Kosova edhe me Parti Konservatore

Pas mospajtimeve që janë shprehur në mes të një grupi të veprimtarëve të Partisë së Drejtësisë, dega në Prizren, si rezultat i të cilave në këtë degë edhe janë bërë zgjedhje të reja të udhëheqësisë, disa nga këta verpimtarë, përfshirë edhe ish- kryetarin e degës, Munir Basha, aktualisht edhe këshilltar në Kuvendin e këtushëm Komunal, kanë filluar nismën për themelimin e një subjekti të ri politik, i cili, sipas tyre, së shpejti edhe do të konsolidohet.
“Kjo parti e re, e cila në të ardhmen do të ketë shtrirje në gjithë vendin, do të quhet Partia Konservatore e Kosovës, ndonëse Këshilli nismëtar është themeluar në Prizren, ku deri më tash edhe janë mbajtur shumë takime me qytetarë, para të cilëve po e shpalosim Programin dhe Statutin e këtij subjekti politik”, ka thënë kryetari i këtij Këshilli, Munir Basha, duke shtuar se në këto takime, për të cilat po tregohet interesim i madh i qytetarëve, po raportohet edhe për punën e komisioneve punuese për hartimin e dokumenteve partiake, shkruan gazeta Zëri.
Ndër arsyet e transformimit në një subjekt të ri politik, Basha ka përmendur konfliktin gati dyvjeçar me një grup udhëheqësish të lartë të Partisë së Drejtesisë në nivel vendi.
“ Dihet mirëfilli se në Kosovë, e veçanërisht në Prizren, ekziston një potencial i natyrshëm për një platformë të demokracisë konservatore dhe kjo është njëra ndër arsyet pse dëshirojmë ta themelojmë një parti të këtij profili, selia e së cilës do të jetë në Prishtinë, përkundër faktit se iniciativa ka lindur dhe po jetësohet në Prizren”, ka thënë Munir Basha.
Duke shpjeguar konceptin e filozofisë politike të kësaj partie të re, Basha ka theksuar se preambula e Programit të PKK-së është se kjo parti do të përfaqësojë të gjitha vlerat dhe traditat e qytetarisë, duke besuar në fuqinë e lirisë së individit, të fjalës së lirë, të shprehjes së mendimit kritik, të iniciativës së lirë qytetare, duke kundërshtuar të gjitha përpjekjet për zhvlerësimin e tyre. Spas Bashës, Kosova aktualisht po e kalon një fazë shumë kritike si në aspektin politik,ekonomik e social,ashtu edhe ne aspektin e identitetit kombëtar dhe kulturor./Indeksonline/