Kosova feston Ditën e Verëzës
Dita e Verëzës është festuar edhe në krahinën e Opojës me 19 fshatra shqiptare, mbi 1000 metra lartësi mbi nivelin e detit, në komunën e Sharrit, po ashtu edhe në lokalitete të tjera të Prizrenit, në jug të Kosovës, sipas një tradite të lashtë, e ngjashme si Dita e Verës në Elbasan.
Pjesë e festimeve janë daljet e të rinjve e të rejave në sheshe fshatrash, në bjeshkë, mbledhja e luleve të para, vallëzimi e këndimi, ndezja e zjarreve dhe gatimet speciale me miell misri e gruri, të cilat kanë ngjashmëri po nuk janë si ballokumet e Elbasanit. Në këto anë me blegtori të zhvilluar, ndër shumë bereqetet që shtrohen në sofër janë mishi i qengjit dhe flija. Kjo festë bëhet me besimin se Dita e Verëzës sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore dhe ritet ndërlidhen me zgjimin e bimësisë, gjallimin dhe kalimin nga dimri në pranverë.