E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova infektohet nga Kristal, diploma të dyshimta për zyrtarët

Prishtinë- Ministria e Arsimit e Kosovës nuk po njëhson mbi 300 diploma të niveleve barchelor dhe master të kandidatëve të cilët kanë mbaruar studimet në universitetet private në Shqipëri.

Në një shkrim në të përditshmën kosovare Koha Ditore thuhet se shumica e këtyre diplomave janë lëshuar nga universiteti i shumëpërfolur Kristal.

Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit thonë se kjo pritje e gjatë për njehsimin ndodh për shkak të mosbesimit ndaj disa universiteteve private në Shqipëri.

Koha Ditore raporton se Kristali ka nxjerrë shumë kuadro kosovare, ndërsa duke iu referuar burimeve të saj thotë se studentët kosovarë më së shumti kanë mbaruar në degë mjekësore dhe të njejtit punojnë edhe nëpër institucionet e Kosovës, sidomos në ato shëndetësore.

Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit të MASHT-it, shprehet se këto diploma presin më shumë se një vit për tu njëhsuar dhe kërkesat për një gjë të tillë nga kandidatët janë të shpeshta. Për tu njëhsuar një diplomë e një universiteti privat, sipas Gjoshit, kalon së pari nëpërmjet një komisioni që përbëhet nga profesorë të Universitetit të Prishtinës dhe zyrtarë të ministrisë. Ky komision merr informacionet e nevojshme edhe nga rrjeti ENKA (Universitetet Evropiane për Shkollim të Lartë) dhe Rrjeti i Universiteteve Evropiane e Ndërkombëtare.

Gjoshi shtoi se procedura më të lehta kanë vetëm ata persona që janë shkolluar në universitetet publike të Shqipërisë dhe kjo rrjedh për shkak të besimit më të madh. Dyshimi ndaj këtyre diplomave të panjehsuara është rritur akoma më shumë ndaj skandalit në të cilën u përfshi universiteti Kristal ku djali i një politikani italian kishte mbaruar studimet pranë këtij universiteti pa qenë asnjë ditë në Shqipëri.

Ideal Gola/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›