim, për t’u përshtatur me kohën, me epokën e re në të cilën kemi hyrë. Një fjalë e urtë latine thotë: “Ec përpara dhe gjithnjë do të bëhesh më i mirë.”
Në kërkimin për të qenë të hapur ndaj ndryshimeve e “për t’u bërë më i mirë”, a janë të përligjura përpjekjet për të formësuar një tip partie “jopolitike” dhe të një alternative me “mundësi për të gjithë” - ku ta ndiejnë veten mirë edhe i pasuri, edhe i varfëri; edhe punëdhënësi, edhe punëmarrësi; edhe njerëzit me interesa e ide të majta, edhe ata me interesa e ide të djathta, madje edhe indiferentët - për të zëvendësuar njëherë e mirë partitë klasike, të majta e të djathta, që po iu ikën koha? Nëse do të ishte reale që sot një mundësi e tillë, ç’do të bëhej me pluralizmin politik dhe përfaqësimin e qytetarëve?
Me përgjigjen ndaj çështjeve të tilla modernizuese janë duke u marrë kudo, të majtë e të djathtë. Konstatimet nuk janë në interesin e sistemeve partiake, sepse realisht partitë janë në rënie, si në demokracitë e reja, ashtu dhe në ato më të zhvilluara të Perëndimit. Treguesit e krizës së politikave partiake mund të shfaqen si në formën e “urisë” për anëtarësi, të pakësimit të votuesve dhe të besnikërisë tradicionale, të humbjes së imazhit publik dhe të identitetit si rezultat i infektimit të tyre nga pushteti, ashtu dhe të paaftësisë për të përballuar vështirësitë e qeverisjes që shfaq kompleksiteti i zhvillimeve bashkëkohore. Të ndodhura përballë problemeve të tilla, ndaj të cilave më të ndjeshme po shfaqen partitë e majta, shumë liderë partish janë vënë në kërkim të zgjidhjeve sa më të përshtatshme.
Madje vështrimi është hedhur mbi “ndryshimin e madh”, për të krijuar parti të mëdha demokratike, pa cilësimin “e majtë” dhe më afër me Partinë Demokrate në ShBA, me histori specifike shekullore, që, ashtu si dhe Partia Republikane, iu drejtohet të gjithëve, sepse veprojnë si federata që iu drejtohen 51 partive të shteteve që përbëjnë ShBA-të. Në të vërtetë, partitë janë aq të hapura dhe kanë pësuar aq shumë ndryshime, sa F. Zakaria arrin në përfundimin se “në Amerikë nuk ekzistojnë më parti politike”. Pa dyshim, përvoja amerikane është më e përparuara dhe më modernia, sidomos edhe për përdorimin e teknologjisë së re të komunikimit në funksion “të afrimit të njerëzve pranë rrënjëve të partive”. Por nuk do të kishte kuptim që ende pa gjetur diçka tjetër më racionale, të dëgjoheshin thirrjet: “Poshtë historia, poshtë partitë e lidhura pas shtresave të caktuara të popullsisë e pas një alternative të vetme! Brezi i vjetër të hapë krahun për të rinjtë, sepse këtej e tutje partitë do qëndrojnë ‘përtej të majtës dhe të djathtës’, se po vjen koha e antipolitikës dhe e partive-antiparti e pa politikanë profesionistë.”
Ndaj qasjeve të tilla nuk mund të mos reagohet, sepse parti “me të djathta brenda së majtës”, parti me mundësi për të gjithë mund të ekzistojnë vetëm në kushte laboratorike dhe se, kur partia të njësohet me të gjithë qytetarët e një vendi, të aftë dhe që kanë mundësi të zëvendësojnë lidhjet partiake me teknologjinë e re të komunikimit që krijon realisht “ndjesinë e pjesëmarrjes aktive”, atëherë partitë pushojnë së ekzistuari për t’ua lëshuar vendin lëvizjeve, grupeve të protestës, iniciativave qytetare për një çështje të veçantë, që janë më të suksesshme në afrimin e anëtarëve dhe mbështetësve, sidomos nga radhët e të rinjve. Ndikim të fortë modernizues ka, pa dyshim, edhe interneti, që në të ardhmen mbase mund të bëhet një faktor vendimtar për çlirimin e demokracisë nga partitë politike si ndërmjetëse midis shtetit dhe shoqërisë civile, midis institucioneve shtetërore dhe grupeve të interesit që veprojnë në shoqëri.
Artan Fuga firmos parathënien e Pëllumbit
“Globalistika”, libri i pestë i profesorit të PS-së
“Globalistika, refleksione filozofike për një epokë”, është libri i katërt i profesorit të socialistëve, siç njihet tashmë nga të gjithë. Promovimi i tij zyrtar pritet të bëhet në muajin shtator, ndërkohë që ai ndodhet tashmë në të gjitha libraritë e vendit. Në 248 faqe, Servet Pëllumbi shpreh shqetësimet e tij për një epokë që po ndryshon dhe domosdoshmërinë e përshtatjes së shpejtë në të gjitha aspektet e jetës, ato ekonomike, sociale, politike etj. Na u duk interesant kapitulli “Filozofia e modernizimit të demokracive të reja”, ku ai ballafaqon praktikat dhe përvojat e vendeve të dala nga revolucionet demokratike që përmbysën komunizmin, duke përfshirë këtu dhe Shqipërinë. Ai shpreh mendimin e tij për shumë teza të hedhura në politikën dhe partitë shqiptare dhe kërkon që të shkohet në një modernizim dhe demokratizim të tyre të tipit perëndimor. Libri i fundit vjen pas botimit të “Demokracia dhe zëri i moralit” në 2008, “Bashkëbisedim për politikën” në 2007, “Pluralizmi politik, përvojë dhe sfida” në 2006 dhe “Politika do moral” në 2005.