E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis punën Nënstacioni Peja 3

Kryeministri Hashim Thaçi, ambasadori gjerman, Hans Dieter Steinbach dhe drejtori i KOSTT-it, Fadil Ismajli, prenë sot shiritin e përurimit të një nënstacioni modern të rrymës elektrike, i cili thuhet se do të krijojë kushte për zhvillimin industrial dhe ekonomik të Rrafshit të Dukagjinit dhe Kosovës Qendrore.

Ndërtimi i këtij nënstacioni modern 400/110/10.5 kV, në afërsi të Istogut, ka kushtuar 23.3 milionë euro. Prej tyre, 12.3 milionë janë financuar në formë granti nga Qeveria Gjermane, përmes Bankës për Zhvillim (KfW) kurse 11 milionë janë financuar në formë granti nga Qeveria e Kosovës. Ndërkaq, Komuna e Istogut ka ndarë truallin prej 6 hektarëve për ndërtimin e Nënstacionit Peja 3.

Implementimi i Paket Projektit Peja 3 ka filluar me 7 Nëntor 2008, kur është vënë gurthemeli i Nënstacionit dhe saktësisht pas një viti është kompletuar në afatin e parashikuar nga kontraktuesi/konsorciumi SIEMENS (Vjenë)/UMEL Dalekovodmontaza (Tuzlla) që ka implementuar projektin e ndërtimit të Nënstacionit Peja 3 dhe linjave të reja ndërlidhëse të tensionit 400 kV dhe 110 kV, thuhet në një komunikatë shtypi të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSTT.

Nënstacioni 400/110 kV Peja 3 thuhet se është Nënstacioni më modern në Kosovë dhe njëherësh është Nënstacioni i parë dhe më i rëndësishmi që është ndërtuar në sistemin e transmisionit të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës që nga vitet e 80-ta.

Kryeministri Thaqi ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të ketë në vëmendje të veçantë sektorin elektroenergjetik e sidomos sistemin e bartjes.

Ndërsa drejtori menaxhues i KOSTT-it, Ismajli, ka vlerësuar se ky projekt është edhe sinjal i qartë për investitorët potencialë, që në Kosovë do të gjejnë një transmision i cili do të akomodon kërkesat e tyre dhe garanton një qasje të barabartë për të gjithë në rrjetin e transmisionit.

Sipas KOSTT-it, që nga sot, kapacitetet transmetuese të energjisë elektrike të vendit tonë nga 930 MW rriten në 1200 MW, ndërkaq kualiteti i energjisë elektrike me të cilën furnizohen qytetarët e Rajonit të Dukagjinit dhe Kosovës Qendrore do të jetë më kualitativ dhe do të mundësojë kushte për zhvillimin industrial dhe ekonomik të kësaj pjese të vendit tonë.

Përfitimi vjetor nga ky projekt vlerësohet të jetë rreth 5.6 milionë euro, ndërkaq sipas Ismajlit, sistemi elektroenergjetik i Kosovës tani bëhet nyje edhe më stabile e më e sigurt për regjionin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›