Kosova e Serbia, bashkë në Bruksel
“Në këtë takim, përfaqësuesit nga Ministria e Mjedisit u paraqitën me denominimin, sipas marrëveshjes rreth prezantimit të Kosovës për pjesëmarrje në takime rajonale, duke u bazuar edhe në parimin e reciprocitetit ndaj delegacionit të Serbisë. Megjithatë, kjo është hera e parë që përfaqësuesit e Serbisë nuk e bojkotuan takimin e nivelit të lartë ministror të organizuar nga Komisioni Evropian, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Takimi i nivelit politik ministror kishte për qëllim ngritjen përkushtimit të vendeve të rajonit për implementimin e politikave mjedisore të BE-së. Ndërkaq, takimi i nivelit teknik ka për qëllim shqyrtimin e aktiviteteve që nga themelimi i Rrjetit Rajonal Mjedisor për Anëtarësim (RENA), që është një platformë lehtësuese për bashkëpunim teknik ndërmjet Komisionit dhe vendeve potenciale për anëtarësim.
Ministri Gashi ka thënë se Kosova ka bërë lëvizje në shumicën e dispozitave ligjore që kanë dalë nga sektori ligjor i BE-së, ndërkaq njoftoi edhe një herë se është arritur progres edhe në fushat tjera, ku përfshiu ndalimin e eksploatuesve ilegalë të rërës, instalimin e filtrave dhe hapat e parë të investimeve në energji të ripërtritshme. “Qeveria e Kosovës është shumë mirënjohëse për mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet vendeve të rajonit, duke pasur parasysh se ky shkëmbim është një prej kushteve kryesore të procesit të Stabilizim-Asocimit”, thuhet në komunikatë.
Në fund të takimit, të gjithë ministrat pjesëmarrës nënshkruan deklaratën e përbashkët të ministrave, ku u zotuan se do t'u përmbahen detyrimeve për bashkëpunim të mëtejmë rajonal rreth çështjeve mjedisore.