E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: Serbia po e pranon ekzistimin e kufirit

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i cili ka nënshkruar Marrëveshjen për Menaxhim të Integruar të Kufirit (IBM), thotë se ka paralajmërime që edhe Serbia të ketë nënshkruar këtë marrëveshje. Ndërkohë analistët politik në vend vlerësojnë se me nënshkrimin e saj Serbia, po e pranon në mënyrë indirekte kufijtë e Kosovës.

Shefi ri i ekipit negociator të Beogradit, Dejan Paviqeviq sot në Bruksel ka shkëmbyer letrat me Përfaqësuesen e Lartë të BE për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Catherine Ashton, duke konfirmuar që Serbia do të përmbush të gjitha detyrimet nga marrëveshja për formimin e një kontrolli të përbashkët të vendkalimeve.

Ai ka thënë se shkëmbimi i letrave është një hyrje e zbatimit të marrëveshjeve, duke shtuar se detajet e zbatimit të marrëveshjes do të diskutohen brenda grupeve punuese, me qëllimin për të përcaktuar rolin e doganierëve të Kosovës në kalimet administrative.

"Kjo i referohet pranisë së doganierëve të Kosovës, kryesisht në Jarinje dhe Bërnjak, por edhe për rolin e EULEX-it në vendkalimet", ka thënë ai duke shtuar se Beogradi do të insistojë që oficerët e EULEX-it, të kenë një rol ekzekutiv në kalimet.

Por ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë për Kosovapress se deri më tani gjithë ato konkluzione që janë arritur, është dashtë të imlementohen. Por, sipas tij, fatkeqësisht nga ana e Serbisë pak marrëveshje kanë filluar të implementohen, ndërsa konkluzioni kryesor ka qenë Menaxhim i Integruar i përbashkët i Kufirit, i cili nuk ka filluar të impementohet.

Ai thotë se ka paralajmërimeve që edhe Qeveria e Serbisë ka pranuar këtë marrëveshje.

“Unë e kam nënshkruar protokollin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit në emër të Qeverisë së Kosovës, organet serbe deri tash nuk e kanë nënshkruar. Tash kemi paralajmërimin që negociatori i ardhshëm serb, Paviqeviq ka paralajmëruar që edhe Serbia ka pranuar ta nënshkruaj dhe pritet që këto ditë, ndoshta në Bruksel dikush ta nënshkruaj në emër të Serbisë dhe të filloj të funksionalizohet”, ka theksuar Rexhepi.

Ndërkohë, analisti politik në Kosovë, Behlul Beqaj ka thënë për Kosovapress se me pranimin e kësaj marrëveshje, Serbia po e pranon ekzistimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Po sot është një indikacion formal ngase negociuesi i ri ka dërguar letrën ndonëse ai thotë se ky nuk është shenjë e protokolizimit të raporteve po përmes kësaj letre shihet se Serbia definitivisht është e gatshme që fillon zbatimin e marrëveshjes së IBM që do të thotë se ajo ka pranuar se mes Kosovës dhe Serbisë ekziston kufiri”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, me rëndësi është që defakto nga dita e zbatimit të kësaj marrëveshje fillon edhe pranimi konkret i vijës së përkufizimit.

Dje edhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle ka përshëndetur faktin se qeveria serbe ka nënshkruar një protokoll për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe ka thënë se kjo është një shenjë konkrete e vullnetit politik të qeverisë së re që të angazhohen në dialogun me Prishtinën.

Marrëveshja e IBM është arritur më 24 mars dhe menjëherë, pas kësaj, Serbia mori statusin e kandidatit të BE-së, por zbatimi i saj nuk ka filluar ende. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›