Ekonomia, Meta: Mirëpresim eksperiencën e opozitës
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kërkoi dje nga opozita që të jetë e kujdesshme dhe të mos bëjë deklarata të pabaza kundër klimës ekonomike në vend. Sipas tij, minoranca politike është e ftuar që të japë eksperiencën e saj në përmirësimin e klimës së biznesit dhe parametrave të tjera ekonomikë, sidomos kur tani Shqipëria ka marrë në dorë edhe pyetësorin për të përfituar me pas statusin e vendit kandidat për në BE. "Jo vetëm që situata ekonomike do të vijojë të jetë e qëndrueshme; jo vetëm që Shqipëria do të vijojë të ketë një rritje ekonomike pozitive; jo vetëm që Shqipëria do të vijojë të ketë një rritje të mëtejshme të investimeve të huaja në vend, por pa asnjë diskutim, qeveria do t’i realizojë të gjithë objektivat e saj dhe unë do të ftoja të gjithë përfaqësuesit e opozitës që të mos u kundërvihen reformave ekonomike dhe sociale", - tha Ilir Meta, kryetar i LSI-së.
I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme si zgjidhje për ngërçin politik, nëse dy liderët Berisha e Rama ulen në negociata, Meta tha: "Dialogu në çdo rast ndërtohet mbi disa parime dhe qëllime të përbashkëta. Në këtë drejtim unë mendoj se dialogu në çdo rast i ka të gjitha mundësitë për të qenë i shëndetshëm dhe i suksesshëm, gjë që do të thotë se qëndron mbi parime të tilla, ku parimi kryesor është ai i shtetit ligjor, respektimit të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve".