E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK: Java e “shkencës” së PDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një reagimi dërguar medieve, ka akuzuar rëndë Partinë Demokratike të Kosovës për organizimin e “Javës së Shkencës”. LDK konsideron se PDK, që, siç thuhet në reagim, do të bëjë shkencë me 400 e 80 mijë euro në vit, “ka nisur Javën e “shkencës” së vet”.

“Në sallë, në pamjet që u bënë publike, ishin të gjithë, nëpunës e shërbëtorë, zëvendës e drejtorë PDK-istë, rojtarë e çfarë jo tjetër, por aty munguan shkencëtarët. Kjo është e pritshme, meqë shkencëtarët e dijetarët e Kosovës nuk kanë të bëjnë me “shkencën” e PDK-së, me mashtrimet e falsifikimet e qeverisë së saj”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK kritikon se është qeveria e PDK-së që tash e një vit, ditë pas dite, po falsifikon historinë e popullit shqiptar, “qeveria që po falsifikon edhe të tashmen e Kosovës, qeveria që nuk dëshiron ta dëgjojë të vërtetën në asnjë fushë dhe për asnjë çështje”.

“Nga kjo Javë, PDK-ja përjashtoi edhe shkrimtarin e historianin e njohur Jusuf Buxhovi, njeriun që për shkencën ka bërë më shumë se që mund të bëjnë të gjitha ekipet që mund të ngarkojë Buja për të falsifikuar”, theksohet më tej në reagim.

Duke folur për angazhimet aktuale të MAShT-it, ministri, gjatë konferencës që u mbajt sot, tha se “do të themelohet Këshilli Kombëtarë i Shkencës i cili është propozuar dhe tashmë është në procedim në Kuvendin e Kosovës”.

Sipas LDK-së, Buxhovi, edhe pse i ishte konfirmuar pjesëmarrja me një ligjëratë, më 17 maj, u përjashtua, sepse, siç thekson LDK, “kishte kërkuar shkarkimin e Bujës, kur ky urdhëroi falsifikimin e historisë shqiptare”.

Ndërkaq, sjelljen e tillë të qeverisë së PDK-së, LDK e konsideron skandaloze dhe të papranueshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se kërkon veprime të përgjegjshme, respektim të punës e të dijes së figurave të njohura të kombit, si dhe përgjegjësi për qeveritarët që po sillen papërgjegjshëm.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se kjo qeveri në vijimësi po e dëmton arsimin dhe shkencën në Republikën e Kosovës, po shkel autonominë e institucioneve arsimore e shkencore, duke imponuar interesa të ngushta e duke rekrutuar militantë partiakë si kuadër akademik.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, duke e njohur dhe pranuar punën e të gjithë dijetarëve të Kosovës, edhe me këtë rast, shpreh konsideratat më të larta për rezultatet e arritura në kushte krejt të papërshtatshme, pa përkrahjen e qeverisë, madje duke u penguar nga vetë qeveria”, thuhet në fund të këtij reagimi.

Ndryshe, e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përkatësisht Departamenti i Shkencës, ka filluar punimet konferenca e katërt vjetore “Java e Shkencës 2012”, e cila do të zgjasë 4 ditë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›