“Kryetari i komanduar, Saimir Tahiri, s’duhet të garojë për PS-në e Tiranës”

Andis Harasani, deputet i PS-së
Sekretari për programin politik të PS-së, Andis Harasani deklaron se do të kandidojë për postin e kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën. Në një deklaratë të tij për mediat, deputeti socialist theksoi se “nuk është etike që Saimir Tahiri, aktualisht kryetar i komanduar për Tiranën, të jetë kandidat në zgjedhjet e degës më të madhe të socialistëve”. “Nuk besoj se është etike dhe demokratike që personi i komanduar të jetë kandidat në zgjedhje. Gjithsesi në momentin që do shpallen kandidaturat, do shikoj dhe unë çdo bëj me kandidaturën time. Është ende herët për të folur, por të gjitha mundësitë janë për po”, u shpreh Harasani.
Deputeti socialist thotë gjithashtu se zërat kritik ndaj lidershipit të PS-së nuk kanë asnjë qëllim të përçajnë socialistët, por synojnë ta bëjnë këtë forcë politike sa më të fortë.
“Nuk di të kemi kritikuar kënd. Kërkojmë të flasim hapur duke pranuar madje edhe gabimet tona. Jam socialist dhe jam kundërshtar i kësaj mazhorance sepse mendoj që Shqipëria meriton padyshim një qeverisje shumë herë më të mirë. Shqetësimi im konstant është nëse PS e afron realisht një gjë të tillë. Politikisht, PS ka humbur dy vjet të gjatë duke i lënë terren kundërshtarit politik, duke margjinalizuar veten dhe duke dëmtuar edhe vetë vendin”, u shpreh deputeti socialist.
Sipas Harasanit, deklaratat për përjashtime në PS, bëhen nga një tufë karrieristësh të rekrutuar me pa të drejtë në PS, të cilët thjesht synojnë të përçajnë partinë. Ndërkohë lidhur me zgjedhjen e Kryesisë dhe Sekretariatit, një proces i mbetur pezull ky, deputeti socialist Andis Harasani thekson se për të nuk ka rëndësi nëse do jetë pjesë e këtyre dy forumeve, por para së gjithash e rëndësishme është demokratizimi i PS-së dhe legalizimi i mendimit ndryshe.
“PS nuk ka funksionuar si parti përjashtimesh. Nëse do të ketë të tilla, fatkeqësisht ato do të jenë çengel për të mbajtur peng vetë PS-në dhe jo ata që duan të përjashtojnë”, thotë më tej, deputeti Harasani.
Dy ditë më parë edhe anëtari i kryesisë, Arben Malaj u shpreh se Partia Socialiste duhet të distancohet nga kulti i individit. Ai tha se pilotimi i njerëzve nga jashtë PS-së, në krye të partisë nuk duhet të tolerohet më.