E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova e Re, krejt ndryshe

Termocentrali Kosova e Re përfundimisht nuk do të realizohet sipas konceptit të tij burimor, të cilin e kishte konceptuar qeveria e kaluar. Pas dilemave e ndryshimeve të shumta, Komiteti Drejtues i këtij projekti, të martën ka vendosur që procedura edhe një herë të nisë nga fillimi. Saktësisht Kosova e Re shkon në ritenderim. Sipas informacioneve që dha ministrja për Energji dhe Miniera, Justina Pula Shiroka, kuptohet se projekti pëson ndryshime të mëdha. Kapaciteti do të jetë përgjysmë më i vogël, me dy blloqe nga 500 megavat dhe Qeveria e Kosovës synon që të ketë pjesëmarrje më të madhe në pronësinë e termocentralit.

Fillimisht është menduar se termocentrali do të ketë 2100 megavat dhe do të sjellë 3,5 miliardë euro investime. Madje në një tender të shpallur gjatë kohës së ish-ministrit Ethem Çeku ishin lajmëruar katër kompani të fuqishme: EnBW & WGI, RWE, CEZ&AES dhe Enel. Në verën e këtij viti, kryeministri Hashim Thaçi, doli me opsionin për realizimin e projektit në dy faza 1000 + 1000 megavat. Pas këtyre luhatjeve, ikën dy konzorciume të mëdha botërore konkurruese për projektin. Madje, dyshime kishte se a do të mbetet edhe CEZ&AES. Këtu nuk ishte pa ndikim edhe kriza globale financiare.

Vendimi i Komitetit Drejtues që edhe një herë të shpallet tenderi për shprehjen e interesit ka për synim që të sjellë kompani të tjera dhe të rrisë konkurrencën.

Deri te ky vendim kemi ardhur për shkak të ndikimit të situatës së rëndë financiare në tërë botën, tha ministrja Pula, të martën, në konferencën për media.

Arsye tjetër sipas ministres, është edhe ngrohja globale, e cila ka shtyrë që të reduktohen kapacitetet dhe emetimi i dioksidit të karbonit.

Ajo shpjegoi se kanë pasur edhe një pengesë tjetër të krijuar nga largimi i dy ofertuesve seriozë.

Një konzorcium është paralajmëruar se do të vazhdojë garën, ndërsa një tjetër është i diskutueshëm, tha ajo.

Me dy konsorciume, vazhdoi ajo, kemi pasur mundësi ligjore që ta vazhdojmë garën, por për shkak të situatës aktuale, pastaj rritjes së konkurrencës dhe opsioneve më të mëdha e më të mira për Kosovën, është menduar se duhet të rishpallet tenderi.

Sipas saj, dy ofertuesit CEZ&AES dhe Enel mund të mbesin në garë.

Ne do tiu dërgojmë një ftesë investitorëve që të marrin pjesë në ketë projekt, tha ministrja.

Situata aktuale, analizat dhe shumë opsione të tjera sa i përket projektit Kosova e Re, rishpallja e tenderit është zgjidhja më e mirë dhe më e favorshme - thonë drejtuesit e Qeverisë. Që të gjitha janë diskutuar dhe kanë marrë pëlqimin e faktorëve ndërkombëtarë, si të Bankës Botërore, USAID-it dhe të Komisionit Evropian, përfaqësuesit e të cilave të martën ishin në takim.

Shefi i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Ranjit Nayak, ka theksuar se nëpërmjet procesit të riselektimit do të ketë më shumë investitorë në garë.
Rishpallja e tenderit për ndërtimin e këtij projekti jep mundësi dhe zgjidhje më të mira, tha Nayak.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›