Serbia ende nuk i ka ndërprerë pagat në veri

Pas takimit të Këshillit për Punë të Jashtme i BE-së, ndërmjetësja e dialogut Kosovë Serbi Catherine Ashton, ka dhënë një deklaratë të gjatë ku ndër të tjera ka përmendur edhe Kosovën dhe Serbinë. Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së ka konfirmuar se Serbia tek tani po planifikon ndëprerjen e pagave për strukturat e sigurisë që funksionojnë në veri të Kosovës.
Më herët në Kosovë është raportuar se Serbia tashmë i ka ndërprerë pagat e strukturave paralele të sigurisë në veriun e Kosovës. Ashton në këtë deklaratë një ditë para takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE dhe pak ditë para Samitit të udhëheqësve të vendeve anëtare ka treguar se Serbia tashmë e ka mbyllur një objekt policor në veri të Kosovës dhe “kanë filluar të marrin parasysh ndërprerjen e pagave”.
Më poshtë po ju sjellim deklaratën e plotë të Ashton ku flet për Kosovën dhe Serbinë.
“Pas takimeve më kryeministrin Ivica Daçiq dhe kryeministrin Hashim Thaçi javën e kaluar, unë i kam informuar sot ministrat e jashtëm për progresin në implementimin e marrëveshjes së arritur përgjatë dialogut që unë e kam ndërmjetësuar.
Ky qëndrim normalisht do jetë pjesë e diskutimeve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme që do mbahet nesër (të martën) dhe Këshillit të BE-së pas disa ditësh ku unë gjithashtu do të marrë pjesë.
Për të përgatirur këtë debat, unë gjithashtu kam dërguar një letër të përbashkët me Komisionarin për Zgjerim, Stefan Fule, për të informuar më tutje vendet anëtare për progresin konkret drejt një normalizimi të qartë dhe qëndrueshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Unë kam vënë theksin e veçantë në dy aspekte të këtij progresi. E para është mos kthimi mbrapa, duke vënë në pah se sebët tashmë e kanë mbyllur një nga objektet policore në një nga komunat e veriut (të Kosovës) dhe kanë ndarë informacionet me kosovarët. Ata kanë dërguar instruksionet rreth rasteve të tjera dhe kanë filluar që të marrin parasysh ndërprerjen e pagave.
Dhe e dyta, përmirësimi kualitativ i marrëdhënieve që ne e shohim tani te dy zyrtarët ndërlidhës, njëri në Prishtinë dhe tjetri në Beograd dhe natyrisht implementimi i vazhdueshëm. Ne kemi rreth 50 persona në ndërtesën e Shërbimit të Veprimeve të Jashtme të BE-së (EEAS) çdo ditë të ndarë në pesë grupe punuese për ta çuar para implementimin.
Unë përshëndes të dy kryeministrat dhe ekipeve të tyre dhe mezi pres diskutimet në Këshillin për Çështje të Përgjithshme dhe Këshillin e shefave të shteteve më vonë gjatë kësaj jave.“/Indeksonline/