Kosova e Serbia në rrezik nga rritja e nacionalizmit

Dy vende anëtare të BE-së, Italia dhe Sllovenia dhe shteti tjetër që do zyrtarizojë anëtarësimin më 1 korrik, Kroacia, para samitit të BE-së që do mbahet në fund të këtij muaji do të dalin me një deklaratë të veçantë për të mbështetur perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.
Indeksonline ka parë letrën përmes së cilës ju bëhet thirrje shteteve tjera anëtare të BE-së që këtyre dy vendeve të Ballkanit t’iu jepet ajo që po e kërkojnë.
Përndryshe, gjithmonë sipas këtyre tre shteteve ekziston rreziku nga rritja e “impulseve nacionaliste në Beograd dhe Prishtinë”.
Në të njëjtin tekst, pjesa e parë e të cilit bënë thirrje për avancim të Turqisë në drejtim të BE-së, gjithashtu flitet për pritjet e mëdha që ekzistojnë në të dy kryeqytetet. Serbia kërkon marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës t’i aprovohet nisja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
“Koha për të hapur negociatat është tani. Popujt e Serbisë dhe Kosovës kanë demonstruar prirje të fuqishme për kompromis, qëllimi final i tyre është bashkimi me familjen evropiane. Refuzimi apo dhe një përgjigje e vonuar në përpjekjet e tyre mund të çoi drejt dështimit të marrëveshjes historike që është arritur si rezultat i ndërmjetësimit të BE-së”, thuhet në këtë tekst që e ka parë Indeksonline.
Megjithatë, tashmë është sekret publik që vendi i cili mund të hap rrugë për pranimin e këtyre kërkesave është Gjermania. Lajmi i mirë për vendin tonë është që ky shtet tashmë ka vendosur që Kosovës t’i aprovohet kërkesa për nisje të negociatave për MSA. Dokumenti fillestar i hartuar për samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së që do mbahet më 25 qershor të cilin Indeksonline gjithashtu e ka parë, e konfirmon këtë.
Pika 8 e Draft dokumentit të konkluzioneve të Këshillit të Ministrave të Jashtëm thotë: “Këshilli e pranon vlerësimin e Komisionit që Kosova është e gatshme për të hapur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe pa paragjykuar qëndrimin e vendeve anëtare për statusin e Kosovës, aprovon vendimin që autorizon hapjen e këtyre negociatave.
Indeksonline mëson jozyrtarisht nga burime brenda qeverisë se Kosova tashmë e ka caktuar ekipin i cili do jetë përgjegjës për këto negociata me Komisionin Evropian i cili është bartës i procesit për MSA.
Ndërkaq pika 3 e këtij dokumenti jo final thotë që me Serbinë duhet hapur negociatat për anëtarësim në BE, mirëpo nuk është caktuar datë. Televizioni serb, B92 e ka cituar kryeministrin serb, Ivica Daçiq i cili ka thënë se BE tashmë e ka pranuar “formulën që Serbia të nis negociatat në dhjetor, ndërsa Bundestagu (Parlamenti Gjerman) kërkon që data të caktohet për Janar 2014”.
Vendimmarrja për kërkesat e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE diskutohet në dy samite që organizohen brenda pak ditësh, katër herë në vit.
Ministrat e jashtëm janë ata që fillimisht mblidhen dhe vendosin për pikat që janë në agjendë. Mirëpo zakonisht vendimet përfundimtare i marrin shefat e shteteve, presidentët apo kancelarët, në samitin që mbahet 2 apo 3 ditë më pas. Në agjendë të këtyre samiteve janë edhe mundësia e aprovimit të nisjes së negociatave për anëtarësim në BE të Serbisë dhe nisja e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën. Nëse kjo aprovohet në samitin e shefave të shteteve që kësaj radhe do mbahet më 28 qershor, atëherë Kosova bën hapin e parë konkret në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit në BE./Indeksonline/